Lidhur me reagimet e qytetarëve të cilët kanë aplikuar për vaksinim në fillim dhe pse u jepet përparësi grup-moshave të reja, koordinatori i pikës rajonale të vaksinimit kundër virusit Covid-19 në Tetovë, Ahmed Qazimi thotë se për shkak se është shterur lista për vaksinimin e qytetarëve të moshuar, vaksinimi ka vijuar me moshat e reja, edhe atë deri te aplikimet e reja, njofton Nistori.
“Deri tani janë ftuar të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 30 prill. Pavarësisht moshës, kemi filluar prej te më i moshuari që ka qenë 101 vjeçar e kështu me radhë deri te më i riu, 18 vjeçar. Të gjithë ata që kanë aplikuar pas 30 prillit, gjegjësisht 1 majit, do të pranojnë terminin për vaksinim prej 15 majit e tutje”, deklarohet Qazimi ndër të tjera.
I pyetur nga Nistori nëse ka selektim të moshave, nëse të rinjve u jepet përparësi, Qazimi e mohon një gjë të tillë dhe se të gjithë ata që janë paraqitur deri në fund të prillit, janë vaksinuar.
“Ata që kanë aplikuar pas 30 prillit, do të vaksinohen nesër, më 15 maj. Sigurisht, duke filluar prej te më i moshuari e deri te më i riu. Përparësi kanë qytetarët e moshës së shtyer, në momentin që e shohim se nuk ka nga aplikimet për vaksinim (periudhat e aplikimit) nga moshat më të vjetra, atëherë vazhdojmë me grup moshat e reja”, shprehet Qazimi. /Nistori/