Mbetjet spitalore paraqesin një problem shumë të madh kur është në pyetje menaxhimi i tyre. Në Dibër, spitali në mënyrë të vazhdueshme është angazhuar që mbetjet të grumbullohen në kontejnerë specialë dhe më pas të hidhen nga kompani të specializuara. Megjithatë, mbetet fakti se shumë vite më parë, për shkak të neglizhencës, këto mbetje nuk janë trajtuar siç duhet. Institucionet shëndetësore në Dibër tashmë prej vitesh, në mënyrë të rregullt, i hedhin mbetjet në kontejnerë specialë, të cilët më pas grumbullohen nga një kompani e licencuar për menaxhimin e tyre.
Një angazhim i tillë serioz kontribuon edhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor, pasi hedhja e këtyre mbeturinave në hapësira publike ose në deponi të zakonshme do të shkaktonte rreziqe të mëdha për mjedisin dhe, sipas ekspertëve, mund të ndikonte edhe në shfaqjen e disa sëmundjeve infektive.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Dibrës, Mersim Koleci, për gazetën KOHA deklaroi se Spitali i Dibrës, në përputhje me Ligjin, i grumbullon mbetjet dhe më pas ato menaxhohen nga kompani të specializuara. “Mbetjet spitalore në Dibër, respektivisht të Spitalit të Përgjithshëm, nuk hidhen në deponinë e qytetit. Këto mbetje grumbullohen në një kontejner special, i cili ndodhet në oborrin e spitalit dhe ka edhe sigurim plotësues. Më pas, ato merren nga kompania e specializuar ‘Renondis’ nga Manastiri, e cila ka kontratë me ne dhe është e licencuar për menaxhimin e mbetjeve spitalore, ashtu siç kanë edhe spitalet e tjera në vend”, tha Koleci.
Ai shtoi se pastërtia në spital është maksimale, ashtu si edhe menaxhimi i mbetjeve spitalore, pasi janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet që sjell hedhja e tyre në deponi të zakonshme. Pas grumbullimit, kompania e specializuar i asgjëson mbetjet në vende të caktuara nga institucionet kompetente, në mënyrë ligjore.
Në lidhje me menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe medicinale, biseduam edhe me përfaqësues të disa ordinancave private të mjekëve amë. Ata theksuan se tregojnë kujdes të madh ndaj mbetjeve medicinale, të cilat i hedhin në kontejnerët e spitalit.
Megjithatë, ka raste në fshatrat e Dibrës dhe të komunave rurale përreth, ku mbeturina medicinale mund të shihen edhe në deponi të egra. Banorët e fshatrave thonë se kjo ndodh sidomos pranë deponive të egra ku funksionojnë ordinanca private. Me të drejtë, shoqatat ekologjike të Dibrës dhe rajonit kërkojnë që kontrollet mbi hedhjen e mbeturinave spitalore të jenë më të rrepta në zonat rurale. Gjithashtu, disa nga shoqatat qytetare potencojnë nevojën që kontrollet të zhvillohen jo vetëm në nivel lokal apo rajonal, por edhe në nivel kombëtar, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i shëndetit të njerëzve.






