VAZHDON OFENSIVA DIPLOMATIKE: Kush do ta bind opozitën?

    Pasi ndoshta deputeti i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk arriti të bindë opozitën për ndryshime kushtetuese, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut dhe ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, erdhi në Shkup menjëherë pas atij. Sipas njoftimeve, kjo vizitë është pjesë e përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për hapjen e rrugës evropiane të Maqedonisë dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese si kusht për përparimin drejt BE-së.

    Njohësit e proceseve politike në vend shprehen se pa dyshim është se diplomatët e huaj nuk do të tërhiqen për të bindur opozitën për ndryshimet kushtetuese. Sipas tyre,  duke marr parasysh të kaluarën, disa misione i kanë përfunduar me sukses, por kësaj here çështja është më e vështirë.

    “Jemi mësuar që diplomatët e huaj të marrin pjesë për të bindur ndonjë garniturë për të bërë ndonjë ndryshim. Deri më tani e gjithë kjo ka përfunduar me sukses të të ‘huajve’. Këtë herë puna po ec me vështirësi. Më shumë për shkak të paraqitjeve publike të VMRO-DPMNE-së dhe refuzimi i tyre total për hapjen e Kushtetutës. Megjithatë nga eksperiencat e deritanishme, jemi të vetëdijshëm se gjithçka që ka filluar, ka përfunduar me humbje për Maqedoninë. Ende mendoj se ekzistojnë pak a shumë mundësi që dikush të ia ndryshon mendjen opozitës dhe të fillon procedura për ndryshimin e Kushtetutës, edhe pse shpresoj që nuk do të vijë deri te ajo”, ka deklaruar për KOHA, Dimitar Hristov – politolog.

    Ndryshimet kushtetuese mund të jenë të dhimbshme, por janë të nevojshme dhe për këtë dua t’i inkurajoj kolegët e mi këtu në Parlament, në Qeveri, që të bëjnë maksimumin për ta kthyer vendin në rrugën evropiane, tha dje në Shkup kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Bundestagut dhe ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth.

    “Ne kemi nevojë për më shumë ambicie rreth negociatave të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut luan një rol shumë të rëndësishëm si një vend multietnik, multifetar dhe multikulturor. Dëshiroj të motivoj kolegët e mi këtu se ia vlen të angazhohemi më shumë në luftën kundër korrupsionit, gjyqësorin e pavarur, forcimin e shtetit ligjor dhe kulturës demokratike në vend. Reformat e nevojshme nuk janë vetëm përgjegjësi e qeverisë por edhe e deputetëve”, tha Roth para konferencës “Përparimi i procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”, që u mbajt në Parlament.

    Problemet, thotë Roth, nuk duhet të zgjidhen me pushtim të territoreve dhe spastrim etnik, por me bashkëpunim, miqësi dhe pajtim ndërmjet etnive të ndryshme.

    “Unë e vlerësoj që kaq shumë njerëz në vend besojnë se e ardhmja e vendit është në një Evropë të bashkuar. Por për fat të keq, lufta u kthye në Evropë me agresionin rus kundër Ukrainës. Ai nuk është vetëm një kërcënim për njerëzit në Evropën Lindore, por për të gjithë ne. Ne po dërgojmë një mesazh shumë të thjeshtë – po, ne jemi të okupuar me luftën, por kjo nuk do të thotë se harrojmë rolin e rëndësishëm që vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, luajnë për të ardhmen e Evropës”, tha Michael Roth.

    Mesazhet e deputetit gjerman për Ballkanin Perëndimor nuk e ndryshojnë për momentin qëndrimin e opozitës VMRO-DPMNE, pa mbështetjen e së cilës nuk mund të sigurohet shumica e nevojshme dy të tretash në Parlament për ndryshimin e Kushtetutës, që është kusht që Bullgaria të heqë veton për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin e djeshëm me Sarrazin, përsëriti qëndrimin se “kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për një hap të tillë dhe se ndryshimet kushtetuese nën diktimin bullgar nuk do të ndodhin”.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nga ana tjetër, lë hapësirë ​​për marrëveshje mes partive politike për ndryshimet kushtetuese, të cilat, sipas tij, i hapin rrugën BE-së.

    “Ajo që është para nesh është harmonizimi i qëndrimit të partive politike, sepse kemi një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm para nesh, e ai është vazhdimi i integrimeve evropiane të shtetit”, tha Kovaçevski dje në Gjevgjeli, duke iu përgjigjur pyetjes nëse është e mundur një marrëveshje me VMRO-në opozitare.

    Votimi në Parlament, sipas tij, do të thotë votë për sigurimin e të ardhmes evropiane të vendit dhe vazhdimin e procesit të integrimit evropian.

    “Më parë, nëse do të kishim veton nga jashtë, sot për herë të parë mund të vinte vetoja nga brenda shtetit. Megjithatë, le t’i lëmë hapësirë ​​procesit, që secili të shprehë pikëpamjet e tij dhe t’i modifikojë ato sipas interesave të veta dhe të qytetarëve, të cilët me një shumicë dërrmuese mbi 80 për qind duan të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së”, thotë Kovaçevski.

    Dhe në takimin që kryeministri pati me Manuel Sarrazin, u vlerësua se vendimi për të sjellë ndryshimet kushtetuese është një vendim për të qenë pjesë e BE-së. Maqedonia e Veriut po përballet me një moment historik, të papërsëritshëm që pashmangshmërisht do të çojë në zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe në krijimin e një shteti të begatë evropian që do të mundësojë cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët, përfunduan Kovaçevski dhe Sarrazin.

    Lajmi Paraprak

    Dislokimi pamundëson funksionimin e bibliotekës në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Rritet numri i turistëve të huaj në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë