“Kumanova”, sipas serbëve, policët dhe pse duhet dëgjuar edhe Kurti

    BEN ANDONI

    Nëse do të funksiononte si duhet Marrëveshja e Kumanovës, atëherë të tre policët kosovarë nuk do të prekeshin qoftë edhe nëse ata do të ishin, sipas pretendimeve serbe, në territorin e Republikës së Serbisë!! Pak sqarim për publikun: Marrëveshja Teknike Ushtarake, e njohur edhe si Marrëveshja e Kumanovës, u nënshkrua ndërmjet Forcave të Sigurisë Ndërkombëtare (KFOR) dhe Qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë, më 9 qershor 1999 në Kumanovë (Maqedonia e Veriut). Me anë të saj u përfundua Lufta e Kosovës dhe u vendosën marrëdhënie të reja themelore ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Forcës së Kosovës, e cila do të vepronte këtej e tutje për të zëvendësuar në territorin e vet njësitë e Armatës Jugosllave. Një nga pikat kryesore të kësaj marrëveshje thotë: “Përcaktimi i zonës 25 km të sigurisë ajrore dhe 5 km zonës së sigurisë tokësore rreth kufijve të Kosovës, në territorin e administruar nga RFJ aty ku është e nevojshme, ku forcat ushtarake të RFJ-së nuk mund të hynë pa lejen e KFOR-it. Policia e armatosur lehtë do vazhdonte të operonte brenda zonës që ndodhej jashtë Kosovës por sipas marrëveshjes”. Përveç detajeve të panevojshme për policët (serbët po mundohen ta banalizojnë), sepse ato do të dalin nga hetimet e specializuara, kryeministri i Kosovës Kurti ka të drejtë kur kujton përgjegjësinë e KFOR-it për të mbrojtur vijën kufitare. Ka të drejtë edhe kur flet për forcat speciale serbe, por që ende nuk mund të identifikohen, pasi nuk duhet as të guxonin të ishin atje ku ishin. Për fat të keq, kamuflimi i tyre duket mirëfilli i përshtatshëm për këso punësh, ndërsa përgatitja dhe realizimi i kapjes së policëve kosovarë, duket se nuk janë polici e armatosur lehtë. Po pse nuk kujtohet sot Marrëveshja e Kumanovës dhe kleçkat e saj?! U desh zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, që pak orë më parë në një postim në “Twitter”, t’ua kujtojë Kosovës dhe Serbisë marrëveshjet e kaluara që janë dakorduar, përfshirë edhe Marrëveshjen e Kumanovës. Pse druhen palët…

    PAS NË HISTORI

    Ndërhyrja ushtarake ndaj Beogradit zyrtar filloi pasi RFJ-ja hodhi poshtë marrëveshjen e Rambujesë (serbët e konsiderojnë si përpjekje për përvetësim dhe shantazh). Dihet se fillimisht u dorëzua një dokument në formën e ultimatumit për të shmangur agresionin ushtarak. Pati përplasje të ndryshme mbi ligjshmërinë e sulmit të NATO-s, pasi ndërhyrja ushtarake, referuar serbëve ishte krim agresioni, d.m.th. mosrespektimi i normave bazë të jus ad bellum (i referohet kushteve në të cilat shtetet mund t’i drejtohen luftës ose përdorimit të forcës së armatosur në përgjithësi) dhe jus cogens (një normë e pranuar dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare e shteteve në tërësi si një normë nga e cila nuk lejohet asnjë derogim) veçanërisht në lidhje me barazinë sovrane të shteteve.

    Në qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKBsë, duke miratuar Rezolutën 1244 e vendosi Kosovën, asokohe një provincë në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë, nën administrimin e përbashkët të NATO-s dhe KFOR-it të OKB-së (kjo e fundit identifikohet me NATO-n), si “forcë paqeruajtëse”. Rezoluta e njohur u miratua një ditë pas përfundimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër RFJ-së dhe u kërkua realizimi i “Marrëveshjes së Kumanovës” (MK). Ashtu si mund të merret me mënd ndërhyrja e NATO-s nuk u miratua nga organet e OKBsë, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes (marrëveshjeve) të Rambujesë ishte parakusht që NATO të mos ndërhynte kundër RFJ-së/Serbisë. Pas refuzimit të Rambujesë, NATO filloi operacionin e saj, pa autorizim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndaj sipas serbëve, sulmi nga NATO mund të njihet vetëm si shpërdorim i pushtetit dhe krim agresioni. “Po ashtu, lidhja e Marrëveshjes së Kumanovës ishte një ultimatum (ose kusht) i dorëzuar RFJ-së për përfundimin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Nëse RFJ-ja dhe Serbia nuk e lidhnin, bombardimet dhe ndërhyrja nuk do të pushonin. Në procesin e përfundimit të MK-së dhe në Rezolutën 1244 (ditë më vonë), forcat e NATO-s thjesht u riemëruan nga OKBja si KFOR. Prandaj, lidhja e Marrëveshjes së Kumanovës ishte vetëm një shembull tjetër i një traktati të kushtëzuar dhe të zhvatur me kërcënimin e sulmit të armatosur, pra pa pëlqimin ligjërisht të vlefshëm nga palët (p.sh. nga RFJ/ Serbia). Më thjeshtë: NATO abuzoi hapur me pushtetin për ta detyruar Serbinë dhe RFJ-në për të nënshkruar traktatin (Marrëveshjen e Kumanovës) nën kërcënimin e menjëhershëm të sulmit, referuar burimeve serbe (Janev, 2022)1 . Sërish serbët akuzojnë se: Këshilli i Sigurimit i OKB-së veproi sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së, miratoi Kumanovën, si një traktat legjitim, duke shpërfillur karakterin e imponuar të aktit, paçka kushtëzimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe rrethanat shantazhuese në lidhje me marrëveshjet/marrëveshjen e Rambujesë, pra parakushtimin (Ibid). Asokohe Marrëveshja u njoh dhe u përshëndet si kapitullim i serbëve, ndërkohë që u vu në dyshim nga shtetet si Kina, që legjitimitetin e një Rezolute të tillë të KS-së që miratoi marrëveshjet e refuzuara të Rambujesë nuk e respektonin kushtëzimin e paligjshëm të RFJsë dhe dispozitat e saj në mospërputhje të ashpër me nenin 2(7) të Kartës së OKB-së (d.m.th. mosndërhyrja në juridiksionin e brendshëm) (Janev, 2022).

    Këto të gjitha janë elementë teknike, ku humbet lehtë dhe që sot serbët po i mbledhin për t’ia bërë jetën tejet të vështirë të Kosovës. Dhe, ia kanë arritur. Një grup i tërë burokratësh të huaj merren me elementë të përqasjes së qeverisë Kurti, që nga ana e saj, po përballet me probleme jo të vogla, por nuk merren me marrëveshjen bazë të Kumanovës dhe rezolutën 1244, nga e cila po ia ngatërrojnë jetën Kosovës. Ndaj, qëndrueshmëria e Kurtit, duket në një farë mënyrë edhe përpjekje për t’u dhënë kohë burokratëve ndërkombëtarë t’u qasen më me kujdes çështjeve në një kohë krejt tjetër dhe me sfida të tjera pas luftës Ukrainë-Rusi. Ndërkohë, një nga gabimet më të mëdha të Kosovës, që po pason dhe qeveria Kurti, është zbehja e kujtimit të eksodit masiv të njerëzve dhe atë që bëri Armata Jugosllave në Kosovë. Vetëm ajo i delegjitimon përpjekjen dhe kleçkat juridike të serbëve. Ndoshta Kosovës duhet t’i shërbejë shumë modeli hebre për kauzën e tyre. Nëse përzë si Armata Jugosllave dhe Beogradi zyrtar gati një milion njerëz në zemër të Evropës, si kërkon të drejta juridike dhe mbrojtje nga kleçkat juridike. Dhe, sërish, burimet serbe: “Sa i përket cilësisë juridike të traktatit, pëlqimi i vlefshëm i Serbisë ende mungon dhe nënshkrimet e vendosura në ‘Kumanovë’ ishin juridikisht jokushtetuese (sipas Kushtetutës së Serbisë, atëherë ishte Jugosllavi). Si përfundim, Marrëveshja e Kosovës, në vetvete, ka demonstruar paligjshmërinë e saj për sa i përket pranisë së sigurisë së KFOR-it dhe në masën e keqpërdorimit të pushtetit nga NATO-ja, që është në kundërshtim me normat jus cogens të së Drejtës Ndërkombëtare. Vetë Rezoluta 1244 shkon përtej kufijve të ligjshmërisë së OKB-së, duke miratuar dhe rikujtuar mandatin e dhënë nga Marrëveshja e dyshimtë e Kumanovës. Nga pikëpamja praktike, nëse ‘Kumanova’ do të ndërpritej potencialisht, Serbia s’ishte e detyruar të mos ndërhynte nga forcat e saj në Kosovë” (Janev, 2022).

    Ka dhe shumë kleçka të tjera, porse në një artikull të tillë është e pamundur të rreshtohen, përveç faktit se Kosova në 15 vitet e pavarësisë është në udhën e saj të vështirë të shtetformimit, me sfidat e saj, me problemet e mëdha të brendshme, me aleatë potentë (kryesisht në Perëndim) dhe me shumë të panjohura, por gjithsesi në udhë të drejtë. Kurtin nuk mund ta fajësosh për të gjitha përveç nuhatjes politike, e cila tashmë përkthehet në vizion. Nëse do e ketë si duhet, do e lërë në trasenë e shtetformimit Kosovën dhe do lartësojë emrin e tij (që duket se i pëlqen jo pak); në rast të kundërt, vendi do trandet nga problematikat kryesisht nga fqinji i saj, që nuk do t’ia urojë kurrë pavarësinë, që e ka shënjuar me aq gjak dhe sakrifica. Viktimat e fundit ishin policët e saj, që mbase se kanë lexuar kurrë “Kumanovën” dhe kleçkat e saj.

    1- Janev, I. (2022). Legal Aspects Related to the Termination of the Kumanovo Agreement (1999) and Possibilities for Serbian Armed Forces to return to Kosovo in Case of Termination of that Agreement. Advances in Politics and Economics 5(2):p.50 /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Fuqia shëruese e solidaritetit

    Lajmi i rradhës

    Misini fillon grevën e etjes për personat fantom

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë