Vdesin mijëra bletë nga helmimi i pemëve në Pollog, nuk ka kompensim të dëmit

    Për herë të dytë brenda vetëm dy javëve helmohen mijëra bletë nga përdorimi i helmeve për kultivimin e pemëve. 30 koshere me bletë kanë vdekur, ndërsa qindra kilogram mjaltë janë bërë të papërdorshme si pasojë e helmit.

    Ka rregulla që janë edhe të shkruara se spërkatja bëhet gjatë periudhës së natës, ose kur duhet të bëhet në masë të madhe, informohen bletarët përmes mediave dhe ne i mbyllim bletët. Janë dëmtuar mbi 80 për qind të koshereve, afër 30. Është neglizhente puna e disa bujqve që kohë e pa kohë trajtojnë pemët me helme të dëmshme edhe për njeriun por vdekjeprurëse edhe për bletët – u shpreh Artan Skenderi, bletar.

    Kjo dukuri në Pollog ka filluar të përsëritet gjithnjë e më shpesh. Bletari Musai thotë se kultivuesit e frutave dhe perimeve duhet t’i përmbahen orarit të spërkatjes përkatësisht gjatë natës, ndërsa kërkon kontroll edhe nga Inspektorati i Bujqësisë.

    Apeloj sa më shumë shteti të funksionojë. Duhet nëpër bashkësi lokale sepse ne e dimë cilat fshatra apo cila pjesë tani mbillet sepse edhe ata kanë të drejtë por pa polenizim nuk bëhet asgjë. Ka Ligje, por i njëjti nuk zbatohet. Duhet pas orës 6 – 7 të bëhet spërkatje e pemëve apo perimeve dhe asgjë më shumë. Inspektorati duhet të jetë më aktiv dhe të alarmohen dhe të vihen njoftime nëpër bashkësi lokale – tha Rexhep Musai, bletar.

    Rastet e helmimit masiv të bletëve për çdo javë njoftohen në polici, por në mungesë të një ligji përkatës për mbrojtjen e tyre, as policia, por as Ministria e Bujqësisë nuk bëjnë kompensimin e dëmeve që u ndodhin bletarëve të Pollogut. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Historia e vërtetë dhe misterioze e Piper Pied of Hamelin

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do t’i ndodhte botës nëse njerëzimi do të flinte për 1000 vjet?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë