ZBUTJE E KRIZËS | Paga minimale me rritje nga marsi

    Paga minimale pritët të rritet në afër 20 mijë denarë nga muaji mars. Në bazë të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për pagën minimale të votuar nga 101 deputetë në Parlament, ndryshohen kriteret për harmonizimin vjetor të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës. Sipas kësaj zgjidhje ligjore të bazuar në të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, në vitin e kaluar paga minimale u rrit në 18 mijë denarë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit pritet të rritet në së paku 19.600 denarë, tregojnë përllogaritjet e ekzekutivit. Sindikata pret rritje në 20.107 denarë. Me rritjen e pagës minimale në vitin e kaluar u përfshinë mbi 80 mijë punonjës.

    TË MBULOHET SHPORTA

    Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se në muajin mars të vitit 2023, qeveria do të rritë pagën minimale e cila do të arrijë vlerën 19.600 denarë. Sipas tij, synimi i qeverisë është që dy anëtarë të familjes ta mbulojnë shportën e konsumit. 

    ”Do synojmë të rritet paga minimale për shkak se paga duhet të jetë e dinjitetshme. Në mars paga minimale do të jetë 19.600 denarë, pagë e cila kur do të ketë dy anëtarë të familjes do të mbuloj shportën e konsumatorëve dhe do ngelet diçka”, thekson Bytyqi.

    Ai shtoi se edhe pse paga minimale është dyfishuar në një kohë të shkurtër, por personalisht nuk është i kënaqur me kufirin.“Nuk dua të harroj disa gjëra. Para 7 vitesh kur paga minimale ishte 9 mijë denarë, unë isha kritik ndaj pagës minimale dhe sot vazhdoj të jem kritik edhe pse paga minimale është 18 mijë denarë”, thekson ai.

    PUNËDHËNËSIT, HARMONIZIM I PAGËS ME RRITJET TJERA

    Punëdhënësit vlerësojnë se rritja e pagës minimale nuk do të shkaktojë goditje ndaj biznesit. Sipas Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, në këtë rast bëhet fjalë për harmonizimin e lartësisë së pagës minimale me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare. “Kjo nuk përbën ndonjë risi për shkak se në vitin 2010, kur për herë të parë u miratua Ligji për pagën minimale në Maqedoni, një harmonizim i tillë ishte paraparë çdo vit, por më pas u harmonizua me një të tretën e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, një të tretën e rritjes së kostos së jetesë dhe një e treta nga rritja e pagës mesatare”, thotë Dimitrov. Sipas tij, edhe në vitin 2022 me ndryshimin e ligjit, në mënyrë të drejtpërdrejtë paga minimale u rrit në 18 mijë denarë, edhe me ndryshimin e metodologjisë.

    “Tani do të harmonizohet për çdo vit me gjysmën e rritjes së kostos së jetesës dhe gjysmën e rritjes së pagës mesatare. Por, për dallim nga më parë, tani ka një mbrojtje tjetër, e cila është që paga minimale të mos jetë më e vogël se 57 për qind e pagës mesatares”, shton Dimitrov. Sipas tij, ky është një nivel i lartë dhe siç thekson ai, në BE është miratuar një direktivë me të cilën paga minimale në vendet anëtare të BE-së duhet të jetë rreth 50 për qind e pagës mesatare. Kjo do të thotë se vendi ynë ka një përqindje më të lartë të pagës minimale, krahasuar me vendet që janë anëtare të BE-së. Ai vlerëson se kjo rritje po shkakton probleme të caktuara, që si zakonisht janë barazimi pa ndonjë kriter apo edhe ngushtimi apo ngjeshja e gjithnjë e më shumë punëtorëve rreth pagës minimale dhe pa mundësisë së rritjes së pagave më të larta që u shfaq vitin e kaluar, përskaj grevave të punonjësve të sektorit publik.

    ZGJIDHJE E QËNDRUESHME

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, thonë se përmes luftës së punëtorëve dhe presionit, përmes protestave dhe dialogut social, edhe pse të gjithë ishin kundër, kanë siguruar rritje të pagës minimale nga 15.196. denarë në 18.000 denarë, si dhe model të ri ligjor të llogaritjes së saj në favor të punëtorëve, pa pasur mundësi të ndikojë në të as përfaqësuesit e qeverisë dhe as te pronarët e bizneseve. “Ajo që ne si Lidhje e Sindikatave e bëmë dhe për të cilën luftuam në vitin 2022 do të japë rezultat edhe në vitin 2023, kështu që paga minimale sipas rregullave të reja që kemi vendosur në Ligjin për pagën minimale me kërkesë të LSM do të rritet, sipas përllogaritjeve tona në 20.107 denarë. Menjëherë me rritjen e pagës minimale, pagat e punonjësve të sektorit publik të cilët marrin paga, sipas Ligjit për nëpunës administrativ menjëherë do të kenë rritje lineare të pagave për së paku 2.000 denarë, dhe kjo është rreth 13. 000 punëtorë drejtpërdrejt dhe rreth 40.000 punëtorë në mënyrë indirekte për faktin se punëdhënësit zbatojnë pikërisht këtë ligj në llogaritjen e pagave të tyre”, thotë kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski. Sipas tij, qeveria, nën trusninë e grevës së përgjithshme, në buxhetin e ri ka parashikuar rritje pagash prej 5 për qind, por fatkeqësisht sërish rritja do të jetë diskriminuese, kështu që për shembull punonjësit në Ministrinë e Financave do të marrin 30 për qind rritje pagash, ndërsa punonjësit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të marrin minus 1.07 për rritje, pra në rastin e tyre kemi ulje rroge, që është dëshpëruese.

    RRITJE EDHE NË PRIVAT

    Një herësh në sektorin privat tashmë jemi duke biseduar me punëdhënësit ku kemi sindikata dhe tashmë atje planifikohen rritje të pagave para rritjes së pagës minimale që është për t’u përshëndetur.

    Nga Sindikatat më tej thonë se harmonizimi i pagës minimale sipas Ligjit për pagën minimale nga viti 2022 është bërë me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare, që sipas llogaritjeve sindikaliste nga janari deri në nëntor është rritur për 10.3 për qind, pra 50 për qind e rritjes në paga mesatare është 5.15 për qind, si dhe 50 për qind e rritjes së kostos së jetesës, e cila sipas informacioneve të Bankës Popullore deri në muajin nëntor ishte 14.3 për qind ose 50 për qind e rritjes së kostos së jetesës ishte 7.15 për qind. Sipas përllogaritjeve, kostoja e jetesës dhe rritja e pagës mesatare sipas të dhënave të fundit shkon në gjithsej 24.6 për qind, dhe sipas ligjit për pagën minimale, 50 për qind e kësaj ose 12.3 për qind merret parasysh në përllogaritjen e re. Pra nëse paga minimale do të rritet aktualisht ajo sipas llogaritjeve të LSM do të thotë se: Në pagë bruto: 26.422 denarë + 3.250 denarë (29 672) denarë do të jetë paga minimale nga marsi i vitit të ardhshëm ose në paga neto: 18.000 denarë + 2.107 denarë, paga minimale do të jetë 20.107 denarë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në Shkup ngufaten nga ndotja e ajrit!

    Lajmi i rradhës

    “Korrupsionin e prodhojmë me të gjithë “forcën””

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë