VMRO-DPMNE nuk u përgjigjet gazetarëve se ku u bë shkelja e kushtetutës me ardhjen e Vjosa Osmanit në Tetovë (Video)

    VMRO-DPMNE edhe sot ka vazhduar me reagimet ndaj ardhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Tetovë. Dje VMRO-DPMNE shpalosi një transparent mbi urën në hyrje të qytetit, ndërsa sot këshilltari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Angel Karapetrov, kërkoi që të marrin masa pushteti LSDM-BDI, pasi kjo mënyrë e pritjes nuk ishte në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, raporton Nistori.

    “Dje në Komunën e Tetovës kishim një mënyrë skandaloze të pritjes së presidentes së Kosovës, të njëjtën e dënojmë ashpër. VMRO-DPMNE u bën thirrje institucioneve të RMV të udhëhequra nga LSDM dhe BDI të marrin masa menjëherë dhe të veprojnë sipas kushtetutës dhe të ligjeve ekzistuese në lidhje me vendosjen e plakatave vetëm në gjuhën shqipe. Mënyra e djeshme e pritjes të presidentes së Kosovës nuk ishte në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje e cila vë theksin te shoqëria multietnike.” – deklaroi Karapetrov.

    Në asnjë moment, sipas tyre, nuk duhet harruar faktin se Tetova është në RMV dhe se jetojnë maqedonasë dhe etnitete tjera dhe se maqedonishtja është gjuhë zyrtare në Tetovë. I pyetur nga gazetarët se ku është shkelur kushtetuta e RMV, këshilltari Karapetrov nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet.

    Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës nga radhët e Lëvizjes Besa, Besar Durmishi tha se reagimet nga VMRO-DPMNE për ardhjen e Vjosa Osmanit në Tetovë, nuk i bëjnë mirë qytetit, nuk i bëjnë mirë vendit. Kjo gjë na kthen pas.

    “Nuk e di arsyen pse ka pasur ankesa të tilla, pse merren me politika të ulëta ditore, të cilat nuk i bëjnë mirë qytetit, nuk i bëjnë mirë vendit. Na kthejnë pas. Ajo që ne na duhet është të shohim drejt BE-së dhe të funksionojmë si një qytet apo si një shtet multietnik. Ne jo vetëm deklarativisht, por edhe e kemi dëshmuar me vepra se kemi respektuar etnitë tjera.”, dëshmoi Durmishi.

    A do të ndikojë ky tension në koalicionin komunal të Tetovës VMRO-DPMNE – Lëvizja Besa?

    I pyetur nga Nistori nëse këto tensione do të ndikojnë në harmoninë e koaliconit në Këshillin komunal të Tetovës, VMRO-DPMNE – Lëvizja Besa, Durmishi tha se të gjitha vendimet në Këshill merren në interes të qytetarëve dhe jo në interes të partive politike apo të koalicionit.

    Nga LSDM thonë se tensionet ndër etnike çdoherë ndodhin për të ikur nga problemet reale, qentë endacakë, ajri i papastër, etj.

    “Akuzat e VMRO-DPMNE janë konstante. Gjithçka që nuk shkon sipas tyre, është në dëm të tyre. Nuk do të doja t’i komentoja më shumë. Ikja nga problemet reale, fshihen tensionet ndër etnike.”, deklaroi këshilltari i Komunës së Tetovës, Gligorije Stojanovski – Gige.

    Liridon Disha nga radhët e BDI-së tha se reagimi i VMRO-DPMNE-së është për pikë politike.

    “Nuk është koha për të hapur plagë të vjetra. Mendoj se ne si popull duhet të ecim para, drejt BE-së dhe realisht këto pika që hapin këta në Këshillin komunal janë çështje politike, gjë nuk është mirë të hapen aty. Ne e dijmë se Këshilli komunal merret me vendimet që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve. Është mirë që këshilltarët e VMRO-së edhe të LSDM-së të merren me pikat që i tangojnë më shumë qytetarët e Tetovës.”, deklaroi Disha.

    Reagimi i VMRO DPMNE-së pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në qytetin e Tetovës, sipas Alternativës, flet për frustrimin që ka kjo parti dhe albanofobinë që nuk mund ta fsheh sa herë që bëhet fjalë për vizitat e zyrtarëve shqiptarë në vendin tonë.

    “Nëse aq i ka ngelur hatri për gjuhën që përdoret nëpër billborde, ata çdo ditë shohin billborde edhe në gjuhë të tjera dhe nuk i kemi dëgjuar duke reaguar asnjëherë, por fakti që reagojnë vetëm kur bëhet fjalë për vizitën e një zyrtari shqiptar ose kur bëhet fjalë për një billbord vetëm në gjuhën shqipe, më shumë flet për frustrimin dhe albanofobinë që nuk mund ta fshehin sesa që ka të bëjë me çështjet formalo juridike siç ata duan të thirren në Kushtetutë ose në Marrëveshjen e Ohrit. Është për të ardhur keq që kjo parti vazhdon të mos marrë leksione nga e kaluara sepse duke reaguar në këtë mënyre, ajo rrezikon t’i humbë të gjitha mundësitë që të bashkëpunojë me partitë shqiptare dhe kështu gjithmonë të mbetet në opozitë. Uroj dhe shpresoj që edhe ata të fillojnë të reflektojë dhe të futen në binarët e mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe të frymës evropiane të bashkëpunimit në mes kombeve.”, thekson këshilltari komunal Faton Selami.

    Ndryshe, sot në seancën e 14-të të Këshillit të Komunës së Tetovës, LSDM kërkoi që të vendoset në rend të ditës pika për nismën e vendosjes së një monumenti për forcat maqedonasë që u vranë në fshatin Vicë të Tetovës, por një gjë e tillë nuk u pranuar, pasi vetëm 6 këshilltarë votuan Për, ndërsa 24 votuan të Përmbajtur. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pështjellim

    Lajmi i rradhës

    “Ngrirja” e çmimeve të fruta-perimeve, deri më 31 maj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë