Turqi: Opozita prin në zgjedhjet lokale në qytetet kryesore

    Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale opozita kryeson në Stamboll dhe Ankara. Nëse konfirmohet rezultati kjo do të jetë një humbje e konsiderueshme për partinë e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

    Sipas mediave lokale kandidati i opozitës dhe kryebashkiaku aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kryeson në zgjedhjet lokale në Turqi.

    Sipas radio-televizionit shtetëror TRT  NTV pas numërimit të 76% të votave në qytetin më të madh të vendit partia kryesore opozitare e vendit, Partia Popullore Republikane (CHP) ka fituar mbi 50% të tyre.

    Opozita optimiste pas rezultateve paraprake

    “Bazuar në të dhënat që kemi marrë, mund të them se besimi i qytetarëve tek ne është shpërblyer,” u tha Imamoglu gazetarëve në selinë e CHP-së në Stamboll.

    Murat Kurum, kandidati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, që drejton në nivel kombëtar, ka marrë më pak se 41%. të votave.

    Në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, kandidati i CHP kryeson me afro 59% kurse kandidati i partisë në pushtet kishte fituar 33% nga 53% e votave të numëruara.

    Kandidati i CHP-së, kryebashkiaku Mansur Yavas, shpalli fitoren, duke thënë se “zgjedhjet kanë përfunduar dhe ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë Ankarasë”.

    Sipas rezultateve paraprake të njoftuara nga radio-televizioni shtetëror TRT partia CHP kryeson gjithashtu në qytetin e tretë më të madh të Turqisë, Izmir, dhe duket se do të fitojë shumicën e votave edhe në 36 nga 81 provincat e vendit.

    Rreth 61 milionë vetë, ndër ta më shumë se një milion persona që votonin për herë të parë, kishin të drejtë vote për të gjitha bashkitë metropolitane, kryebashkiakët e qyteteve dhe të rretheve, si dhe administratat e lagjeve.

    Agjencia shtetërore Anadolu njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte rreth 76%. /DW/

    Lajmi Paraprak

    “Kurrë mos pengoni grindjen midis vëllezërve dhe motrave”

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: qeverinë e re të Serbisë e presin detyra të vështira

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë