Të rinjtë në RMV më së shumti i tremben vetmisë, refuzimit dhe izolimit nga miqtë

    Shëndeti mendor digjital, intervenimi i hershëm për çrregullimet mendore dhe parandalimi i dhunës dhe abuzimit me substancat – janë pjesë e qëllimeve të Strategjisë së re nacionale për shëndetin mendor për të rinjtë  të miratuar nga shteti dhe të përgatitur nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë (KRNM) me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS). Strategjia është miratuar për një periudhë trevjeçare (2024-2026) dhe përmban një Plan veprimi me një sërë masash, aktivitetesh, institucionet përgjegjëse dhe afatet konkrete, raporton Meta.

    Të rinjtë nuk kalojnë kohë të mjaftueshme me prindërit e tyre, një e treta e tyre nuk kanë me kë të bisedojnë për problemet e tyre.

    Katërmbëdhjetë përqind e të rinjve kanë deklaruar se po përballen me një problem shëndetësor ose paaftësi, si çrregullimet zhvillimore, probleme me shëndetin mendor, ankth dhe depresion. Nëna është figura dominuese, së cilës 50 përqind e të rinjve i drejtohen shumë shpesh për mbështetje, për dallim nga babai që është në vendin e dytë, ndërsa pas tij vijnë miqtë. Këtë e tregon hulumtimi i realizuar nga KRNM për nevojat e strategjisë së re për shëndetin mendor.

    Institucionet shtetërore rrallë perceptohen si një vend ku të rinjtë drejtohen për ndihmë.

    Rreth 64 përqind e të rinjve gjatë muajit të kaluar kanë pasur mosmarrëveshje me prindërit e tyre, kryesisht për shkak të shkollës, mediave sociale, financave dhe marrëdhënieve familjare.

    Dyzet përqind e fëmijëve kanë theksuar se forma më e shpeshtë e përballjes me prindërit është biseda, por edhe se metodat disiplinore si marrja e gjësendeve, injorimi, nënçmimi, madje edhe shuplakat ende përdoren.

    Sipas hulumtimit është alarmante se vetëm 4,8 përqind e të rinjve kanë kaluar aq kohë cilësore me prindërit sa kanë dashur, ndërsa 30 përqind e tyre nuk kanë kaluar aspak kohë cilësore me prindërit gjatë muajit të kaluar.

    Frika më e madhe me të cilën përballen të rinjtë është vetmia (40%), refuzimi (33%) dhe izolimi nga miqtë (27%).

    15 përqind e të rinjve kanë dëshiruar të largohen nga vendi ku jetojnë tani për disa arsye – mungesa e mbështetjes nga prindërit, ekspozimi ndaj dhunës emocionale, punës së detyruar dhe të tjera.

    Nga ana pozitive, shumica e të rinjve (68 përqind) ndihen të dashur dhe të shëndetshëm, ndonëse ka pasur edhe nga ata që ndjehen të trishtuar, të stresuar dhe me humor të keq. Në përgjithësi, të rinjtë ndihen të sigurt dhe më të sigurt ndjehen në shtëpi, ndërsa më pak të sigurt në internet.

    Alarmante janë të dhënat se vetëm gjysma e të rinjve kanë folur me dikë për ndjenjat e tyre kur  janë ndjerë të trishtuar dhe të shqetësuar, ndërsa 36 përqind nuk kanë pasur se me kë të bisedojnë.

    Gjatë ekspozimit ndaj dhunës digjitale, 22 përqind e të rinjve kanë thënë se bisedojnë me prindërit, 15 përqind me shokët pse shoqet, 11 përqind me ndonjë person të rritur në shkollë (mësues, pedagog, psikolog), ndërsa 4 përqind nuk kanë bërë asgjë.

    Nuk është për t’u habitur që çdo ngjarje që ndikon në nivele të ndryshme të mjedisit jetësor të të rinjve, siç është familja apo shkolla, mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë në mirëqenien psikologjike të fëmijës, si dhe ta çrregullojë ose ta forcojë qëndrueshmërinë e tij. Të dhënat e fituara në këtë mënyrë tregojnë se shumica e të rinjve në një mënyrë apo në një tjetër janë prekur nga pandemia, qoftë nëpërmjet përvojave të tyre ose nëpërmjet përvojave të njerëzve të afërt, thuhet në Strategjinë nacionale për shëndetin mendor për të rinjtë.

    Një në dhjetë të rinj ka pasur shqetësim të konsiderueshëm dhe/ose simptoma depresive, që e tejkalojnë nivelin e përvojave të pakëndshme emocionale që do të konsideroheshin të pritshme për moshën e tyre. Një në shtatë të rinj përballet me nivele të konsiderueshme të simptomave të stresit post-traumatik.

    Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë (KRNM) kërkon zbatimin konsekuent të Strategjisë

    Strategjia nacionale për shëndetit mendor të të rinjve 2024-2026 u prezantua në panairin “Mënyrat drejt shëndetit të mirë mendor” që u mbajt dje në organizim të Këshillit Rinor Nacional i Maqedonisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS).

    Statistikat për shëndetin mendor nga KRNM u vlerësuan si “vërtetë shqetësuese” dhe nga atje kërkuan zbatimin konsekuent të strategjisë.

    “Kombinimi i inovacioneve, trendeve botërore dhe nevojave reale të të rinjve në një Strategji kërkon proaktivitet dhe vullnet të institucioneve për të punuar në drejtim të mirëqenies së të rinjve. Nëpërmjet zbatimit konsekuent të saj ne dëshirojmë që kujdesin ndaj shëndetit mendor ta bëjmë të disponueshëm për çdo të ri në vendin tonë”, tha Filip Ivkovski, kryetar i KRNM.

    Ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska, theksoi se qëllimi i ministrisë është që të flitet hapur për shëndetin mendor për të rritur vetëdijesimin dhe për ta tejkaluar stigmën, ndërsa të rinjtë të marrin mbështetje nga profesionistët për t’i tejkaluar të gjitha problemet dhe sfidat e tyre.

    “Sot njoftojmë edhe për aktivitetin e parë në kuadër të Strategjisë, e kjo është ndërtimi i qendrës këshillimore për fëmijët dhe të rinjtë, që do të fokusohet pikërisht tek shëndeti mendor i të rinjve“, deklaroi dje ministrja Trençevska.

    Strategjia nacionale për shëndetit mendor paraqet një vizion për promovimin dhe afirmimin e mirëqenies mendore, parandalimin dhe minimizimin e sëmundjeve mendore dhe sigurimin e qasjes në kujdes për shëndetin mendor me një cilësi të lartë.

    Ndërkaq, ndër synimet më të rëndësishme është rritja e vetëdijesimit për problemet me shëndetin mendor tek të rinjtë, promovimi i ndërhyrjes së hershme dhe parandalimi i problemeve, sigurimi i shërbimeve cilësore dhe sensitive kulturore për shëndetin mendor që do të jenë në dispozicion për të gjithë të rinjtë, pavarësisht nga statusi i tyre socio – ekonomik apo vendndodhja gjeografike, por edhe bashkëpunimi ndërmjet sektorit të shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale.

    Ndër qëllimet specifike në Strategji është theksuar edhe “Shëndeti mendor digjital”, me ç’rast është paraparë zhvillimi dhe promovimi i mjeteve digjitale për shëndetin mendor – aplikacione celulare dhe platforma online për krijimin e burimeve lehtësisht të aksesueshme, moduleve për vetëndihmë dhe rrjeteve virtuale për mbështetjen e të rinjve.

    Gjithashtu parashikohet edhe trajnimi i punonjësve shëndetësorë me qëllim që ata të mund t’i përdorin në mënyrë efektive mjetet digjitale për shëndetin mendor dhe t’i integrojnë ato në modulet ekzistuese të ofrimit të shërbimeve.

    Parandalimi i dhunës dhe abuzimit me substancat janë gjithashtu ndër qëllimet specifike të strategjisë, me ç’rast janë paraparë programe për të rinjtë në shkolla dhe inkurajim të bashkëpunimit me palët e interesuara.

    Strategjia përmban edhe një sërë rekomandimesh për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe për organizatat rinore.

    Strategjinë Nacionale për shëndetit mendor të të rinjve 2024 – 2026 mund ta gjeni në këtë link.

    Lajmi Paraprak

    Organizata të qytetarëve dhe ekspertë paralajmëruan për rreziqet nga marrëveshja e re e KB-së për kriminalitetin kibernetik

    Lajmi i rradhës

    Nikollovski: Kryeshefi i policisë së Tetovës do t’i takojë opozitës shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë