Val: Duhet të rishikohet Kodi zgjedhor për financimin e fushatës zgjedhor, duhet terren i barabartë për të gjithë

    Vetingu është i komplikuar, të shihen format më të mira

    Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, i pyetur për procesin e paralajmëruar të vetingut në vend si metodë për të luftuar korrupsionin, thotë se ai është proces shumë kompleks. Sipas Val, duhet të bëhet një vlerësim i plotë se përse mekanizmat aktual kundër korrupsionit nuk funksionojnë. Kontrolli i integritetit, rritja e transparencës dhe llogaridhënia janë masa të qëndrueshme kundër korrupsionit, sipas Val.

    “Vetingu është një proces shumë kompleks dhe kur flasim për vetingun, mendoj se duhet të kuptojmë dhe këtu mendoj se diskursi publik rreth vetingut është paksa shumë i thjeshtësuar. Ndoshta perceptimi se nëse bën veting, është një lloj shtypjeje e butonit për t’ia nisur nga fillimi se ke zhdukur korrupsionin duke kryer vetingun. Unë kam parë veting në Bosnje dhe Hercegovinë, kam parë veting në Kosovë, në Shqipëri. Gjithçka ishte ndryshe në të gjitha këto vende të ndryshme, por unë kam rezervat e mia lidhur me efikasitetin e vetingut. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të kemi parasysh se parimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe autonomia e prokurorisë janë vlera të larta në demokraci dhe në ndarje pushtetesh. Pra, nëse vetingu bëhet, dhe unë nuk jam rreptësishtë kundër vetingut, por duhet bërë pas një vlerësimi të plotë se pse nuk funksionojnë mekanizmat aktualë që janë në vend. Dhe duhet të jetë një vlerësim me mirëbesim për këtë dhe më pas të shihet nëse verifikimi i plotë është përgjigja e duhur ose nëse do të ishte më mirë të forcoheshin ose zbatoheshin masat ekzistuese të integritetit, sepse është gjithashtu e qartë se vetëm vetingu nuk do të kryente punë. Ajo që është e nevojshme për të çrrënjosur korrupsionin në mënyrë të qëndrueshme janë masat e integritetit, kontrollet e integritetit në baza të rregullta, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies”, tha Kilian Val, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. 

    Gjykatësit dhe prokurorët kanë shumë pak besim në këshillat e tyre përkatës

    Val foli për raportin e fundit për Vlerësimin e Rreziqeve të Korrupsionit në gjyqësor, nga i cili doli se vetë gjykatësit dhe prokurorët nuk i besonin gjyqësorit. Sipas tij, fakti që më shumë se 50 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve i janë përgjigjur sondazhit tregon se nuk ka asnjë mohim se rreziqet e korrupsionit në këtë sferë janë reale. Val tha se e ka shpërndarë raportin me institucionet e shtetit dhe pret që të studiohen mënyrat më të mira për të adresuar problemin, për të cilin OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë.

    “Mendoj se kjo tregon se nuk ka asnjë mohim për këtë. Kur lexoni dokumentin, kur hyni në detaje, ai na jep njohuri se ku duhet të përgjigjemi, cilat fusha duhet të drejtojmë kundër kësaj dukurie negative. Ajo që në fakt ishte shumë shqetësuese në Vlerësimin e Rreziqeve të Korrupsionit është se edhe gjyqtarët edhe prokurorët kanë shumë pak besim në Këshillat – Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Më shumë se 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të anketuar nuk kanë besim në këto institucione të rëndësishme. Mendoj se kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Por, këtu ka edhe një element pozitiv, që është se njëjtë si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët besojnë se mekanizmat ekzistues të korrupsionit, si Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Rasteve (AKMIS) si dhe dixhitalizimi i gjyqësorit duket se po japin rezultate. Kjo po shihet si diçka pozitive”, tha Kilian Val, Ambasador i OSBE-së në Shkup.

    Val: Kam marrë garanci që rekomandimet e OSBE/ODIHR për Kodin zgjedhor do të zbatohen

    Val thotë se ka marrë garanci nga partitë politike, përfshirë VMRO-DPMNE-në, që rekomandimet e OSBE/ODIHR-së për legjislaturën zgjedhore do të pranohen. Val nuk komenton nëse modeli më i mirë zgjedhor për vendin është ai me një njësi dhe lista të hapura duke thënë se OSBE-ja nuk ka standard të vendosur për këtë.

    “Janë dy procese të ndryshme. Njëri është diskutimi i madh politik mbi numrin e njësive zgjedhore, ky është diskutim politik që duhet të bëhet midis partive politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Procesi tjetër është ai që unë e quaj, apo ne e quajmë, rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këto rekomandime janë rezultat i, siç ju theksuat, të Misioneve për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe janë më shumë të natyrës teknike dhe besojmë se shteti mund të lëvizë përpara me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa në të njëjtën kohë bëjnë diskutime, të cilat janë të rëndësishme, mbi njësitë zgjedhore, por njëra nuk e përjashton tjetrën. Dhe unë kam indikacione dhe garanci nga të gjithë liderët politikë në shtet, përfshirë nga opozita dhe z. Mickoski, se sapo këto rekomandime teknike të OSBE/ODIHR arrijnë në parlament, do të votohen. Pra, nuk kam asnjë indikacion në këtë periudhë se kjo nuk do të ndodhë. E di se diskutimet janë duke vazhduar, pra të shohim”, u shpreh Kilian Val, Ambasadori i OSBE-së në Shkup. 

    Val: Të rishikohet Kodi zgjedhor për financimin e fushatës zgjedhor, duhet terren i barabartë për të gjithë

    Ambasadori thotë se ndryshimi i Kodit zgjedhor në pjesën e financimit të fushatës zgjedhore është njëri nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së që pret të zbatohet. Sipas tij, nevojitet terren i barabartë gare për të gjitha partitë politike, dhe jo favorizim i partive më të mëdha.

    “Nga ajo që mësova kur mora pozitën këtu, është se në zgjedhjet e fundit pati kritika nga disa parti politike, se nuk kishte kushte të barabarta në fushën e lojës, dhe siç ju e theksuat tani, se fondet shtetërore për fushatat elektorale dhe më pas gjithashtu për reklamimin në media, si dhe kohën televizive u jepen gjerësisht partive të mëdha politike. Kjo padyshim nuk është gjë e mirë sepse në demokraci funksionale, në modelin zgjedhor do të dëshironit të keni fushë loje të barabartë për të gjithë, kurse kjo është saktësisht njëra nga rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR që shpresojmë do të miratohet tani”, deklaroi Kilian Val, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Harrojnë” të martohen, lindjet jashtë kurore në RMV nuk kanë ndryshuar

    Lajmi i rradhës

    Radika mbush me mbeturina liqenin e Dibrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë