Fuqia shëruese e solidaritetit

    Elena Bernabè

    “Sjellja etike e njeriut, duhet të bazohet në mënyrë aktive tek solidariteti, edukimi, lidhjet dhe nevojat sociale. Por kjo ndjenjë, njeriut do t’i shërbente shumë pak, nëse do të ishte e nevojshme që të diktohej përmes frikës nga ndëshkimi apo shpresës së shpërblimit pas vdekjes. (Albert Einstein)

    Ne jetojmë në një botë, e cila e ka harruar domethënien e  vërtetë të solidaritetit. Gjithkush mendon për individualitetin e tij, për grumbullimin e sendeve, parave, për të nxituar, gjithmonë dhe në çdo rast për kryerjen e punëve vetjake. Dhe kjo mënyrë jetese na bën të trishtuar, të vetmuar, të sëmurë.

    Ironikisht na duket sikur kemi gjithçka, në fakt na mungon gjithçka. Më pas ndodh një ngjarje dramatike, siç ishin për shembull përmbytjet e rënda që goditën fort së fundmi rajonin e Emilia Romagna në Itali, dhe njerëzit e përfshirë në katastrofë bëhen jashtëzakonisht të gjallë:ata kanë humbur gjithçka, por ndihen të gjallë, duan të ndihmojnë, këndojnë, bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetën e të tjerëve, angazhohen për të pastruar shkollat, shtëpitë dhe rrugët.

    Edhe më të vegjlit duket sikur gjallërohen, duke e parë spontanisht veten bashku me bashkëmoshatarët e tyre, për të dhënë ndihmë atje ku ka nevojë. Pa kërkuar asgjë në këmbim! Të ndihmosh të tjerët, së bashku me të tjerët, është shpërblimi më i madh në vetvete.

    Sepse këtu shfaqet ndjenja e solidaritetit:njerëzit aktivizohen, fizikisht dhe mendërisht, ndihen të lidhur me ata që janë në vështirësi. Në tragjedi ata ri-zbulojnë vëllazërinë e vërtetë njerëzore. Një gjendje e shpirtit njerëzor që nuk mund të kërkohet, të mësohet apo të imponohet:ajo jeton brenda shpirtit të çdo individi, mjafton vetëm të zgjohet!

    “Dhembshuria nuk është një marrëdhënie midis shëruesit dhe të plagosurit. Është një marrëdhënie midis të barabartëve. Vetëm kur e njohim errësirën tonë, mund të jemi të pranishëm në errësirën e të tjerëve. Dhembshuria bëhet e vërtetë kur njohim humanizmin tonë të përbashkët.” (Pema Chödrö)

    Atëherë pyesim veten: Pse ky solidaritet që është baza e mirëqenies sonë psikofizike si individë, zgjohet vetëm gjatë tragjedive dhe katastrofave? Pse mënyra jonë e përditshme e jetesës, nuk e lejon shfaqjen e kësaj lloj sjelljeje?

    Solidariteti, i kuptuar si ndihma spontane ndaj të tjerëve pa synuar asgjë në këmbim, e shëron njeriun:e ushqen, e pasuron, e bën të ndihet si vëlla i botës, e bën ta perceptojë veten si pjesë e natyrës, që nuk ndahet nga asnjë formë jete. Është një zjarr i jetës që ndez gjithçka, është burimi i paqes, i gëzimit, i një vizioni të hapur e të besueshëm për jetën dhe manifestimet e saj, çfarëdo qofshin ato.

    Mënyra jonë e përditshme e jetës, e kufizuar në shtëpitë tona, vetëm, dhe me kaq shumë objekte që zëvendësojnë njerëzit, me një frikë ndaj botës, të përqendruar si gjithmonë në të njëjtat mendime, të edukuar me frymën e konkurrencës, pasurimit material, pesimizmit, është një gjendje që e shuan, asgjëson dhe e tjetërson solidaritetin.

    Kur e gjithë kjo mënyrë jetese zhduket nga një përmbytje ose shkatërrohet nga një tërmet, ne çlirohemi nga zinxhirët që na kanë burgosin thelbin e jetës. Ne zgjohemi nga apatia jonë. Nuk kemi më asgjë, por në realitet kemi gjithçka:rishfaqet humanizmi ynë!

    “Solidariteti është ndërgjegjësimi i përkatësisë në një komunitet që është aq i madh sa vetë bota”(Fabrizio Caramagna)

    Ngjarjet e jetës janë mësuese të pamëshirshme. Sa më të forta dhe më dramatike të jenë, aq më shumë na bëjnë të kuptojmë rrugën që duhet ndjekur, me kushtin që zemrat tona të jenë gati t’i përvetësojnë këto leksione. Nëse nga ana tjetër, të gjithë jemi ende të përqendruar te vetja dhe tek besimet tona individuale, nisim të luajmë rolin e viktimës, dhe e humbasim mundësinë për të mësuar mësimet e çmuara të jetës.

    Për të ndryshuar kurs nuk lipsen gjithmonë ngjarje të tilla katastrofike si përmbytjet, tërmetet apo aksidentet. Duke qenë në gjendje të kapim çdo ditë mesazhet e ekzistencës sonë, mund të marrim vendime të rëndësishme që synojnë të na kthejnë në rrugën e duhur, duke hequr dorë nga zakonet e vogla të vjetra, dhe duke i zëvendësuar ato me veprime, mendime dhe sjellje të shëndetshme dhe njerëzore.

    Nëse, për shembull, dëshironi të përpiqeni të rindizni flakën e solidaritetit të vërtetë, provojeni në jetën e përditshme. Janë këshilla të përsëritura shumë herë, por që mund të bëjnë diferencën. Ato na ndihmojnë të çlirohemi nga objektet e padobishme, nga marrëdhëniet toksike që nuk na lejojnë të ndjekim rrugën tonë.

    Po ashtu, ato na japin mundësi t’u themi jo kërkesave nga bota që nuk na përkasin, t’i japim hapësirë ​​reale qenies sonë, duke vendosur ta shpenzojmë kohën tonë në mënyrë konstruktive dhe jo shkatërruese, duke e lejuar veten të ekzistojë pa ndjenja faji, turpi dhe frikëra të ndryshme.

    Ashtu si vërshimet e këtyre ditëve kanë sjellë shkatërrim, vdekje dhe baltë, edhe ne jemi thirrur të fusim duart në “baltën” tonë të brendshme. Që më pas ta pastrojmë veten dhe të rilindim. Me një shtysë tjetër, me një mënyrë tjetër jetese, më të matur, më të thellë, dhe më të vërtetë. Atëherë flaka e solidaritetit do të ndizet vetvetiu, sepse më në fund do të ketë hapësirën të shkëlqejë.

     “Solidariteti i njerëzimit nuk është vetëm një shenjë e bukur dhe fisnike, por një domosdoshmëri urgjente, është një çështje për jete a vdekje”. (Immanuel Kant) / bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Shaqiri kërkon përgjegjësi për shpërndarjen e testit të maturës shtetërore

    Lajmi i rradhës

    “Kumanova”, sipas serbëve, policët dhe pse duhet dëgjuar edhe Kurti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë