Vend të posaçëm për celularët në shkollën “Kirili dhe Metodi” në Tetovë

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Qeverinë kanë propozuar që të ndalohet përdorimi i dhe posedimi i celularëve në shkollat fillore. Megjithatë, ata nuk kanë propozuar modalitet si shkollat fillore duhet ta zbatojnë këtë propozim me filloristët. Por drejtoresha e shkollës fillore komunale “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, Sihana Kaba Kasami tha se shkolla e tyre tash e 4 vite e ka ndaluar përdorimin dhe posedimin e celularëve në objektin shkollor.

    “Ky është një propozim shumë i mirë por është pak e vonuar. Është dashur më herët të bëhet kjo ndalesë. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Shkolla jonë këtë propozim të ministrit vetëm se është duke e aplikuar 4 vite më herët. Jemi në dijeni se telefoni është mjet komunikimi mirëpo kur bëhet fjalë për fëmijë të ciklit fillor, ata menjëherë dinë edhe ta keqpërdorin telefonin”, tha Sihana Kaba Kasami drejtoreshë e shkollës “Kirili dhe Metodi”.

    Drejtoresha Kaba, tha se ata kanë bërë një vend të posaçëm kur nxënësit i deponojnë celularët kur vijnë në shkollë dhe se në rast nevoje vijnë aty për t’i përdorur.

    “Ne tek zyra e pedagogut kemi një vend të posaçëm i cili u është dedikuar telefonave celularë. Tashmë nxënësit e shkollës tonë, ata të cilët u duhet patjetër ta kenë telefonin që të jenë në kontakt me prindërit ata në orën 7 e 30 e dorëzojnë telefonin te zyra. Ndërsa me të përfunduar mësimi ata vijnë dhe e marrin përsëri telefonin”, tha drejtoresha Kaba.

    Se sa i dëmshëm është posedimi i celularit në aspektin pedagogjik, e tregon arsimtarja e gjuhës gjermane në këtë shkollë, Ganimete Bislimi. “Kjo është më se e sigurt se e pengon mësimdhënien dhe mësimnxënien në shkollë. Përdorimi i telefonit është problem jo vetëm tek nxënësit por edhe te të punësuarit, në qoftë se përdoret gjatë orarit të punës kuptohet. Në shkollën tonë nuk e kemi atë problem sepse ka kohë që gati 4 vite, që tani dëgjoj që është e preferuar dhe do të vihet si ligj mos përdorimi i celularit. Nxënësit i tërheq vëmendjen me ndonjë thirrje ose ndonjë mesazh, ta merr ndërkohë që është në mësim celularin, apo ndonjë thirrje nga familjari, dhe më pas është e vështirë që neve të mund tua kthejmë koncentrimin”, thotë arsimtarja Ganimete Bislimi.

    Ndërsa prindërit e përshëndesin vendimin e shkollës “Kirili dhe Metodi” për ndalimin e celularëve, por së fundmi edhe propozimin e ministrisë së arsimit.

    “Është vendim shumë i mirë që fëmijët të mos mund të përdorin telefon shumë për shkak se u ngelë shumë dobësi në mësim apo mësohen në telefona dhe nuk u intereson shumë mësimi. Këto në shtëpi kanë telefon por në shkollë nuk i lë që të përdorin. Në shtëpi kur vijnë e kanë orarin e caktuar përdorin orarin e caktuar të telefonin, i bëjnë detyrat i rregullojnë të gjitha dhe më pas e përdorin celularin”, tha një prind.

    Që nga data 1 shtator, është miratuar vendimi që në të gjithë shkollat fillore në territorin e Maqedonisë së Veriut ndalohet përdorimi i celularit nga nxënësit. Prindërit duhet ta kenë numrin e kujdestarit të klasës dhe të drejtorit që në rast nevoje të kontaktojnë me ta, e jo me nxënësit direkt, pasi që sipas pedagogëve, posedimi i celularit është pengesë kryesore e mësimnxënies dhe mësimdhënies. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: Nuk e shoh problem që gjuha shqipe të jetë në kushtetutë!

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtimet në RMV në kurriz të konsumatorit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë