Të mos keqpërdoren fëmijët për fushatë

    Arkiv*

    Prezencën e fëmijëve në fushata zgjedhore apo në fotot e politikanëve mund ta vëresh lirshëm. Kjo dukuri përsëritet vazhdimisht në çdo cikël zgjedhor ose edhe para tyre. Në rrjete sociale në raste të ndryshme shohim rregullisht foto dhe video të politikanëve me fëmijë, ndaj lind pyetja, cila nga këto është abuzimi i fëmijëve për qëllime politike? Kjo është një praktikë e rregullt për shumicën e politikanëve, kështu që në rrjetet sociale mund të shihni fotografi të politikanëve ku shpeshherë fotografohen me fëmijë.

    Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se pavarësisht paralajmërimeve se keqpërdorimi i fëmijëve i shkel të drejtat e fëmijëve dhe ligjin, përsëri partitë politike dhe kryesisht ata kryesore vazhdojnë të përdorin dhe abuzojnë me fëmijët në reklama, fushata zgjedhore, tubime dhe në propagandën e tyre. Ekspertët thonë se është e rëndësishme të bëhet dallimi, pasi pavarësisht indikacioneve, politikanët duket se ende nuk e kuptojnë. Derisa keqpërdorimi i fëmijëve për interesa politike dhe fetare është e dënueshme në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 12, paragrafi 4, ku thotë.

    “Fëmijët nuk janë objekt për dekorimin e figurave dhe partive politike”.

    Fëmijët keqpërdoren nga partitë politike dhe zakonisht përdoren për shpërndarjen e fletushkave, ngjitjen e banderolave, valëvitjen e flamurëve dhe rregullimin e ambientit për mbajtjen e mitingut. Ndryshe, në çdo cikël zgjedhor aktivistë të të drejtave të njeriut evidentojnë raste të shkeljes së Kodit Zgjedhor me keqpërdorimin e fëmijëve gjatë fushatave parazgjedhore.

    Nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”, për gazetën Koha, ka deklaruar se ata kanë vërejtur disa herë ndër vite nevojën për të trajtuar dhe menduar seriozisht se çfarë është apo mund të jetë abuzim politik ndaj fëmijëve. “Në funksionimin 30-vjeçar të ‘AloBushavko’ – telefoni për fëmijë dhe të rinj, shpesh jemi gjendur në situata ku kemi hasur foto, video, postime në rrjetet sociale me abuzimin e fëmijëve në aktivitete politike”, thonë nga atje.

    Sipas tyre, ky abuzim është prezent prej vitesh në vazhdimësi nga disa politikanë dhe grupe politike në nivel lokal apo kombëtar dhe nuk ka pothuajse asnjë raport vjetor që të mos përmend shkeljen e të drejtës së fëmijës për abuzim politik.

    “Por pavarësisht reagimeve të mediave apo organizatave të tjera, institucioneve, individëve etj. partitë politike dhe figurat politike nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht se çfarë është në interesin më të mirë të fëmijës. Shumë shpesh ata vazhdojnë t’i përdorin fëmijët në mënyra të ndryshme për të fituar pikë politike. Çdo rast kur një politikan takon një fëmijë dhe fotografohet publikisht, mund të konsiderohet një fushatë, përfshin përgjegjësinë e duhur dhe kërkon një përgjigje të qartë se çfarë ose kujt kontribuon ajo fotografi. Edhe në rastet kur përfshihet mbrojtja apo ndihma e drejtpërdrejtë e fëmijëve, fokusi duhet të jetë gjithmonë në atë që duhet bërë për fëmijët, si dhe në arsyet pse ata fëmijë janë në një situatë të vështirë, dhe jo tek vetë politikanët apo institucione që ndihmojnë, që në fakt është detyrë e tyre”, shprehen për Koha, nga “Megjashi”

    Nga atje kanë shtuar se numri më i madh i raportimeve për abuzime politike ndaj fëmijëve, të cilat arrijnë në “AloBushavko” 070 390 632 – telefoni për fëmijë dhe të rinj, janë në periudhën parazgjedhore/zgjedhore. Në shumicën e rasteve, siç bëjnë të ditur nga “Megjashi”, bëhet fjalë për përpjekje për të bërë promovimin e vet politik ose promovimin e partisë së vet politike përmes fotografive me fëmijë.

    “Prandaj, politikanët nuk duhet të fotografohen me ta ose t’u bëjnë dhurata para kamerave, por duhet të punojnë seriozisht për problemet që prekin fëmijët, t’i inkurajojnë ata të shprehin mendimet e tyre dhe të ngrenë pyetje që prekin këtë grup vulnerabël. Si organizatë që mbron të drejtat e fëmijëve, ne monitoruam me kujdes dhe apeluam për mbrojtjen e tyre nga abuzimi politik, publikisht në rrjetet sociale dhe me peticione drejtuar Avokatit të Popullit”, bëjnë të ditur nga “Megjashi”.

    Në fund nga atje kanë shtuar se përsëri si në vitet e kaluara, edhe këtë vit nënvizojnë shqetësimin se abuzimi i fëmijëve ka vite që ndodh në mënyrë të vazhdueshme për shkak të veprimit politik – akt që ndalohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës. dhe Deklarata për Mbrojtjen e Fëmijës nga manipulimi dhe abuzimi politik.

    “Në vitin 1991, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Deklaratën për mbrojtjen e fëmijëve nga manipulimi dhe keqpërdorimi politik. Në të thuhet se çdo lloj shtrëngimi politik dhe organizimi i fëmijëve si instrument për presion politik dhe abuzim dhe ekspozim ndaj sigurisë fizike dhe shëndetit të tyre është i ndaluar, prandaj u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve relevantë në vend që të mbrojnë fëmijët dhe së pari të gjitha, për të vënë interesin dhe mirëqenien e fëmijës”, shtojnë në fund nga Megjashi.

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: qeverinë e re të Serbisë e presin detyra të vështira

    Lajmi i rradhës

    MBI 150 MIJË TË PAPUNËSUAR NË RMV! | Sfidat e të rinjve pas diplomimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë