Pështjellim

    LEONARD DEMI

    Në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji, komuniteti euroatlantik u përfshi në reagime të ashpra kundër idesë se Europa nuk duhej të përfshihej në një konflikt të mundshëm midis Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për Tajvanin, të cilat kulmuan në Amerikë, Mbretërinë e Bashkuar, Poloni, Gjermani dhe në vendet baltike. Ideja e largimit nga Shtetet e Bashkuara apo partneritet strategjik global me Kinën, që lidhen me konceptin e Autonomisë Strategjike të Europës, tronditi aleatët sepse marrëdhënia transatlantike është thelbësore dhe shtylla kurrizore e rendit ndërkombëtar. Sipas strategëve nga të dyja anët e Atlantikut, Bashkimi Europian nuk mund ta mbrojë Europën pa Shtetet e Bashkuara. BE nuk mund të zëvendësojë NATO-n. Për ta është e pamundur të imagjinohet që Bashkimi Europian i vetëm t’i kundërpërgjigjet ushtarakisht luftës të zgjeruar të Rusisë në Ukrainë. Pjesa dërrmuese e vendeve europiane shikojnë si shpëtimtar Shtetet e Bashkuara dhe jo Bashkimin Europian. Në reagimin e vet, Kryeministri i Polonisë theksoi se aleanca me Shtetet e Bashkuara është themeli absolut i sigurisë sonë, duke vërejtur se disa liderë perëndimorë “ëndërrojnë bashkëpunimin me të gjithë, me Rusinë dhe me disa fuqi në Lindjen e Largët”.

    Në rrafshin ndërkombëtar, kjo ide, që rrezikon të thyejë unitetin e Perëndimit, ngërthen dy kritika të mëdha: e para, ka të bëjë me thirrjen që u bëhet europianëve për të mos u shkuar pas Shteteve të Bashkuara dhe e dyta, se vendos Shtetet e Bashkuara, aleatin më të madh strategjik të Bashkimit Europian, një shtet demokratik, në të njëjtin plan me Republikën Popullore të Kinës, një regjim autoritar, që shtyp popullin e vet dhe kërcënon sigurinë ekonomike europiane.

    AUTONOMIA STRATEGJIKE EUROPIANE

    Për vite me radhë, liderë dhe intelektualë europianë kanë trajtuar konceptin e Autonomisë Strategjike Europiane, i cili nuk pati kurrë një përkufizim të saktë, por ka qenë gjithmonë amorf dhe retorik, më shumë nënkuptonte një Europë të aftë për të vepruar në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Tanimë, Autonomia Strategjike është kthyer në një koncept të vjetër në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera të BE-së. Ai është i pashpresë në Europën Qendrore dhe Lindore, jo vetëm për shkak të aludimeve dhe të dyshimeve antiatlantike, por edhe për vetë faktin se lufta imperialiste e Rusisë kundër Ukrainës ka theksuar marrëzinë e Autonomisë Strategjike Europiane dhe ka nxjerrë në pah dështimet e sigurisë dhe mbrojtjes europiane.

    Lufta e Rusisë në Ukrainë dëshmoi varësinë e Europës nga Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e sigurisë. Lufta përforcoi vendin qendror që zë lidershipi politik i SHBA-së dhe fuqia e tij ushtarake në sigurinë europiane dhe dobësoi tejet pozitën e atyre, që argumentojnë se Europa duhet të synojë të përballojë vetë sigurinë e vet. Pa ndihmën financiare dhe ushtarake të Amerikës, Europa nacionaliste nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të mbështeste Ukrainën apo të përmbante Rusinë. Moria e llojeve të armëve dhe pajisjeve ushtarake europiane pështjellon aftësinë e vet ushtarake, veçanërisht, në transport, zbulim dhe mbikëqyrje, si dhe në mbrojtjen ajrore. Të gjitha këto dobësi i plotësojnë Shtetet e Bashkuara, që do të thotë se ushtritë europiane mbeten të varura nga Uashingtoni edhe për detyrat më elementare ushtarake. Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara tërhoqën shumicën e trupave të tyre nga Afganistani në vitin 2021, europianët i kërkuan komandës amerikane të aviacionit të evakuonin edhe trupat e tyre.

    Shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore nuk e kanë pëlqyer kurrë Autonominë Strategjike Europiane. Ata dyshojnë në aftësinë e BE-së për të zhvilluar dhe për të dislokuar një forcë të fuqishme ushtarake dhe nuk besojnë se Franca apo Gjermania do t’i mbronte, apo mund t’i mbronte ata, interesat dhe rendin e tyre liberal nëse situata do ta kërkonte. Kësisoj, të vetëdijshëm për kufijtë dhe aftësinë e BE-së, kërkojnë mbrojtje të sigurt në kufijtë e tyre dhe një prani të përhershme të trupave amerikane. Këto vende, që, realisht, nuk e kuptuan kurrë se ç’është Autonomia Strategjike, e shohin Amerikën si një partner të domosdoshëm.

    Sidoqoftë, lufta në Ukrainë e zgjoi plotësisht BE-në: pos miliarda euro pajisje ushtarake, që BE i ka ofruar Ukrainës, lufta nxori në pah nevojën e Europës për zhvillimin e të gjitha aftësive të nevojshme për mbrojtjen e vet. Por, megjithëse, PPB e BE-së është rreth 15.5 trilionë euro, BE shpenzon për mbrojtjen e vet vetëm 1.2 për qind të kësaj shume, më pak se një e treta e asaj, që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara. Kësisoj, koncepti i Autonomisë Strategjike, që nënkupton zhvillimin dhe angazhimin e një ushtrie të pavarur europiane të aftë për të vepruar në kohë dhe distancë, mbetet një ëndërr e pakapshme.

    Një Europë e fortë sjell përfitime për Shtetet e Bashkuara po aq sa edhe për BEnë: partnerët, që veprojnë së bashku, paraqesin një front më të frikshëm kundër çdo kërcënimi ushtarak. Prandaj, çdo përpjekje europiane duhet të vendosë prioritete dhe t’i përgjigjet edhe një pyetjeje të thjeshtë, që shumica europiane e shmang: për çfarë janë të gatshëm europianët të luftojnë dhe të vdesin?

    Nismat e fundit të BE-së për mbrojtjen priren të jenë komplementare me NATO-n dhe mbështeten në forcën e bashkimit, gjë që është një hap në drejtimin e duhur. Përparimi i komplementaritetit do të krijojë një shtyllë solide europiane në Aleancën transatlantike, e cila do të mund t’i përgjigjet konkurrencës gjeostrategjike në rritje me më shumë kapacitete ushtarake dhe trupa të trajnuar, përfshirë teknologjitë e reja (Disruptive technology), hapësirën, implikimet e ndryshimeve klimatike në siguri, ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit. Nga ana tjetër, shtetet europiane po rrisin ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes. Megjithatë, duhet theksuar se ata po e bëjnë këtë në një kontekst, ku Rusia është kërcënimi kryesor dhe NATO është organizmi themelor për planifikimin ushtarak kolektiv, gjë që nuk ka ndonjë lidhje me autonominë strategjike europiane. Tani, shumica e vendeve europiane në NATO po i afrohen apo kanë realizuar zotimin buxhetor të Aleancës, disa vende si Polonia dhe shtetet baltike po shpenzojnë shumë më tepër. Domethënës është edhe fond i ri i BE-së, që sigurohet nëpërmjet një instrumenti buxhetor europian (European Peace Facility), i cili u ka ofruar 3.5 miliardë euro vendeve anëtarët të BE-së, që dërgojnë ndihmë ushtarake në Ukrainë. Me pak fjalë, Europa po përpiqet të jetë partneri që Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar prej kohësh: e aftë të trajtojë kërcënimet dhe të menaxhojë krizat, për shembull në fqinjët e saj jugor, ku Shtetet e Bashkuara dhe NATO mund të mos jenë të angazhuara.

    QASJA E SHTETEVE TË BASHKUARA

    Vizion i Autonomisë Strategjike Europiane, hipotetikisht, mund t’i nxiste Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë garancinë amerikane ndaj sigurisë europiane. Një vështrim i shkurtër retrospektivë në historinë e pasluftës tregon se politikëbërësit amerikanë, prej kohësh, kanë pasur dëshirë për ta lënë kontinentin në duart e vet europianëve. Presidentët Hari Truman, Duajt Ajzenauer, madje, edhe Kenedi, e shikonin angazhimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara ndaj Europës si të përkohshëm, një urë drejt një të ardhmeje kur Europa mund të mbronte vetveten. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, çdo administratë nga Klinton deri tek Obama, e kanë inkurajuar Europën të merrte masa efektive për të siguruar mbrojtjen e saj. Shumë amerikanë nuk do të uronin asgjë më të mirë për Europën sesa që ajo të kujdeset për mbrojtjen e vet. Në fakt, ky është një qëndrim shqetësues kur Europa është gjithnjë e më e fragmentuar dhe i mungojnë aftësitë për të përballuar sfidat e ndryshme strategjike.

    Analistë të ndryshëm vërejnë se Presidenti Bajden mund të jetë Presidenti i fundit me të vërtetë transatlantik i SHBA-së, pasi breza të rinj do të vijnë në politikën amerikane, të cilët mund të fokusohen në rajone të tjera. Në këtë kontekst, ata citojnë edhe Xhon Bollton, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit Trump, të ketë thënë se zoti Trump mund t’i kishte tërhequr lehtësisht Shtetet e Bashkuara nga NATO, nëse do të rizgjidhej në vitin 2020. Një President i ardhshëm mund të bëjë të njëjtën gjë. Sidoqoftë, interesat e SHBA përjashtojnë çdo ndarje të plotë të Amerikës nga Europa. Si argument, strategë të njohur sjellin një skenar hipotetik: Shtetet e Bashkuara largohen nga NATO për t’u fokusuar në Indo-Paqësor dhe më pas Rusia vendos të sulmojë një nga vendet baltike ose Poloninë.

    Është e paimagjinueshme që një President i Shteteve të Bashkuara të mos bëjë asgjë kur Europa lufton për jetën e saj kundër një autokrati brutal. Për më tepër, partneriteti në rritje midis Rusisë dhe Kinës do të thotë që tani Europa dhe Indo-Paqësori janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Sado që Shtetet e Bashkuara mund të dëshirojnë t’i japin përparësi një rajoni ndaj një tjetri, largimi nga Europa do të fuqizonte Rusinë, partnerin dhe aleatin kryesor të Kinës, e cila ushqen narrativat e Pekinit për rënien e Shteteve të Bashkuara dhe triumfin e autokracisë.

    Anëtarësia në NATO u ofron edhe Shteteve të Bashkuara përfitime të ndryshme, që kontribuojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e vet ushtarak global, përfshirë IndoPaqësorin. Bashkëpunimi i Uashingtonit me aleatët europianë rrit aftësitë e tij për të shuar kërcënimet përtej Europës. Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në stërvitjet e NATO-s, trajnimi në zonat e Arktikut me trupat finlandeze dhe norvegjeze ose praktikimi i operacioneve amfibe me Suedinë përmirëson aftësitë e forcave amerikane. Përgjigjja e fuqishme e NATO-s ndaj llojeve të tjera të kërcënimeve, përfshirë luftën kibernetike, ngërthen njohuri që përmirësojnë përgjigjet e Amerikës dhe të partnerëve përmes shkëmbimit të inteligjencës, planifikimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe analizave të kombinuara, që ka të ngjarë të ofrojë mësime kritike për iniciativa të ngjashme në Indo-Paqësor.

    Përparësitë që NATO i ofron Uashingtonit nuk kufizohen, pra, vetëm në Europë. Në të vërtetë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se, në rast të një përplasjeje në Indo-Paqësor, Shtetet e Bashkuara do t’i bënin thirrje NATO-s për ndihmë. Gjatë viteve të fundit, aleatët europianë i janë bërë mbështetës të hapur Amerikës në angazhimet e veta në Indo-Paqësor. Disa anëtarë të NATO-s, si: Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania  dhe Holanda kanë dërguar anije në Indo-Paqësor. Vetëm në vitin 2021, ka pasur 21 dislokime të tilla. Përballë kërcënimit kinez, NATO, gjithashtu, ka thelluar partneritetin e saj institucional me Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut. Si përfundim, lufta imperialist e Rusisë kundër Ukrainës ka konsoliduar rëndësinë e NATO-s, e cila mbetet themeli i mbrojtjes sonë kolektive. Lufta, gjithashtu, ka theksuar rolin qendror të Shteteve të Bashkuara në sigurinë dhe mbrojtjen europiane, si në drejtim të lidershipit (gjeo)politik, ashtu edhe të mbështetjes operacionale. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Festa e 1 Majit, rritet numri i turistëve në Ohër dhe Strugë

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE nuk u përgjigjet gazetarëve se ku u bë shkelja e kushtetutës me ardhjen e Vjosa Osmanit në Tetovë (Video)

    Lajme tjera

    Kolonjari

    EDISON YPI Nëse po flet për një shkodran, pejan, gjakovar, tetovar, korçar, lab, dibran, matjan, tropojan, kuptohesh menjëherë,…
    Më tepër

    Më fal jetë…

    Venhar Kadria | Student Më fal jetë, por duhet të jetoj, duhet të jetoj në një vend ku…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë