Greva ndërpritet, Ministria u premton mjekëve amë pagesë më të lartë për pacient

    Erdhën për të caktuar një termin për te specialisti, por pa sukses. Dyert e ordinancave të mjekëve amë sot ishin të mbyllura dhe pacientët u kthyen mbrapa. Kjo ngaqë mjekët janë në grevë.

    -A do të ju pranojnë ose jo?
    -Nuk e dimë.
    -Nuk e dini?
    -Jo, ja po shkruan grevë.
    -A bëhet fjalë për ndonjë rast urgjent?
    -Nuk është urgjent.
    A e dini se mjekët sot protestojnë?
    -Po, po e di.
    -A e mbështesni si pacientë këtë?
    -Nuk e di. Po e përkrahim përse jo, pse mos të marrin paga më të larta edhe ata. Meqë gjithçka u shtrenjtua, le të marrin edhe ata”.

    Mjeku i përgjithshëm Bojan Trajkovski e kishte mbyllur ordinancën e tij dhe i ishte bashkuar protestës me kolegët për të ngitur zërin për pakënaqësitë që kanë. Ai tha se që dje i kanë informuar pacientët se nuk do të kryejnë shërbime.

    “Nuk kemi pasur ndonjë rast urgjent. Të gjithë pacientët që kanë qenë të paraqitur, ne i kemi informuar që mbrëmë, se sot do të kyçemi në protestë. Ka mirëkuptim edhe nga pacientët. Ka një numër të vogël që kërkojnë shërbimi t’u kryhet pa marrë parasysh rrethanat, mirëpo ne qëndrojmë fuqishëm në qëndrimin që kemi dhe duam t’i mbajmë premtimet që kemi dhënë, që të na realizohen kërkesat që kemi”, tha Bojan Trajkovski, mjek amë.

    Mjekët amë shprehen të pakënaqur për kapitacionin e ulët dhe goditjet financiare, që sipas tyre mund të çojnë në mbylljen e ambulancave. Kërkesa kryesore është rritja e çmimit të pikës së kapitacionit për pacient, nga 65 në 95 denarë. Për këto probleme premtoi zgjidhje zv/ministri i Shëndetësisë Vlladimir Rendevski, i cili i priti në takim kryetaren e shoqatës së mjekëve amë dhe kryetaren e Odës së mjekëve.

    “Me të vërtetë kemi rreth 1463 ekipe mjekësore nga mbrojtja shëndetësore primare, rreth 500 apo një e treta janë në punë ekzistenciale, praktikisht mezi sigurojnë një pagë minimale ekzistenciale për ekipin mjek-motër. Për këtë shikojmë që sa më shpejtë të kontribuojmë që të mbeten në punë dhe të motivuar t’i kryejnë shërbimet mjekësore ndaj pacientëve këto grupe”, njofton Rendevski.

    Për shkak se u arrit marrëveshje kryetarja e mjekëve amë, Lilija Çollakova Dervishova tha se greva ndërpritet dhe që nesër mjekët rikthehen në ordinancë.

    “Unë i përcolla të gjitha problemet të shëndetësisë private, këtu është regjimi i të shkruarit, politika dënuese, mbijetesa e ambulancave të vogla dhe pakoja bazë, që të mund të bëjmë shëndetësi më cilësore dhe të bartim pjesë të madhe të funksioneve në shëndetësisë primare, sekondaren ta çlirojmë, terciarja të merret me shkencë, me të vërtetë ta mbajmë dinjitetin e doktorit, të jetë i lirë dhe i lumtur punonjësi shëndetësor”, tha Dervishova.

    Si për fillim u morën vesh që nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga ana e Shoqatës së Mjekëve Amë në kohë sa më të shpejtë të formohen grupe të punës ku konkretisht do të vazhdohet me vërtetimin e priorioriteteve./tv21/

    Lajmi Paraprak

    Virologu gjerman Christian Drosten nuk ka paralajmëruar një virus të ri

    Lajmi i rradhës

    Si ndikon stresi i punës te fëmijët tuaj – flet psikologia Zana Miftari – Reka

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë