Ekonomia e Maqedonisë këtë vit do të ketë rritje të dobët ekonomike

    Fotografia: Nistori

    Ekonomia e Maqedonisë sivjet do të ketë rritje të dobët ekonomike parashikojnë autoritetet e jashtme financiare. Pas Fondit Ndërkombëtar që sivjet parashikon rritje të ekonomisë vendore prej 1.4 për qind , parashikime të ngjashme po japin edhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut me 1.6 për qind, Serbia me 1.3 për qind, dhe Bosnje e Hercegovina me 1.5 për qind sivjet do të kenë rritjen ekonomike më të ulët ekonomike në rajon. Tre shtetet e tjera do të kenë dyfishin e rritjes ekonomike të këtyre shteteve tregojnë parashikimet e Institutit Vjenez për studime ndërkombëtare ekonomike. Sipas parashikimeve Mali Zi do ketë rritje ekonomike prej 3.5, Kosova prej 3.4 dhe Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike prej 3.3 për qind.

    Analiza e institutit austriak më tej thekson se ekonomitë në rajon vazhdojnë të jenë të ngarkuara rëndë nga inflacioni i lartë, politikat shtrënguese monetare dhe një mjedis i dobët ndërkombëtar. Nga atje shtojnë edhe faktin e inflacionit dyshifror në shumë vende të rajonit, për dallim dhe ndryshe nga eurozona.

    “Inflacioni ka kaluar kulmin në të gjitha vendet e vëzhguara. Megjithatë, ka të ngjarë të qëndrojë në nivele të larta për disa kohë në vijim. Mesatarisht, do të jetë rreth 16 për qind në rajon në vitin 2023, pothuajse tre herë më i lartë se në zonën e euros (5.7 për qind ). Drejtuesit kryesorë të inflacionit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore janë çmimet e larta të ushqimeve dhe rritja e fitimeve të korporatave. Pra, nuk ka asnjë shenjë të një spiraleje klasike të çmimeve dhe të pagave, prandaj bankat qendrore do të kenë vështirësi në marrjen nën kontroll të inflacionit nëpërmjet rritjes së normave të interesit”, shpjegon Vasili Astrov nga ky institut.

    Instituti i Vjenës në analizën e ekonomive të 23 vendeve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore në raportin “Parashikimet e verës: Rritja në Evropën Lindore e dobët”, thekson se në nivelin e Ballkanit Perëndimor, rritja e PBB-së do të jetë mesatarisht 1.9 për qind në 2023, 2.8 për qind në 2024 dhe pak më shumë se 3 për qind në 2025. Nga ana tjetër, Banka Botërore parashikon se ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të ketë rritje prej 2.4 për qind këtë vit. Në raportin e fundit, Banka Botërore parashikon që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të përfundojë këtë vit me një rritje ekonomike prej 2.6 për qind. Raporti vuri në dukje se faktorët kryesorë që ndikojnë në perspektivën ekonomike janë ndikimi i luftës në Ukrainë, konsumi më i ulët personal apo harxhimi më i vogël i popullatës në kushte krize, shtrëngimi i kushteve financiare globale apo edhe shtrenjtimi i kredive në tregjet e huaja dhe si dhe kërkesa më e dobët në eurozonë që mund të dobësojë edhe eksportin e rajonit në Evropë.

    Për dallim prej institucionit financiar ndërkombëtar, Banka Qendrore e Maqedonisë ka pritshmëri më pesimiste se si do të mbyllet viti në aspektin ekonomik. Rritja e ekonomisë vendore sipas Bankës Popullore pritet të jetë në nivelin prej 2.1 për qind në vitin 2023. Por parashikimet më optimiste nga Banka Popullore kanë për periudhën në vijim, me 3.6 për qind në vitin 2024.

    Ndryshe, ndër gjetjet e Raportit të fundit të progresit për vendin për ekonominë e vendit theksohen edhe më shumë mangësi që nuk ndihmojnë në zhvillimin më të madh ekonomik të vendit. Përkundër përparimit të mëtejshëm në drejtim të përmirësimit të arsimit profesional, edhe më tej ekzistojnë mungesa të mëdha të aftësive që do të përmbushin nevojat e tregut të punës. Kjo dukuri po sjell një tranzicion të gjatë nga shkolla në punë, apo nga diplomimi deri në punësim.

    Digjitalizimi i ekonomisë po përparon, por konkurrueshmëria e bizneseve vendore mund të përmirësohet përmes një oferte më të gjerë të shërbimeve publike elektronike. Vendi ka arritur një nivel përgatitjeje apo është mesatarisht i përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Është bërë njëfarë progresi pasi vendi vazhdoi të konsolidojë performancën e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e disa rasteve të korrupsionit, duke përfshirë në një nivel të lartë. Rastet e ngritura nga ish-Prokuroria Speciale vazhduan të ecin përpara, duke vendosur përgjegjësi për përgjimet e paligjshme. Gjithashtu, Maqedonia e Veriut mbetet e përgatitur mesatarisht për sa i përket reformës së administratës publike, tregon raporti i Brukselit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në RMV, dëshirë për të studiuar jashtë vendit

    Lajmi i rradhës

    Dhentë kullosin para institucioneve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë