Kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, fushatën e ka vazhduar në diasporë. Në një takim me qytetarët në Berlin, Taravari kërkoi mbështetjen e tyre.
Taravari theksoi se asnjë proces politik nuk është bërë pa diasporën sepse siç tha, ata dinë të sensibilizohen për të bërë ndryshimin. Prandaj sipas tij nuk ka asnjë dyshim se kjo do të dëshmohet edhe më 24 Prill dhe 8 Maj.
“Nuk ka pasur proces të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut që është bërë pa diasporën, duke u nisur nga lëvizja e parë politike. Universiteti i Tetovës, ishte projekt i pamundur pa përkrahjen e diasporës, gjithashtu deri tek vendosja e kësaj partie që tani është në pushtet, sikur që tani jeni të përkushtuar nga diaspora për ta ndryshuar këtë parti. Dy herë kam garuar në Gostivar dhe ka ardhur një numër i konsideruar i mërgimtarëve. Ata sensibilizojnë popullatën dhe tregojnë se sa është e rëndësishme të votohet për t’u bërë ndryshimi”.
“U bashkuam edhe ne tani e bëmë punën tonë, ju vazhdoni ta bëni punën tuaj, votonin rotacionin politik që duhet të ndodhë në Maqedoni të Veriut. Në këtë mënyrë ne të mundësojmë që një pjesë të kthehet të jetojnë në Maqedoni të Veiut. Ju mund të komunikoni me plot njerëz, të kërkoni që më 24 prill të na përkrahin, sepse 24 prilli do të jetë çelësi i fitores së madhe parlamentare më 8 maj”, theksoi Taravari në tubimin qendror me mërgatën në Berlin.