Rritja minimale apo tejet e vogël e rrymës në fillim të këtij viti, pritet të pasohet edhe në fund të këtij viti. Me fjalë tjera paralajmërohet se çmimi i energjisë elektrike do të mbetet në nivelet e ulëta edhe në vitin 2026. Përskaj çmimit të transmetimit që nuk pritet të ndryshojë, edhe çmim i rrymës nga prodhimi vendor nuk pritet të ketë luhatje të madhe, andaj edhe kostoja e rrymës për amvisëritë pritet të mbetet e njëjtë apo të rritet në masë shpërfillëse. Tre muaj më parë u njoftua se EVN Home do të blejë energji elektrike për tregun e rregulluar – domethënë, për familjet dhe konsumatorët e vegjël – me të njëjtin çmim si më parë, për periudhën korrik-dhjetor 2025. Sipas njoftimit nga furnizuesi universal, Elektro Ekonomia e Maqedonisë, do të sigurojë të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike me një çmim prej 62 euro për megavat/orë, që është identik me çmimin që zbatohej në periudhën e kaluar. Andaj edhe nuk kishte ndryshime në çmimin e faturuar për konsumatorët fundorë.
Llogaritja, përveç çmimit të energjisë nga Elektro Ekonomia përfshin edhe kostot për shërbimet e operatorit të transmetimit MEPSO, operatorit të tregut MEMO, si dhe operatorit të rrjetit të shpërndarjes – EVN Elektrodistribuimi.
Çmimi prej 62 eurosh për megavat/orë konsiderohet si referencë në procesin e përcaktimit të tarifave për përdoruesit fundorë, kryesisht për familjet dhe bizneset e vogla në tregun e rregulluar. Elektro Ekonomia , si furnizues me interes publik, me këtë çmim të ulët prodhimi, ka një rol kyç në ruajtjen e çmimeve të qëndrueshme dhe shoqërisht të pranueshme të energjisë elektrike.
Nga Komisionit Rregullator i Energjisë theksojnë se që prej gati dy vitesh, sipas dinamikës së re të kalendarit rregullator, kostot e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, komponentë që përfshihen edhe në çmimin përfundimtar për përdoruesit, llogariten në nëntor dhe dhjetor. Kjo jep një pamje më të qartë të strukturës së përgjithshme të çmimeve, e cila nga ana tjetër është një kusht për përcaktimin e çmimit të furnizuesit universal.
Tani, disa muaj para vitit të ri, pritet të vendoset një çmim i ri për transmetimin dhe shpërndarjen deri në fund të muajit shtator. Pra, deri në këtë afat, Komisioni Rregullator do të pranon kërkesat e një çmimi të ri për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike nga ana e kompanive MEPSO, MEMO dhe Elektrodistribuiimi. Këto kosto llogariten faturat e energjisë elektrike për konsumatorët fundor apo qytetarët.
Tani varet nga rregullatori se sa do të pranojë këto harxhime.
“Sa i përket çmimeve të transmetimit dhe shpërndarjes, nuk pres ndryshime të mëdha. E vetmja gjë që varet është se sa do të jetë çmimi për blerjen e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, por nga ajo që shoh në kontratat me afat në bursat në rajon dhe Evropë, nuk pres ndryshime dramatike. Apo do të qëndrojmë brenda çmimeve ekzistuese të transmetimit dhe shpërndarjes”, thekson numri një i komisionit rregullator, Marko Bislimovski.
Nga ana tjetër, pesë vjet para fillimit të tranzicionit të gjelbër në Maqedoni dhe braktisjes së prodhimit të energjisë elektrike nga lëndët djegëse fosile, një proces që duhej të fillojë në vitin 2030, termocentrali i Manastirit po përgatitet të hapë një minierë të re qymyri pranë minierave ekzistuese. Njoftimet më optimiste janë se aktivitetet do të fillojnë në vitin 2026, dhe periudha përgatitore do të zgjasë tre vjet. Miniera do të ketë një jetëgjatësi operative prej vetëm 4 vjetësh, por nga termocentralet shtetërore thonë se me qymyrin nga Zhivojno, Maqedonia pritet të bëhet plotësisht e pavarur nga ky burim energjie, gjë që nënkupton edhe një ulje të çmimit të prodhimit të energjisë elektrike.
“Prodhimi do të mbulohet plotësisht nga burimet tona, do të braktiset blerja e qymyrit të importuar, i cili është relativisht i shtrenjtë dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e energjisë elektrike, duke kaluar kështu në aspektet sociale dhe ekonomike”, tha Toni Angellevski, drejtor i zhvillimit dhe planifikimit në TEC Manastir.
Maqedonia nuk ka energjinë elektrike bazë të nevojshme për periudhat kur nuk ka diell, por ka një kërkesë të lartë. Meqenëse ndërtimi i termocentraleve të planifikuara të kogjenerimit me gaz dhe hidrocentraleve Çebren dhe Galishte është vonuar (ato as nuk kanë filluar), deri në vënien në punë të tyre, termocentralet ekzistuese në Manastir dhe minierat përkatëse të qymyrit, duhet të ruhen.
Ndryshe, çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjet u rrit me 0.92 për qind nga 1 janari 2025. /Koha/






