Si ndikon stresi i punës te fëmijët tuaj – flet psikologia Zana Miftari – Reka

    Zana Miftari-Reka studimet deridiplomike i kreu pranë Universitetit të Sarajevës – Fakulteti Filozofik. Dhjetë vite ka qenë e angazhuar si ligjëruese dhe bashkëpunëtore në degën e psikologjisë, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës ku dhe magjistroi në po këtë katedër në Degën e Psikologjisë Industriale. Në vitin 2016 filloi studimet doktoriale, pranë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodij”, në Shkup. Në vitin 2019 merret me trajnimet në psikotraumatologji, gjegjësisht EMI (Eye Movement Integration) terapi, nën udhëheqjen e Dr. Elton Kazanxhi. Në korrik të vitit 2021 së bashku me katër profesioniste të fushave të ndryshme të psikologjisë, themelojnë Qendrën për psikologji “PERSONA” në Gostivar, me qëllim të vetëdijësimit të shoqërisë për nevojën e ndihmës dhe ndërhyrjes psikologjike. Reka për Nistori flet rreth stresit që prindërit akumulojnë në punë dhe ndikimi te fëmijët, manifestimi i ndjenjës së fajit te fëmijët dhe si trajtohen rastet e tilla me profesionistë të shëndetit mental.

    Intervistoi | Sumeja Hamzi

    Nistori: A ndikon stresi që prindërit e akumulojnë në punë në zhvillimin psikologjik të fëmijëve?

    Zana Miftari-Reka: Të qenurit i punësuar është një dukuri të cilës shumë pak individ mund t’i shmangen në shoqërinë e sotme. Kjo veçanërisht vlen për personat të cilat janë realizuar në rolin e prindërit dhe përveç vetes, duhet të sigurojnë edhe familjen apo fëmijët e tyre. Mendojmë që një imazh i një familjeje ideale do të ishte babai i punësuar, i cili kujdeset për pjesën materiale, dhe nëna amvise, e cila kujdeset për famljen e saj brenda shtëpisë. Por bota dinamike në të cilën sot jetojmë nuk lejon as të ëndrrohet një “luks” i tillë. Posaçërisht kur kërkesat dhe nevojat e fëmijës dita ditës veç zmadhohen.

    Është e vërtetë se puna përveç përfitimeve shkakton edhe stres, efektet e të cilit mund të përhapen edhe në aspekte tjera të jetës personale. Por deri sa individi posedon aftësi të ndaj jetën profesionale prej asaj personale, funksionimi psikologjik i fëmijëve nuk do të jetë asesi i kanosur. Fëmijët e gjeneratave të sodit e shohin shumë normale që të dy prindërit të jenë të angazhuar me punë jashtë shtëpisë. Por shumë me rëndësi është që prindërit të jenë të pranishëm për fëmijën e tyre kur nuk janë në punë. Kjo do të thotë atë kohë që e keni të lirë dhe në dispozicion kaloni me fëmijën tuaj, e jo në rrijetet sociale, televizor etj

    Nistori: Cilët janë shkaqet kryesore të sjelljeve agresive që shfaqin fëmijët?

    Zana Miftari-Reka: Sjellja agresive që shfaqin fëmijët të cilës do moshe është indikator dhe simptom i cili rrijedh nga shumë probleme të ndryshme. Prandaj thelbi i vet trajtimit të agresivitetit është së pari të zbulohet se çfarë e shkakton atë. Këto shkaqe mund të ndahen në disa grupe:

    Ç’rregullimet e humorit – fëmijët që vuajnë nga ky lloj çrregullimi shpesh mund të humbasin vetëkontrollin dhe reagojnë në mënyrë impulsive.

    Frustrimi – fëmijët të cilët kanë probleme me funksionimin kognitiv (dëmtim intelektual) ose në komunikim me rrethin e tyre shpesh manifestojnë agresivitet ndaj të tjerëve. Ata shpesh e bëjnë këtë sepse kanë vështirësi të merren me ankthin e tyre dhe nga pamundësia për t’i shpreshur me fjalë ndjenjat e tyre siç bëjnë të tjerët.

    Stili i prindërimit – prindërit neglizhues që nuk angazhohen me fëmijët e tyre shpesh tek ato mund të provokojnë sjellje agresive por edhe devijante, më qëllim që në këtë mënyrë të tërhjekin vëmendjen e prindërve.

    Trauma – ekspozimi ndaj një ngjarjeje traumatike mund të shkaktojë shpërthime të dhunshme

    Bulizmi – qoftë si dhunues, apo si viktim i dhunës bulizmi tek fëmijët mund të shkakton sjellje agresive si dhe sjellje autoagresive (agresion mbi veten)

    Dhuna në media –  mediat dhe emisionet për fëmijë bashkëformësojnë sjelljen e fëmijëve. Duke parë seriale të animuara, ata përjetojnë botën përreth tyre më intensivisht dhe zhvillojnë mënyra të shumta të socializimi. Hulumtimet tregojnë se një shfaqje televizive për fëmijë mesatarisht një orëshe ka rreth 26 skena dhune. Prandaj, shpeshtësia dhe kohëzgjatja e skenave agresive mund të kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e agresivitetit në një drejtim të caktuar. Shikimi i dhunës në shoqërohet me gatishmërinë e shikuesit për të qenë agresiv dhe formohen qëndrime ndaj një sjellje të tillë.

    Nistori: Si t’a parandalojmë si prindër agresivitetin tek fëmijët?

    Zana Miftari-Reka: Strategjia më e shkëlqyer për të parandaluar sjelljen agresive është sigurimi i një mjedisi të qëndrueshëm. Çdo fëmijë ka nevojë për një mjedis të sigurt familjar me rregulla dhe disciplinë të fortë, por edhe të përmbushur me dashuri. Pra, jepeni në dije fëmijës se agresiviteti dhe sjellja e dhunshme nuk tolerohet dhe nuk është e mirëseardhur në shtëpi si dhe askundi tjetër. Ndonjeherë prindërit mund të mos jenë në gjendje për ta menaxhuar situatën dhe kjo asesi nuk është indikator i paftësisë prindërore. Në raste të tilla, mos nguroni të kërkoni ndihmë nga profesionistët të shëndetit mental.

    Nistori: Çfarë mesazhi ju dërgojmë fëmijëve kur ju bërtasim, pastaj i përqafojmë?

    Zana Miftari-Reka: Të gjithë pajtohemi me faktin se “prindërimi është dhuratë” dhe i konsiderojmë shumë me fat individët të cilët bëhen prindër. Por të jemi edhe të drejtë, jo se çdo pjesë e dhuratës na pëlqen. Prindërimi përmbanë edhe shumë faza të cilat janë të stërmbushura me zemërim, lodhje, vështirësi, ngritje të zërit… dhe lista vazhdon me vet rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Asnjë fazë e prindërimit nuk mund të tejkalohet pa sfida dhe kjo është më se normale. Por para se të reagojmë ndaj veprimeve të fëmijës, së pari të kontrollojmë se sa reagimi jonë do të jetë efektiv dhe sa do të jemi në gjendje që me këmbëngulje të qëndrojmë në vendimin e sjellur. Të rrallë janë prindërit të cilët pasi që ua ngrisin zërin fëmijëve nuk ndjejnë keqardhje apo faj se ndoshta mos kanë shpejtuar në veprimin e tillë. Keqardhjen dhe fajin pastaj mundojnë ta “pastrojnë” nga ndërgjegja duke shprehur nje lloj “shkrierje” emocionale para fëmijës, duke e përqafuar, llastuar… Po, ndërgjegja pastrohet në këtë mënyrë dhe prindëri fillon të ndjehet mirë. Por çka ndodhën me palën tjetër? Me fëmijën? Ata ngelin të hutur, sepse nuk e din se çfarë ndodhi që në të njejtën kohë prindëri zemërohet me ta për ndonjë sjellje të papëlqyeshme dhe pastaj e përqafon dhe i shprehën dashuri. Në kokat e tyre te vogla paraqiten shumë pyetje të cilave nuk mund t’i gjejnë përgjigje logjike. Psh: A gabova kur e bëra atë veprim? Nëse po, pse mami/ babi më përkëdhelin? Nëse jo, pse më qortojnë? A është veprim që duhet përsëritur apo jo?…

    Ja disa këshilla të cilat do të ishin të mirëseardhuara:

    • Mundohuni që para se të reagoni ndaj ndonjë veprimi të papëlqyeshëm të fëmijës suaj të qëndroni të qetë. Ngritja e zërit, shpërthimi, zemërimi nuk do të rregullojnë asgje, por veç do ta zmadhojnë problemin në fjalë.
    • Mos i shpërfillni ndjenjat e fëmijës suaj dhe asesi mos kini frikë të flasni për ato së bashku. Fëmija duhet ta ketë të qartë se si veprimet e caktuara na bëjnë të ndihemi dhe si i bëjnë të ndihen të tjerit. Çfarë na bën të lumtur, të emocionuar, të shqetësuar, nervoz, të turpëruar. Fëmijët duhet ta dinë se është shumë normale ta ndjejnë atë që ndjejnë dhe që edhe ne si prindër mund të frikësohemi, xhelozojmë, mërzitemi, por edhe të emocionohemi dhe të ndihemi të lumtur. Filloni të flisni me fëmijët për ndjenjat dhe emocionet tuaja dhe pyesni ato për të tyret. Mos të ngelën që vetëm në momente shqetësimi ato të përjetojnjë shprehje emocionale, por thjeshtë përpiquni ta bëni atë në mënyrë të vazhdueshme, duke i ofruar fëmijës mbështetje dhe stabilitet. Mbajeni mend, fëmijëve ju pëlqen ta njohin gjendjen tuaj emocionale dhe kur e ndani me ato ndjehen që kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetën tuaj. Në këtë mënyrë ju zhvillohet vetëbesimi, vetëvlerësimi dhe vetërespekti.
    • Shpërbleni dhe inkurajoni fëmijët për sjelljet e pëlqyeshme! Në vend që të përdorni zemërimin dhe ndëshkimin kur fëmija bën diçka të gabuar, injorojeni atë. Është e vështirë, por mundoheni që mos e humbni qetësinë tuaj. Fëmijët përfundimisht do ta kuptojnë se nuk do ta marrin atë vëmendje që po kërkojnë. Pasi që të qetësohen, atëherë mund të flisni me to se pse sjelljet e tyre nuk janë të pëlqyeshme. Nga ana tjetër, gjithashtu kur fëmijët bëj ndonjë veprim të pëlqyer, shpërbleni ato. Por jo çdoherë në mënyrë materiale. Kaloni kohë me ato, shëtisni së bashku, hani diçka së bashku. Ne nuk i kujtojmë çfarë dhurate kemi marr, por kush na ka dhuruar atë. Edhe fëmijëve në kujtesë do ju ngelën koha e kaluar me personin e dashur, të qeshurat, momentet e lumtura, jo dhuratat.

    Nistori: Pse shfaqet ndjenja e fajit tek fëmijët dhe si e manifestojnë?

    Zana Miftari-Reka: Prindërit dhe mënyra e tyre për të ndaluar dhe ndëshkuar sjelljen e fëmijës së tyre luajnë një rol kyç në zhvillimin e ndjenjave të fajit. Ndalesat përcaktojnë se cilat sjellje të fëmijës janë të papranueshme dhe të padëshirueshme, ndërsa dënimi përcakton shkelje të ndalesave. Gradualisht fëmija fillon të zhvillojë norma të sjelljes dhe moralit. Fëmija duhet të mësojë të dallojë sjelljet që janë të këndshme dhe të padëshirueshme shoqërisht nga sjelljet që nuk janë të këndshme për të, por janë të dëshirueshme nga ana shoqërore. Nëse një fëmijë shkel normën (nuk respekton ndalesat) dhe përballet me dënimin, ai përjeton frikën se mund të mos jetë më i dëshiruar. Prindërit kanë rolin e motivuesve të jashtëm në krijimin e sjelljes së fëmijës, e cila me kalimin e kohës internalizohet dhe bëhet pjesë e strukturës së brendshme psikologjike të fëmijës. Kur një fëmijë, për ndonjë arsye, thyen një ndalesë, atëherë ai do të ndihet fajtor. Mënyra se si një prind e ndëshkon një fëmijë është mënyra se si një fëmijë më vonë kur të rritet do të dënojë fëmijën e tij. Megjithatë, kur i thuhet: “Ajo që bëre është e keqe“, ai dëgjon dhe kupton: “Ti je një fëmijë i keq.” Prandaj është e rëndësishme të specifikoni saktësisht se çfarë ka bërë gabim dhe në raste të tjera t’i theksoni se është i vlefshëm, i dashur, edhe kur jemi të zemëruar me të dhe kur e kritikojmë. Një person që nuk ka mësuar të bëjë dallimin midis këtyre dy ndjenjave, fillon të zhvillojë aversion ndaj veten, i cili më vonë mund të shëndrohet në agresivitet apo autoagresivitet.

    Ndjenjat e tepërta të fajit tek fëmijët mund të manifestohen përmes panikut, frikës, tërheqjes sociale, ndjenjës së turpit, çrregullimeve të gjumit, mungesës së iniciativës, humbjes së vetëbesimit dhe zhvillimit të ankthit. Ndjenjat e fajit zhvillohen në mënyra krejtësisht të padëmshme. Për shembull, nëse fëmija juaj ka bërë diçka që nuk duhet ta bënte dhe ju bëni një fytyrë të trishtuar dhe pretendoni se qani dhe kërkoni që t’ju puthë në shenjë pajtimi. Kjo mund t’ju duket si një lojë e padëmshme, megjithatë fëmija ndihet i shqetësuar dhe do t’ju puthë sepse dëshiron që ju të ndiheni më mirë. Kjo i mëson se duhet të puth (dmth të kërkojë falje dhe t’i kushtojë vëmendje) këdo që ndihet keq. Është shumë e rëndësishme që prindi të mos e dënojë fëmijën me refuzim, injorim, kërcënime (psh. “Nëse nuk jeni të mirë, ne do t’ju japim në jetimore”). Është gjithashtu e rëndësishme që prindëri mos e shoqërojë ndëshkimin me dashurinë, për shembull “Unë nuk të dua kur je…” dhe të mos etiketojë identitetin e fëmijës, por vetëm sjelljen e tij. Nëse prindëri i thotë se është dembel, fëmija e dëgjon këtë në nivel identiteti dhe mund të krijojë bindjen se është dembel, gjë që më tej çon në ndjenjën e fajit. Të gjitha këto veprime nxisin zhvillimin e fajit infantil. Nëse një person zhvillon fajin infantil që vazhdon deri në moshën madhore, ai do të ketë probleme me komunikimin e sinqertë dhe intimitetin, për arsyen të thjeshtë se do të ndihet fajtor për gjithçka. Në të gjitha situatat kur ai person do të duket i kritikuar, gjë që më së shpeshti nuk do të ketë lidhje me realitetin, ata do të vuajnë nga ndjenja e fajit.

    Nistori: A trajtohen raste të tilla me ndihmën e profesionistëve të shëndetit mental dhe a kanë sukses?

    Zana Miftari-Reka: Siç e ceka edhe më herët, kur prindërit nuk janë në mundësi të menaxhojnë sjelljen e fëmijës së tyre është e duhur që të kërkojnë ndihmë prej profesionistëve të shëndetit mental, në këtë rastë nga psikologët. Fatëkeqsisht përparimi i teknologjisë dhe mjeteve teknologjike ka ndikuar në rritjen e argresivitetit tek fëmijët, veçanërisht tek ato të moshës së pubertetit.  Por nëse kërkohet ndihmë dhe problemi trajtohet me kohë, suksesi nuk do të mungojë. Disa prej mënyrave të shumta të cilët përdoren për anulimin e shfaqjes së sjelljeve agresive janë ushtrime për rritjen e vetëbesimit si dhe të mësuarit e mënyrave adekuate të të shprehurit të ndjenjave dhe emocioneve. Është pikërisht mosnjohja e mënyrave adekuate për t’u përballur me emocionet e pakëndshme që shpesh është arsyeja pse fëmijët sillen në mënyrë të papranueshme. Trajnimi i vetëbesimit nuk është i lehtë, por rezulton në një aftësi jashtëzakonisht të dëshirueshme që i lejon një individi të kapërcejë agresivitetin, të shprehet, të mos lëndojë askënd dhe të arrijë atë që dëshiron.

    Nistori: Një këshillë për prindërimin?

    Zana Miftari-Reka: Shumë prindër ndoshta nuk do ta gjejnë kurrë atë moment në të cilën ata mendojnë se kanë në mënyrë të përsosur kontrollin mbi të gjitha përgjegjësive që kanë. Nëse e pranoni një kaos të tillë si një gjendje normale, do ta keni më të lehtë ta përballoni atë. Një javë do të mbingarkoheni nga situata që ndodhin në punë, kështu që do të ju duket se familja juaj dhe shtëpia do të jetë në rrëmujë të plotë. Javën e ardhshme do të liroheni nga obligimet profesionale për të kaluar më shumë kohë me fëmijën tuaj. Prindërimi nuk ndodh brenda natës – është një proces që zgjat.

    Të jesh vetëm prind është e lehtë, por të jesh prind i suksesshëm kërkon shumë punë dhe përpjekje. Andaj, armatoseni me durim, mirëkuptim dhe qetësi pasi që kjo është rruga më e mirë drejt rezultateve të dëshiruara! /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Greva ndërpritet, Ministria u premton mjekëve amë pagesë më të lartë për pacient

    Lajmi i rradhës

    DO TË PËSOJA INFARKT NGA FATURA E LARTË E RRYMËS

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë