Vënia në funksion e Teleferikut, parkingjet dhe infrastruktura rrugore – kërkesat kryesore për Kodrën e Diellit

    Fotografia: Nistori

    Sot në Kodrën e Diellit është mbajtur debat publik, temë kryesore e të cilit kanë qenë problemet me të cilat përballet kjo qendër turistike. Pjesëmarrës në këtë debat, kanë qenë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zv.drejtori i “ELEM Tours”, Tarxhin Aleksovski, përfaqësues të afaristëve, si dhe përfaqësues nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, shkruan Nistori.

    Rëndësi e veçantë në këtë debat, iu dha vënia në funksion e teleferikut nga qyteti i Tetovës në Kodrën e Diellit, rregullimi i vendparkimeve si dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore te shtëpizat, problematika këto të cilat qytetarët dhe turistët i kërkojnë me vite.

    Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, deklaroi se organizimi i këtij debati nuk është nisje nga fillimi i diskutimit për zhvillimin e qendrës turistike, por vazhdim i asaj që e kanë lënë autoritetet në të kaluarën. Ai premtoi se do t’u jepet fund ndërtimeve pa leje në këtë qendër turistike, shkruan Nistori.

    “Këto ide kanë qenë të projektuara edhe si projekte konkrete, me qëllimin që të tregojmë se ne nuk e nisim nga fillimi. Ideja për modernizimin e Kodrës së Diellit ka qenë që moti, dhe ka nisur në praktikë të realizohet në mënyrë më të organizuar me ndërtimin e qendrës rekreative bashkë me teleferikun nga qyteti. Fatkeqësisht kjo vazhdimësi nuk është ruajtur dhe sot kemi shumë ide dhe pak realizim”.

    “E organizuam këtë debat, për të treguar përkushtimin e Komunës së Tetovës për zhvillimin e Kodrës së Diellit, e cila do të ngjajë një qendër turistike moderne botërore. Ne do të vazhdojmë të shtyjmë fuqishëm idenë e modernizimit të qendrës, duke realizuar master planin që është bërë para 10 viteve, apo për realizimin e një plani të ri”, tha mes tjerash Kasami.

    Ai gjithashtu shtoi se debati duhet të zhvillohet në drejtim të urbanizimit të lagjes së shtëpizave dhe rreth vendosjes së turistëve në këto shtëpiza, por edhe në qendrat hotelerike.

    “Kjo ndërlidhet edhe me zhvillimin e teleferikut nga qyteti. Duke pasur parasysh faktin se ne ballafaqohemi me momente kritike sidomos gjatë fundjavëve, me mungesën e parkingjeve, mendojmë se infrastruktura duhet të zhvillohet edhe në hyrje të qytetit të Tetovës dhe brenda vet qendrës turistike”, theksoi Kasami.

    Përfaqësuesi i iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulemani”, tha Komuna e Tetovës së bashku me institucionet tjera duhet të marrin përgjegjësi dhe veprime në drejtim të zhvillimit të Kodrës së Diellit, sidomos në vënie në funksion të teleferikut.

    “Komuna e Tetovës së bashku me institucionin që menaxhon tani me teleferikun, duhet të bëjnë studim fizibiliteti. Kemi informacione se janë bërë disa oferta për investime në Kodrën e Diellit, të cilat janë nga 16 deri 20 milionë euro. Gjithashtu kam informacion nga kryetari i komunës, se ka bërë kërkesë në tre kompani të njohura botërore, dhe me siguri se në një kohë të shkurt do të japin përgjigje për teleferikun”, tha Hamdi Sulejmani.

    Ndërsa Burim Islami nga “Kodra free riders”, tha se organizimi i debatit publik është i mirëpritur, por që nuk duhet të ngelet vetëm në diskutim.

    “Përshëndesim mbajtjen e këtij debati, por shpresojmë që të mos përfundojë si ata të mëhershmit. Shpresojmë që kjo mbledhje e fundit të konkretizohet. Theks të veçantë për ne ka teleferiku Tetovë – Kodër e Diellit. Lusim të gjithë ata që janë kompetentë të marrin përgjegjësi dhe të mos ketë bllokim të punëve, siç kemi pasur deri tani. Presim që të rregullohen parkingjet, infrastruktura e shtëpizave dhe terrenet e ndryshme. Por, theksojmë se çështja primare është ajo e teleferikut”, tha Burim Islami.

    Në këtë debat që u organizua nga Komuna e Tetovës, të ftuar kanë qenë edhe ministri i Ekologjisë dhe ai i Ekonomisë, së bashku me drejtorin e “ELEM Tours”, por nuk morën pjesë.

    Theksojmë që në të kaluarën Qeveria ka bërë disa studime të fizibilitetit për këtë qendër turistike, por që deri tani asgjë nuk është vepruar në terren. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sonte në Shkup jepet premiera e shfaqes “Nyjat” – drama që trajton “nyjat” e kohës që po jetojmë

    Lajmi i rradhës

    Zjarri në Tetovë djeg pesë shtëpi – mungesa e ujit ka pamundësuar ndihmën e banorëve të lagjes “Kolltuk” (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë