Të rinjtë në RMV, dëshirë për të studiuar jashtë vendit

    Dëshira e të rinjve në Republikën e Maqedonisë për të studiuar jashtë po rritet çdo vit e më shumë. Përkundër vendeve tjera që studimet jashtë vendit i bëjnë për të njohur një kulturë, gjuhë apo miq të ri në vendin tonë të rinjtë po ikin për shkak të faktorit ekonomik, dhe vendin se ku ata do të vendosin të punojnë dhe ndërtimit të karrierës profesionale. Nga ana tjetër, ekspertët në lidhje me këtë fenomen theksojnë se nevojitet një politikë arsimore, si dhe një strategji demografike sikur se e ajo e Republikës së Sllovenisë, ku përpos që mban të rinjtë në vendin e saj, tërheq edhe shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut.

    Profesori universitar Strashko Stojanovski thotë se nga dy anketa është treguar se interesimi i nxënësve të shkollave të mesme për të studiuar jashtë është pothuajse dyfishuar, gjegjësisht nga 13 për qind para pesë viteve, tani përqindja është rritur në 21 për qind. “Dhe ne tashmë mund të perceptojmë disa të dhëna dhe tendenca të caktuara, megjithëse do të thosha shumë herët, sepse kemi vetëm dy anketa të tilla. Ekziston edhe një hulumtim tjetër që lidhet me migrimet që kemi prezantuar vitin e kaluar. Këto janë qëndrimet e përgjithshme të të rinjve lidhur me çështjet e migracionit dhe ky hulumtim ka të bëjë kryesisht me motivimin arsimor të të rinjve për të migruar dhe ka të bëjë me maturantët, pra nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të shkollave të mesme. Nga katër rajone planifikuese, shumica e shkollave ishin të mbuluara. Pra, në këto rajone janë rreth 22 shkolla të mesme nga 13-14 qytete, duke filluar nga rajoni planor verilindor, lindor, juglindor”, theksoi profesor Stojanovski nga Fakultetit Juridik i Universitetit “Goce Dellçev”.

    Profesori shton se motivimi lidhet kryesisht me perspektivat dhe disa kritere ekonomike dhe këtë e ka treguar edhe hulumtimi, sipas të cilit të rinjtë kanë treguar se faktori ekonomik është faktor kyç për migrimin dhe ndërtimin e karrierës profesionale jashtë vendit. Stojanovski merr shembull shtetin e Sllovenisë ku thekson se Sllovenia nuk ka një politikë të zakonshme arsimore, por një strategji klasike demografike, dhe aspekti arsimor është vetëm një element në atë strategji demografike të Sllovenisë për të tërhequr popullatë nga vendet e tjera.

    Lidhur me këtë, për KOHA ka folur një i ri nga Maqedonia që studion dhe vepron në Slloveni. “Arsyeja kryesore për të shkuar në Slloveni për studimet e mia është sepse do të marr më shumë njohuri dhe një diplomë shumë më të denjë se ajo në Maqedoni. Për më tepër, unë gjithmonë kam dashur të shkoj atje, veçanërisht pranë detit siç jam aktualisht. Ka shumë më tepër përfitime sesa studimi në Maqedoni për faktin se universitetet tona janë shumë të dobëta, jo aq të pranuara në BE dhe profesorët (jo të gjithë) janë shumë joprofesionistë. Nuk kam në plan të kthehem në Maqedoni, megjithëse është e bukur, por ka një standard jetese më të keqe, mentalitet i ulët, shumë ndotje dhe korrupsion”, tha Igor Arsov.

    Se strategjia sllovene është e suksesshme, tregon edhe shembulli i Emilia Stojmenova, ministre sllovene e dixhitalizimit, me origjinë nga Maqedonia, ku në vitin 2002, ajo mori një bursë për programin e maturës ndërkombëtare në “Druga Gymnasium”- Maribor, dhe studimet e saj pasuniversitare u financuan plotësisht nga Byroja për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore të Republikës së Sllovenisë. Emilia Stojmenova thotë se Maqedonia ka shumë ngjashmëri me Slloveninë, sidomos kur flasim për ushqimin, natyrën dhe njerëzit e mirë. “Fatkeqësisht kam përshtypjen se përzgjedhja negative e personelit prej vitesh ndikon që kushtet të jenë ndryshe nga këtu, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimet publike. Shpresoj që gjeneratat e reja të politikanëve të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për ata apo partitë nga vijnë, por për të gjithë shtetin dhe kombin. Shpresoj që stafi më i mirë të mos jetë indiferent, të angazhohet dhe të bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë të gjithë shoqërisë”, thotë Stojmenova. /KOHAMK/

    Lajmi Paraprak

    EVN-së nuk i bëhet vonë për kërkesën e banorëve të fshatit Xhepçisht

    Lajmi i rradhës

    Ekonomia e Maqedonisë këtë vit do të ketë rritje të dobët ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë