Zgjedhjet, më pas integrimet!

    Zgjerimi i BE-së mbetet fokusi i presidencës belge të BE-së, e cila ka vendosur tre prioritete për gjashtë muajt e ardhshëm: mbrojtjen e qytetarëve evropianë, forcimin e ekonomisë evropiane dhe përgatitjen për një të ardhme të përbashkët. Prioriteti i tretë përfshin gjithashtu çështjet që prekin vendet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e integrimit të tyre, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

    Përgatitja e BE-së për një përgjigje efektive ndaj sfidave në të ardhmen përfshin pikërisht përpjekjet për të lehtësuar procedurat vendimmarrëse të institucioneve evropiane, për konstruimin e buxhetit, për taksat dhe të gjitha politikat e tjera që lidhen me përgatitjen e BE për zgjerimin e ardhshëm. Duke qenë se zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian do të mbahen nga data 6 deri më 9 qershor, në nivel legjislativ do të jenë vetëm katër muaj, duke qenë se seanca e fundit plenare e PE do të mbahet në prill. Sipas kësaj, përpjekjet do të jenë për të përfunduar sa më shumë punë legjislative në katër muajt e parë, dhe dy muajt e fundit do të synojnë diskutimin e së ardhmes së BE-së, për përgatitjen e programit të ri strategjik të Unionit për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2029 dhe në përgatitjen e ciklit të ardhshëm institucional me një përbërje të re të PE dhe një Komisioni të ri Evropian.

    PRITJET E SHKUPIT

    Në gjysmën e parë të vitit, Maqedonia e Veriut është para zgjedhjeve të dyfishta – presidenciale dhe parlamentare, të cilat përjashtuan pritshmëritë se gjatë presidencës belge mund të ndërmerret një hap i caktuar, i lidhur me kushtin e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat përbërja aktuale parlamentare ende nuk ka siguruar mbështetjen e shumicës së nevojshme prej dy të tretash. Në urimin e tij për Vitin e Ri, kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehu pritjen e tij që në vitin 2024 të ketë përparim.

    “Nëse viti 2023 ishte viti i mundësive të reja, pres që viti 2024 të jetë viti i realizimit të perspektivave evropiane. Një vit në të cilin të gjithë së bashku do të punojmë për të përmbushur agjendën evropiane, për të përmbushur qëllimin tonë të dytë të shumëpritur pas anëtarësimit në NATO, që është anëtarësimi në BE”, tha Kovaçevski.

    Kjo periudhë do të shfrytëzohet që opinioni të informohet edhe më shumë për përfitimet konkrete të procesit të integrimit, anëtarësimit në BE dhe reformave që lidhen me përafrimin me vlerat evropiane. Për këtë qëllim, në dekadën e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, Qeveria njoftoi se po fillon fushatën e re “E ardhmja evropiane, më afër se kurrë”, përmes paneleve, video spoteve informative, video animacioneve, billbordeve dhe përmbajtjeve digjitale për mediat sociale, i cili do të zgjasë 45 ditë.

    Me apo pa fushatë, procesi zgjedhor drejton automatikisht pritshmëritë për ecjen përpara të integrimit për periudhën paszgjedhore.

    “Kur tashmë e kemi humbur të gjithë vitin 2023, këtë vit do të duhet të bëjmë një hap përpara duke i nisur negociatat sipas kapitujve, qoftë me një shumicë më të madhe parlamentare, qoftë me negociata shtesë me BE-në dhe/ose Bullgarinë, mbetet për t’u parë dhe shpresuar”, tha drejtori i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) Aleksandar Krzhalovski.

    PENGESAT

    Ndryshimet kushtetuese me të cilat duhet të përfshihen bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë, Sofja nuk i trajton si çështje bilaterale, por si evropiane, duke qenë se të dyja vendet e pranuan propozimin francez në vitin 2022. Diplomati bullgar Zdravko Popov, në një bisedë me BNR, vlerësoi se çështjet e pazgjidhura prekin Shqipërinë, Ballkanin dhe Evropën. “Ndoshta durimi i Shqipërisë dhe i Brukselit do të shterohet në një moment dhe nuk është çudi që ata të ndryshojnë këtë paketë-qasje. Gjegjësisht për të shpaketuar të dy vendet dhe ta lënë Shqipërinë të lëvizë vetëm në procesin e negociatave. Kolegët maqedonas duhet ta konsiderojnë seriozisht këtë çështje. Ata mund të sillen me kokëfortësi në raport me komunitetin bullgar, por kjo kokëfortësi mund të jetë pengesë për të ardhmen e tyre në BE”, vlerëson Popov.

    Për shkak të vektorëve gjeopolitikë në rajon, botë, në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, sipas tij, Brukseli dhe Uashingtoni po kërkojnë me ethe një formulë për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në BE. “Interesi kryesor i politikës së jashtme të SHBA në lidhje me Ballkanin ka të bëjë me sigurinë. Rrjedhimisht, kjo çështje e sigurisë nuk mund të ndalet diku, si një gjysmë kthese, vetëm me anëtarësimin në NATO. Pjesa tjetër – integrimi – duhet të bëhet. Dhe prandaj, për mendimin tim, kërkohet përshpejtimi, duke përfshirë ndoshta një kërkesë për një lloj konfigurimi të ri politik në Maqedoni, i cili do të mund të rimobilizonte, si të thuash, elitën politike të Shkupit, për të sjellë një zgjidhje më të shpejtë për sa i përket integrimit”, tha Popov.

    FORCIMI I SIGURISË DHE EKONOMISË

    Krahas çështjeve për të cilat janë të interesuara vendet e Ballkanit Perëndimor, prioritetet e presidencës belge janë mbrojtja e qytetarëve evropianë dhe forcimi i ekonomisë evropiane. Prioriteti – mbrojtja e qytetarëve, i referohet forcimit të kufijve, forcimit të programit social dhe shëndetësor, ruajtjes së unitetit, mbështetjes për Ukrainën, luftës kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit dhe forcimit të rezistencës së BE-së ndaj kërcënimeve hibride. Ky korpus përfshin edhe Paktin e Menaxhimit të Azilit dhe Migracionit, i cili parashikon një procedurë më të shpejtë dhe më efikase për të dyja çështjet, të harmonizuara në nivel të BE-së përmes pesë ligjeve. Është rënë dakord politikisht në dhjetor të vitit të kaluar dhe duhet të ratifikohet zyrtarisht para zgjedhjeve të reja evropiane.

    Brenda një muaji duhet të mbahet një samit i jashtëzakonshëm i liderëve të Unionit, në të cilin ata duhet të arrijnë një marrëveshje për rishikimin e buxhetit shtatëvjeçar, ku përfshihet edhe ndihma për Ukrainën në shumën prej 50 miliardë euro. Marrëveshja parimore e 26 vendeve anëtare për këtë u arrit në një samit në dhjetor, por Hungaria e bllokoi atë. Prioriteti – forcimi i ekonomisë evropiane i referohet legjislacionit për marrëveshjen e gjelbër dhe zbatimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital me qëllim forcimin e konkurrencës evropiane. Në fund të qershorit, Belgjika do t’ia dorëzojë presidencën Hungarisë.

    Lajmi Paraprak

    Ndotja në RMV nuk po gjen zgjidhje

    Lajmi i rradhës

    “Një dorë” për të drejtat e fëmijëve në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë