Statuti i ri i PS-së, Edi Rama dorëhiqet nga posti nëse humb zgjedhjet

    Në Kongresin e afërt të 9 prillit, socialistët do të miratojnë ndryshimet e reja në statut si dhe do të riorganizohen nga baza në qendrën e partisë.

    Një nga ndryshimet lidhet dhe me mandatin e kryetarit të partisë. Ai ka një mandat 4-vjeçar dhe draft-statuti parashikon disa raste kur mund t’i ndërpritet para kohe.

    Në bazë të nenit 36 të dokumentit themeltar të socialistëve, mandati i tij ndërpritet para kohe kur: Jep dorëheqjen; Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme; Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e një të tretës së anëtarëve të partisë;
    Në rastet e germës “b”, Kryetari i Partisë është i detyruar të japë dorëheqjen.

    Në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të Kryetarit.

    Në rastet e pikave “b”, “c”, ish-kryetari i Partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, thirret Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë brenda 30 ditëve. Kryetari i Partisë në kongresin elektoral para zgjedhjeve të përgjithshme përcaktohet si kandidati zyrtar i partisë për detyrën e Kryeministrit të vendit.

    Në rastin kur kryetari i partisë tërhiqet vullnetarisht nga kandidimi për Kryeministër ose nga funksioni i Kryeministrit, Asambleja Kombëtare miraton në këtë detyrë një përfaqësues tjetër që plotëson kriteret përkatëse.

    Kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, mandati i kryetarit konsiderohet i rinovuar automatikisht. Zgjedhjet për Kryetarin e Partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit në votimin që zhvillohet në Kongresin vjetor të partisë. Kur krijohet vakancë në funksionin e kryetarit të Partisë, kompetencat e tij ushtrohen nga Sekretari i Përgjithshëm, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

    Në çdo rast, zgjedhja e kryetarit të ri bëhet jo më vonë se dy muaj nga vakanca e krijuar. Sipas nenit 36 të statutit të ri të PS-së, kryetari i Partisë zgjidhet nga anëtarësia e partisë sipas parimit një anëtar, një votë. Zgjedhja e kryetarit të partisë, bëhet me votim individual, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.

    Asambleja Kombëtare i shpall zgjedhjet e reja jo më vonë se tre muaj para përfundimit të mandatit të Kryetarit në detyrë. Kandidatët për kryetar të Partisë duhet të kenë të paktën një mandat si anëtarë të Asamblesë Kombëtare ose të jenë mbi pesë vjet anëtarë të partisë.

    Prezantimi i kandidaturës për kryetar të partisë duhet të ketë mbështetjen e 10% të delegatëve të kongresit ose 5% të anëtarësisë së partisë. Asnjë prej kandidatëve nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 20% të delegatëve/anëtarëve.

    Mandati i kryetarit të partisë është katër vjet. Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e drejtoi gjatë viteve në opozitë dhe në fitoren e 23 qershorit 2013.

    Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Edi Rama udhëhoqi socialistët drejt një mandati të dytë qeverisës. Pas rezultatit të shënuar në zgjedhje, për herë të parë në 25 vjet, një forcë politike drejtoi e vetme vendin, pa pasur nevojën e formimit të një koalicioni qeverisës.

    Me fitoren në 25 prill, Edi Rama u shndërrua në liderin e parë në historinë e vendit që zgjidhet për të shërbyer për tri mandate radhazi.

    NENI 36

    Zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste

    Mandati i kryetarit të Partisë është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:

    a. Jep dorëheqjen;

    b. Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme;

    c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e një të tretës së anëtarëve të partisë;

    d. Në rastet e germës “b”, Kryetari i Partisë është i detyruar të japë dorëheqjen. Në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të Kryetarit.

    e. Në rastet e pikave “b”, “c”, ish-kryetari i partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri.

    f. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, thirret Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë brenda 30 ditëve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Lehtësohen masat anti Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Ibrahimovic do të pensionohet nga futbolli, por ka një kusht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë