Në vitin 2021 Klinika e pediatrisë në Çair duhej të ishte gati. Ky premtim parazgjedhor i kreut të Çairit Visar Ganiu nuk u bë realitet. Procedurat për ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor ende nuk kanë përfunduar. Ky premtim parazgjedhor i “Kontratës” së Ganiut fillimisht duhej të ndërtohej në lokacionin që funksionon si qendër e emigrantëve. Për shkak të procedurave të pazgjidhura administrative spitali tani parashihet të ndërtohet sipër Poliklinikës aktuale të Çairit. Gjegjësisht të bëhet mbindërtim. Projekti gjatë fushatës zgjedhore ishte prezantuar në mënyrë pompoze në formën tredimensionale, por pa bërë studime paraprake nëse i përmbush ose jo standardet e nevojshme.
“ Kur e kemi premtuar këtë Poliklinike kemi qenë bashkërisht me kryeministrin e Maqedonisë. Mirëpo gjatë ecurisë së përgatitjes së dokumenteve kemi hasur vështirësi. Parcela ku është premtuar për herë të parë nuk i përmbush standardet sepse qasja për të arritur deri atje ishte shumë e vështirë. 3:15 Tani jemi duke pritur projektin final i cili përmban të gjitha detajet”.- deklaroi Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
Kreu i Çairit thotë se për momentin presin mendim nga Instituti Sizmologjik nëse mund të bëhet mbindërtim ndërkaq premton se brenda një viti ai do jetë gati. ALSAT iu drejtua Institutit të Sizmologjisë dhe Tërmeteve për të pyetur se në cilat raste lejohet mbindërtimi.
Instituti sizmologjik
“ Deri tash nuk kemi marrë kërkesë për mendim për mbindërtim në Poliklinikën e Çairit. Mbindërtimet e objekteve ekzistuese të vjetra janë nga çështjet më të komplikuara në ndërtimtari. Për fat të keq, në shtetin tonë ende nuk trajtohen me kujdesin e duhur profesional. Ata ndërtesa janë më të prekurat në kohën e tërmeteve. Derisa bëhet fjalë për mbindërtim shumë të vogël i cila në krahasim me objektin ekzistues merr 10% të kapacitetit, atëherë e nevojshme është që analizat të fokusohen në mbindërtimin, duke mbajtur llogari nëse objekti i vjetër është në gjendje të mirë”.
Mbetet të shihet nëse dhe ky premtim i ri do të jetë pjesë e fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale sikur ky që dështoi e që ishte pjesë e programit të titulluar “Kontrata”. /Alsat/