Taravari do të drejtojë ASh-në në katër vitet e ardhshme: Do të mundohem të riorganizojë partinë

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari / Fotografia: Nistori

    Arben Taravari është zgjedhur kryetar i ri Aleancës për Shqiptarët. Ai me shumicë votash të delegatëve, do të drejtojë partinë si kryetar në katër vitet e ardhshme. Pas kongresit të tretë të jashtëzakonshëm, Taravari para medias foli për disa ndryshime statutare të partisë, si në rastet kur kryetari jep dorëheqje, u votua një kodeks etik i partisë, si dhe disa ndryshime të tjera që duhet të organizohen në rregulloren për kuvendin, kongresin, degëve, nëndegëve, raporton Nistori.

    “Me shumicë votash e mora përkrahjen prej delegatëve të kongresit të Aleancës për Shqiptarët. Uroj që në periudhën e ardhshme do të kemi një periudhë ku do të jemi intensivisht në terren, ku do të mundohemi të profesionalizojmë partinë, të riorganizojmë dhe të bëjmë një fushatë të vazhdueshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo qoftë të mbahen ato.”, deklaroi Taravari.

    Taravari tha se në dy javët e ardhshme duhet të mbahet kuvendi qendror, në të cilën duhet të zgjidhet kryesia qendore e ASh-së dhe pas dy javësh konsolidim të të gjitha organeve partiake do të mund të bisedohet për hyrje në Qeveri.

    “Nuk ka ndonjë ofertë prej kryeministrit, përveç se kemi pas një takim me atë, por nuk ka pasur ofertë, sepse nuk kemi biseduar konkretisht. Më shumë kemi biseduar për paketën e antikorrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, se sa që kemi biseduar për hyrje në qeveri. Gjithashtu jemi zotuar se do t’i përkrahim ligjet që janë për kyçjen e Maqedonisë në BE. Deputetët tonë do të jenë në dispozicion në qoftë se kanë probleme për t’i shtyjë këto ligje.” – shtoi ndër të tjera Taravari.

    Ai tha se gati 50% të kryesisë do të jenë njerëz të rinj, do të vendoset kabineti i kryetarit. Në kryesi, planifikohet të shkohet me pesë nënkryetar, një sekretar gjeneral, një sekretar organizativ, ndërsa për numrin e anëtarëve të kryesisë do të hapet si debat në kuvendin qendror. Taravari beson se Ziadin Sela do të jetë kryetar i ardhshëm i kuvendit të ASh-së.

    “Sela, kryetar nderi i partisë”, kjo për Taravarin është e diçka e harxhuar, pasi Sela duhet të jetë aktiv dhe ta ndihmojë partinë.

    Debati për hyrjen në Qeveri – A taktizon ASh për afrimin e anëtarëve të partisë, të cilat u larguan nga partia pas disa humbjeve në zgjedhje?

    “Ne nuk kemi pas humbje, përveç në zgjedhjet e fundit lokale për Këshillin komunal. Përndryshe partia ka pas rritje të vazhdueshme në çdo zgjedhje. Nuk kam çfarë fsheh, nuk e bëjmë këtë për të afruar anëtarë të partisë, se çdo gënjeshtër është afatshkurtër. Në qoftë se gënjejmë, do të del ajo. Po ju them me sinqeritetin më të madh, për momentin nuk kemi ndonjë ofertë konkrete. Në qoftë se kemi, këtë duhet ta diskutojmë në organet partiake dhe nuk dua të sillem si njeri që vendos vetë. Prandaj kemi insistuar dhe vazhdoj të insistojë që sa më shpejtë të zgjedhim edhe kryesinë e partisë, me të vetmin qëllim që ta disperzojmë përgjegjësinë. Nëse sjellim një vendim të këtillë, do të kërkoj edhe organizim të një referendumi brenda partiak me ofertën që do ta marrim, në qoftë se e marrim” – u përgjigj Taravari.

    Sipas burimeve të Nistorit, në kongresin e tretë të jashtëzakonshëm të ASh-së ishin të pranishëm 512 delegatë, prej të cilëve 509 votuan PËR, 1 Kundër dhe 2 Abstenim.

    Ndryshe, Taravari vjen në krye të partisë pas dorëheqjes së 21 gushtit të Ziadin Selës, si shkak i rezultatit të dobët zgjedhor në zgjedhjet lokale për Këshillin komunal të Tetovës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rasti “Zhan Mitrev”, javën tjetër publikohet raporti

    Lajmi i rradhës

    Taravari do të kërkojë referendum në ASh për hyrjen në Qeveri (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë