Vizita te psikologu i shkollës, ende tabu

    Një pjesë e nxënësve të shkollave fillore akoma ngurrojnë ta vizitojnë psikologun shkollor pavarësisht shqetësimeve e problemeve që kanë. Besime Kamberi, psikologe në shkollën fillore “Bajram Shabani” të fshatit Kondovë të Komunës së Sarajit tha për Alsat se vizita te psikologu i shkollës vazhdon të trajtohet si turp, ndërsa siç thotë ajo, të njëjtën duhet ta realizojnë vetëm nxënësit që shkaktojnë probleme. Ajo shton se nxënësit me vet iniciativë duhet të kërkojnë ndihmën e psikologut me qëllim tejkalimin sa më lehtë të problemeve.

    “Ato ende mendojnë se nëse shkon te psikologu nuk është diçka në rregull, ka ndonjë çrregullim, ka diçka emocionalisht ose ndonjë problem familjar. Por, ka edhe prej atyre që thonë se shkoj te psikologu se kam dëshirë vetëm të bisedoj diçka, të këshillohem. Kohën e fundit, te nxënësit vërej se shumë kanë dëshirë të tregohen, të jenë më dominant ndaj nxënësve tjerë, janë pak më agresiv. Në qoftë se te shoku ose shoqja sheh ndonjë pikë të dobët, në vend se t’ia mbulojë ai mundohet sa më shumë t’ia përhap pikën e dobët, ta sulmoj aty. U kisha sugjeruar të gjithë prindërve që të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijët e tyre dhe të kenë sa më shumë bashkëbisedim dhe pastaj të kalojmë në dëshirat e tyre”, tha Besime Kamberi, psikologe shkollore.

    Ndërsa një pjesë e nxënësve refuzojnë komunikimin nxënës-psikolog, pjesa tjetër e tyre thanë se pa hezitim do të kishin kërkuar ndihmën dhe këshillën e psikologut, në rast se paraqitet nevoja.

    “Psikologu paraqet pjesën më të mirë për ne, në qoftë se kemi ndonjë problem ose diçka shprehemi te psikologu”, u shpreh një nxënëse.

    “Duhet të vizitohet psikologu sepse aty mund të shfaqim problemet tona, si ndjehemi, a ndjehemi të bullizuar. Kur e shpreh ti problemin tënd vetja jote ndjehet e lehtësuar”, tha një nxënëse.

    “Vërej sjellje naïve që nuk janë të hijshme, mendjemadhësi, mendoj që nuk janë sjellje të mira. Si rezultat i rritjes ato mendojnë që janë rrit me moshë, telefonat ndikojnë, rrjetet sociale. Ne duhet ta vizitojmë psikologun pasiqë ne duhet t’i shprehim problemet sepse psikologja nuk i di problemet tona”, shtoi një nxënës.

    Sipas ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në vend ka gjithsej 365 shkolla fillore, disa prej të cilave funksionojnë pa psikolog dhe kuadër tjetër të nevojshëm. Ndër të tjera, misioni i psikologut është lehtësues i nxënësit në procesin e të mësuarit, kalimin e gjendjeve dhe situatave psikoemocinale, ndihmon për tejkalimin e frikës, ankthit dhe pasigurisë tek nxënësit në situata e momente të caktuara./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Strumica do të ketë transport ekologjik të qytetit

    Lajmi i rradhës

    Çarshia e vjetër e Shkupit, atraksion turistik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë