VAZHDON TRYSNIA POLITIKE NDAJ LLALLËS | Kasami, a vepron ndaj meje si kryetar partie apo si kryetar i Komunës së Tetovës? (Video)

    Edhe sot ka vazhduar trysnia politiko-partiake ndaj drejtoreshës së gjimnazit të Tetovës, Teuta Llalla, për shkak të dorëheqjes që duhet ta bëjë sa më parë. Sot Inspektorati për Revizion të Brendshëm nga Komuna e Tetovës ka vizituar gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, vizitë, sipas Llallës, presion politik nga ana e kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami, shkruan Nistori.

    “Ardhjen e tyre unë e quaj, për situatat e krijuara me kryetarin e komunës, unë e quaj si presion politik për të arritur qëllimet dhe për të plotësuar apetitet dhe ambiciet e militantëve politikë. Unë e lus kryetarin e komunës ta ndajë pozicionin në atë institucion që është komunë e Tetovës, vepron si kryetar komune, i barabartë për të gjithë qytetarët apo vepron si kryetar i Lëvizjes Besa. Më duket se nga ngarkesa e madhe e dy posteve, nuk i ka të qarta pozicionet se si duhet të veproj. Është kryetar komune apo lider partie?”

    E pyetur nëse ky presion nga ana e komunës ka të bëjë edhe me bindjet e saj politike dhe hakmarrja politike bëhet çdoherë me ndërrimin e pushteteve lokale, ku secili kryetar komune vendos drejtorët e shkollave në bazë të përkatësisë partiake.

    “Unë jam drejtoreshë e zgjedhur me konkurs dhe nuk jam anëtrare e asnjë partie politike. Mirëpo, tendenca e kryetarit të Lëvizjes Besa, i cili ushtron detyrën e kryetarit të komunës është që të kënaqë apetitet e militantëve politik…Unë e lus kryetarin që të më le të qetë të veprojë me aktivitet e mia, sepse agjenda është shumë e ngarkuar, shkolla është shumë e madhe dhe ka shumë punë për të bërë”, deklaron Llalla për Nistori.

    Me ardhjen e çdo kryetari të komunës janë ndërruar edhe drejtorët e shkollave, gjegjësisht edhe në gjimnazin ku ajo ushtron momentalisht postin e drejtorit. Sipas saj, me pushtetin e ri lokal, çdo drejtor thirret në hapësirat e komunës për dorëheqje, për shkak të bindjeve partiake.

    “Teuta Llalla është drejtoresha e fundit që është thirrë në atë zyrë të formalitetit. E di i gjithë opinioni se, një numër i konsiderueshëm i drejtorëve janë thirrë për dorëheqje. Nuk jam e para. Ka edhe kolegë të tjerë të mi që janë thirrë dhe u është ushtruar presion, tani le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Ne e mbajmë presionin, prandaj na ushtrohet presion”, theksoi ndër të tjera Llalla.

    Nëse vjen deri te shkarkimi i saj, ajo do të shikojë edhe rrugën ligjore, sepse ajo ka vendim nga konkursi i fituar vit më parë. Drejtoresha tha se ka paraqitur ankesën deri tek Inspektoriati i arsimit dhe është çështje kohe se si do të veprojnë nga atje.

    Emri i profesoreshës Hatije Etemi lakohet në opinion se mund të zëvendësojë drejtoreshën Llalla, por ajo nuk ishte e qasshme për Nistorin për një konfirmim në opinion. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nedellkov demanton: Qeveria nuk propozoi asnjë përqindje për pagat në arsim

    Lajmi i rradhës

    Vdes Madeleine Albright, mikja e madhe e shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë