VDEKJET VIOLENTE NË RMV | Vetëvrasjet në rritje edhe te gratë

    Nëse numri i vetëvrasjeve ka disa vite që është thuajse konstant numri i grave që i kanë dhënë fund jetës është rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare janë shënuar gjithsej 73 raste prej të cilave 32 janë gra, që kanë zgjedhur t’i japin fund jetës me varje, mbytje, armë, por edhe duke u hedhur nga lartësia. Këto shifra janë të larta, po të krahasohen me vitet e tjera ku numri i grave të vetëvrara ka qenë më i ulët (20-23 raste), madje edhe vite më parë, si 2012 apo 2013 kur vetëvrasjet janë regjistruar në shifra më të larta. Një nga vetëvrasjet e para në fillim të vitit të kaluar ishte rasti i diplomates maqedonase që u gjet nga policia në banesën e saj në Nju Jork me një rrip rreth qafës dhe dy shishe bosh antidepresivë, e që u pasua me një histori tragjike në një fshat të Maqedonisë, kur një 22 vjeçare u vetëvra disa orë pas vetëvrasjes së ish të dashurit të saj.

    Ngjarjet tragjike në qershor të vitit të kaluar u shoqëruan gjatë të gjithë vitit me raste të tjera vetëvrasjesh, ku viktimat kryesisht i kanë dhënë fund jetës me varje në litar, armë zjarri, apo edhe me helm, e duke u hedhur nga lartësia. Ndërkohë që sa i takon tentativave për vetëvrasje vitin e kaluar kanë qenë më të shumta në numër, si rasti i një vajze të re që tentoi vetëvrasjen nga banesa e saj në Karposh, apo një tjetër tentativë në një prej banesave tek “Mavrovasja”.

    Edhe pse sipas statistikave zyrtare numri i rasteve tragjike vitet e fundit nuk ka shënuar rritje mënyra e vdekjes dhe shkaqet mbetën të njëjta. Çrregullimet nervore, probleme në familje dhe në raste shumë të rralla si shkaktar i vetëvrasjeve janë edhe sëmundjet e rënda. Numri i vdekjeve violente vitin e kaluar në përgjithësi ka pësuar një rritje drastike rreth 55 për qind më shumë sesa në 2020 (677), duke përbërë 2.4 për qind të mortalitetit.

    Sipas strukturës gjinore peshën më të madhe e mbajnë meshkujt me 62 për qind të rasteve. Ndërsa vdekjet aksidentale zënë 83 për qind të vdekjeve violente, vetëvrasjet me 15 për qind dhe vrasjet me mbi 1 për qind. Vetëvrasjet zënë një të katërtën e numrit të vdekjeve të dhunshme që ndodhin gjatë një viti në Maqedoni. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 105 vetëvrasje, kryesisht varje me litar, ku viktimat për shkaqe të ditura, e në shumicën e rasteve të panjohura kanë vdekur. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vdekjeve të dhunshme gjatë vitit të kaluar në përgjithësi është ulur, përfshirë vetëvrasjet, krahasuar me vitin 2019.

    Vitet e depresionit sipas statistikave zyrtare mund të cilësohen viti 2012 dhe viti 2013, ku numri i vetëvrasjeve është i lartë (172 raste) dhe përbën 30 për qind të numrit të përgjithshëm të vdekjeve të dhunshme. Ndërsa vitet e fundit shifrat ruajnë një lloj konstante. Vdekjet e dhunshme (gjithsej 438 raste në 2020) përbëjnë 1.7 për qind të mortalitetit në Maqedoninë e Veriut, ku si viktima në mbi 72 për qind të rasteve janë meshkujt. Shumica e tyre mbi 70 për qind si shkaktar kryesor kanë aksidentin, të pasura nga vetëvrasjet dhe vrasjet (5,5 për qind).

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimet midis propozimit të ri francez dhe atij paraprak

    Lajmi i rradhës

    Institucionet në Maqedoni nuk angazhohen mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë