Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në telefona

    Fëmijë që nuk ushqehen pa telefona para vetes, që nuk shtrihen për të fjetur pa luajtur edhe një herë lojën e preferuar në telefon?

    Këto dhe raste të ngjashme mund t’i keni parë apo dëgjuar të paktën një herë në jetë.

    Ndonëse edhe Arjeta Berisha ka hasur në diçka të tillë, prapëseprapë ajo është ndier e detyruar që t’i pajisë dy fëmijët e saj me nga një tablet, pasi, sipas saj, ata kanë qenë të paragjykuar nga moshatarët e tyre për mosposedim të ndonjë pajisjeje teknologjike.

    Megjithatë, vajza e saj, Dia, tetë vjeçe, dhe djali, Roni, shtatë vjeç, e kanë kohën e caktuar kur mund t’i përdorin këto pajisje teknologjike: një orë e gjysmë, eventualisht dy, përgjatë fundjavës.

    Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë se bashkë me bashkëshortin e saj, Ardin, kanë qasje të plotë në pajisjet e fëmijëve të tyre.

    “E kemi rregull në familje që sa janë në shkollë, fëmijëve nuk u lejohet të përdorin tabletin, përveç të shtunave, apo të dielave, nga një orë e gjysmë apo dy në ditë. Gjatë pushimeve verore e kemi zgjatur orarin e përdorimit të tyre. Ata nuk mund të instalojnë, apo të shohin diçka pa miratimin tonë”, ka thënë Arjeta, e cila ka një punë me orar të plotë në një kompani në Prishtinë.

    E pyetur se si ia ka dalë që të krijojë një sistem të tillë – marrë parasysh argumentet e prindërve se jeta është shumë dinamike dhe me plot angazhime ditore – ajo e ka përmendur si çelës angazhimin e fëmijëve në sa më shumë aktivitete.

    “Fati im është që ata janë në qëndrim ditor dhe aty nuk kanë qasje në teknologji. Kanë detyra, unë i marr në shtëpi në orën 17:30, kur e përfundoj orarin e punës. Zakonisht i angazhoj diçka që të më ndihmojnë rreth punëve të shtëpisë, derisa përgatis diçka, që të shtrojmë tavolinën dhe aty i kalojmë dy orë të mira. Dy orë tjera i pyes se çfarë kanë bërë gjatë ditës. Mirëpo nuk do të thotë që çdo ditë e kemi këtë orar”, duke përmendur edhe ecjet në natyrë, sidomos gjatë verës.

    A e teprojnë fëmijët me përdorimin e telefonave?

    Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa gjatë qëndrojnë fëmijët para ekraneve, fëmijë me telefona dhe pajisje tjera teknologjike i rastisim nëpër familje, ambiente të jashtme dhe incizime tjera në platformat sociale.

    Diçka që dihet është se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre.

    Kështu, Kosova është e para në rajon në këtë aspekt, por si duket edhe kjo gjë vjen me faturën e vet.

    Përdorimi i telefonave apo pajisjeve tjera të mençura nga fëmijët nuk është sfidë vetëm në Kosovë.

    Sidomos pas pandemisë së koronavirusit, kur koha nëpër telefona është imponuar edhe më shumë.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e rekomandon fare qasjen në pajisje teknologjike për fëmijët nën dy vjeç.

    Për fëmijët e moshave 3-4 vjeç, ky institucion beson se një orë në ditë është e mjaftueshme.

    Vështirësitë në përqendrim dhe komunikim

    Psikologu, Dorjan Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekspozimi i tepërt para pajisjeve teknologjike mund t’i lë fëmijët me mungesa në zhvillim.

    “Shumica e skemave kognitive, ose lidhjeve mes neuroneve, krijohen nga zero deri në dy vjet, dhe nëse këtë kohë fëmija e kalon duke mos u stimuluar nga rrethi i tij që të zhvillohet, mirëpo kohën e kalon në telefon apo në pajisje tjera, kjo tregon që rrezikshmëria është më e madhe, sepse fëmija zhvillon vetëm ato aftësi që i sheh përmes telefonit, e socializimi nuk vjen shumë nga telefoni. Nga këto pajisje e marrim vetëm komunikimin pranues dhe jo atë ekspresiv, prandaj nuk është se fëmijët nxjerrin tinguj apo nxjerrin fjalë duke biseduar me telefonin”.

    Vështirësitë në përqendrim dhe ato në komunikim janë në mesin e rreziqeve kyçe që përmend Krasniqi.

    “Mund të kenë vështirësi në formimin e saktë të fjalëve dhe fjalive. Ndoshta do të bëhen të rritur që fjalitë do t’i kenë të shkurta, ose komunikimin do ta kenë të mangët.

    Ai u sugjeron prindërve që përveç kufizimit të qasjes në pajisje të mençura, të shmangin ekspozimin në këto pajisje në orët e natës, për të shmangur gjumin jo të qetë të fëmijëve të tyre.

    “Mekanizmat mbrojtës të prindërve shpesh na thonë se është e vështirë që fëmijëve t’iu ndalohet telefoni. Unë sugjeroj që fëmijëve t’iu kushtohet vëmendje se çfarë ata po shohin dhe çfarë orari kanë”.

    Edhe sociologu, Artan Krasniqi beson se kontrolli përmbajtjesor e tejkalon për nga rëndësia kontrollin mbi baza kohore.

    “Në këtë aspekt jam shumë i shqetësuar, sepse edukimi medial, në përgjithësi në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi që të kenë kontroll përmbajtjesor të produkteve mediale që fëmijët i ndjekin në telefonat e mençur”.

    Përgjatë një bisede të zhvilluar me Radion Evropa e Lirë, ai ka përmendur edhe rëndësinë që prindërit të jenë shembuj për fëmijët e tyre.

    “Kur fëmijët janë të angazhuar bashkë me prindërit në aktivitete të ndryshme, as prindërit e as fëmijët nuk do të kenë kohë për pajisje teknologjike. Fëmijët janë qeniet që më së lehti i kopjojnë sjelljet e idolave të tyre. Në këtë rast, idolat e parë të fëmijëve janë prindërit e tyre dhe ata kopjojnë maksimalisht sjelljet, veprimet, gjestet, po edhe rutinën, të cilën e shohin te prindërit brenda shtëpisë. Nëse i lëmë për kohë të gjatë para telefonave, ata do të kopjojnë sjelljet e idolave që krijojnë brenda teknologjive, e që shpesh kanë përmbajtje të dhunshme”.

    Rregulli 20-20-20

    Po çfarë u ndodh syve gjatë gjithë këtë procesi?

    Oftalmologu, Afrim Shabani, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mjekët janë të ndarë në dy qasje.

    “Në grupin e parë thonë se ekrani nuk është se shkakton dëmtime të përhershme të syrit. Grupi tjetër thotë se emetimi i dritës nga ekrani, veçanërisht ‘spektri blu’ i dritës ndikon në disa dëmtime që ndonjëherë në mosha të shtyra mund të ndikojë në sëmundjen që njihet si degjenerim i makulës”.

    Degjenerimi makular është gjendje mjekësore që mund të rezultojë me turbullim të shikimit apo përkeqësim gradual të shikimit.

    I pyetur se cilit grup i takon ai, Shabani thotë se duhet bërë hulumtime të mëtejme për të parë si po ndikojnë pajisjet teknologjike në syrin e njeriut, mirëpo e pranon se mjekët e shohin që “ekspozimi i gjatë para ekranit shkakton te një numër i madh i njerëzve disa probleme, disa simptome që ne e dimë se po shkaktohen për shkak të qëndrimit të gjatë para ekranit, sidomos te fëmijët”.

    Ai e konsideron të gabuar qasjen e disa prindërve që ua japin fëmijëve telefonin “që të ushqehen më mirë”.

    “Përpara nuk kanë pasur telefona dhe fëmijët kanë ngrënë mirë. Prindërit e kanë gjetur një mënyrë shumë të gabuar për të mashtruar fëmijën që të marrë ushqimin përpara telefonit, sepse fëmija vetëm nis që të bëhet i varur nga telefoni. Këto pajisje të mençura krijojnë një sasi drite – spektrin blu – që është i dëmshëm për syrin”.

    Shabani u sugjeron fëmijëve, por edhe të rriturve që të tentojnë të zbatojnë sa më shumë atë që njihet si rregulli 20 – 20 – 20.

    “Kjo nënkupton që pas çdo 20 minutash, 20 sekonda na duhet të shohim më larg se 20 metra. Ky është pushim real për syrin”.

    Oftalmologu Shabani i konsideron edhe shumë të rëndësishme kontrollet e rregullta të fëmijëve te mjeku i syve, apo kurdo që prindi vëren se fëmija mund të ketë ndonjë problem.

    Përfitimet nga teknologjia?

    Nëse në njërën anë ekzistojnë shqetësimet si: problemet e mundshme në nxënie, në shëndet të syve, mospërshtatjen në shoqëri dhe idetë e rreme që mund të krijojnë fëmijët për realitetin, duke u bazuar në lojërat virtuale, sociologu Krasniqi beson se fëmijët kanë edhe përfitime potenciale nga teknologjia.

    “Te anët pozitive mund ta përmendim që fëmijët, megjithatë, duhet të përdorin pajisjet teknologjike, sepse kështu ata mbesin në hap me trendin, me kohën, me botën se çka ndodh. E ardhmja është teknologjia, këtë nuk e vëmë në diskutim. Po ashtu mund të përmendim edhe mësimin e gjuhëve të huaja, fëmijët sot shumë më herët flasin gjuhën angleze, apo ndonjë gjuhë tjetër, sepse e mësojnë atë përmes internetit. Ka linguistë që thonë se ata në këtë mënyrë e mësojnë gjuhën në mënyrë jo të duhur, por megjithatë, ajo mund të përmirësohet në të ardhmen. Janë edhe kontaktet kulturore, mësimi i gjërave të reja për botën. Jetojmë në periudhë të globalizimit, ku kontaktet janë shumë më të mundshme dhe më të shprehura”.

    Cila është atëherë zgjidhja?

    Për Arjetën, është disiplina.

    E pyetur se si i bind fëmijët e saj për orarin e qasjes në tabletat e tyre, apo edhe përmbajtjen që mund ta kenë në këto pajisje, ajo ka përmendur bisedat e drejtpërdrejta me ta.

    “Thjesht, ulem dhe ua sqaroj se një përmbajtje e caktuar është shumë e frikshme, që nuk është në rregull për zhvillimin e tyre, që nuk janë lojëra nga të cilat ata mund të mësojnë diçka, u them se më duken shumë të vegjël për to… e dinë që në momentin që u them jo, ajo është fjala e fundit. U ofroj sqarim, e kuptojnë dhe ndalen”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit kthehen në shkolla

    Lajmi i rradhës

    Beqiroviq dhe Cvijanoviq në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën e Bosnjës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë