Stereotipet gjinore vazhdojnë të thellojnë hendekun e pabarazisë

    Burra që paguhen më shumë për angazhime të njëjta dhe shkalla e lartë e grave pasive në tregun e punës janë tregues të një shoqërie që e ka të vështirë të verë shenjën e barazisë. Të dhënat statistikore edhe pse tregojnë një ndryshim pozitiv, prapëseprapë diferencat mes burrave dhe grave dhe perspektivës në tregun e punës janë prezente dhe një nga shkaqet që i demotivojnë gratë për të avancuar në karrierë. Shifrat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2021 kemi pasur 325.021 gra që janë joaktive në tregun e punës, ndërsa në të njëjtin tremujor në vitin 2020 numri i tyre ishte 320.088, që tregon një rritje të pasivitetit në mesin e popullatës femërore të moshës 15 deri në 64 vjeç.

    Nga ana tjetër, 166.658 burra ishin joaktivë në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa 173,497 burra ishin joaktivë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Statistika tregojnë se pjesa dërrmuese e popullsisë së papunë dhe joaktive të punës janë gra, të të gjitha moshave, më e lartë tek moshat e reja, veçanërisht në zonat më pak të zhvilluara ose rurale. Tipike është puna e papaguar, që do të thotë se gruaja është aktive në ekonomi, ekonomi të vogël, prona familjare, por nuk raportohet, si edhe një përqindje e madhe e grave punojnë në disa nga industritë e shërbimeve që janë në zonën gri dhe nuk figurojnë si të punësuara.

    “Nga sondazhi i fundit i kryer në vitin 2020, hendeku i pagave është 17.2 për qind. Kjo do të thotë që për të njëjtin pozicion pune gratë marrin për një përqindje të tillë një pagë më të ulët se burrat. Dallimi në sasinë e pagave ndodh në sektorin privat, ndërsa në institucionet shtetërore dhe publike nuk ka hendek në paga, gjë që në parim tregon se hendeku është më i madh nëse heqim pozicionet publike dhe shtetërore”, thotë Valentina Disoska, kryetare e Shoqatës së grave biznesmene. Një tjetër vëzhgim i Institutit për hulumtime dhe politika “Finance Think”, konstaton se pavarësisht faktit se punëdhënësi është i obliguar t’i sigurojë trajtim të barabartë punonjësve, praktika tregon të kundërtën. “Ata janë dëshmitarë të diskriminimit gjinor në të gjitha bazat, dhe më shpesh gratë diskriminohen në bazë të ndarjes së detyrave, avancimit në karrierë dhe pagesës”, vërehet në analizë.

    Edhe pse sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, punëdhënësi nuk lejohet të publikojë një shpallje pune duke përcaktuar gjininë, përveç nëse një gjini e caktuar është një kusht i domosdoshëm për kryerjen e detyrave të punës, lajmërimet rëndom specifikojnë gjininë. “Gjatë intervistës, punëdhënësit nuk u lejohet të pyesin kandidatët për statusin e tyre martesor dhe familjar, ose çështje personale që nuk ndikojnë në kryerjen e detyrave të punës. Megjithatë, ka shembuj të shumtë nga përvoja ku vihet re se gjinia tregohet në shpallje si kriter për punësim, edhe pse natyra e punës nuk favorizon një gjini të caktuar për të kryer aktivitetin. Për më tepër, përvoja, veçanërisht e grave, tregon se ato janë pyetur për statusin e tyre personal ose familjar, siç janë statusi civil, planifikimi i martesës, numri i fëmijëve, planifikimi i tyre.., në intervista pune, për dallim nga kandidatët meshkuj të cilët nuk kanë pasur një përvojë të tillë”, konstatohet në vëzhgimin e “Finance Think”./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    RMV, të infektuarit me Covid-19 dhe personat në izolim mund të paraqiten deri më 11 tetor për të votuar

    Lajmi i rradhës

    Partitë politike në RMV duhet të raportojnë në tri institucione për paratë që kanë pranuar dhe harxhuar në fushatën zgjedhore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë