Zhvillimet në Këshilli Gjyqësor | Shoqata e Gjykatësve nuk ka parë gjë akoma

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski zhvillimet në Këshillin Gjyqësor i ka cilësuar si skena të cilat nuk i përkasin këtij institucioni. Për seancën kur me 7 vota u tentua shkarkimi i kryetares Vesna Dameva, Kovaçevski tha se një pasqyrë e asaj se çfarë ka ndodhur dhe si tutje, do të dihet pas shqyrtimit të procesverbalit nga mbledhja e 26 prillit.

    “Ishin skena që aspak nuk i përkasin Këshillit Gjyqësor. Unë kam theksuar që nga dita e parë kur u bëra kryeministër se as unë dhe as ndonjë ministër nuk ndërhynë në punën e këshillit. Ministri i Drejtësisë kishte një reagim me të cilin edhe unë pajtohem. Është kërkuar procesverbali i asaj mbledhje dhe i njëjti do të shqyrtohet në ministri dhe Qeveri”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ditë më parë kërkoi procesverbalin, por ai akoma nuk është miratuar për shkak se seanca e 27 prillit nuk u mbajt në mungesë të anëtarëve. Ndonëse shkarkimi i Damevës u tentua me 7 vota pavarësisht se ligji kërkon 8 vota, ditë më parë 7 vota përfshi edhe atë të propozuesit nuk ishin të mjaftueshme për emërimin e kreut të ri, që jo zyrtarisht pritet të jetë Sashko Georgiev ish gjykatës në Shtip për 10 vite në lëndët penale. Ndaj zhvillimeve në Këshill ka reaguar edhe Gjykata Supreme.

    Institucioni më i lartë gjyqësor në vend vlerëson se situata e krijuar duhet tejkaluar në interes të qytetarëve.

    “Të tejkalohet kjo situatë fillimisht për interesin e qytetarëve dhe në këtë drejtim të vazhdojnë përpjekjet mbi përgatitjen e Strategjisë për Reforma në Gjyqësor, ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe zbatimi i standardeve evropiane, pavarësia dhe efikasiteti i Gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe kthimi i besimit publik”, thonë nga Gjykata Supreme.

    Ndonëse në seancë gjithçka ishte publike dhe me sy të lirë mund të konstatohet shkelja e rregullores dhe ligjeve, Shoqata e Gjykatësve vlerëson se duhet shqyrtuar të gjitha informacionet relevante përfshi dhe faktet, që të prononcohet për zhvillimet brenda Këshillit Gjyqësor.

    “Shpresojmë se anëtarët e këtij organi do t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet njerëzore për të gjetur zgjidhen e duhur që të mundësohet funksionim papengesë i këtij institucione në realizimin e kompetencave kushtetuese”, theksojnë nga Shoqata e Gjykatësve të Maqedonisë së Veriut.

    Akademiku i të drejtës penale, Vllado Kambovski ka deklaruar se Prokuroria Publike duhet urgjentisht të hap lëndë për shpërdorim me detyrën zyrtare. Sipas tij, organi i akuzës mbi bazën e dëshmive materiale nga seanca që ai e cilëson si të pashembullt, duhet të vlerësojë nëse ka elemente të veprës penale nga një ose më shumë persona. Ditë më parë Prokuroria Publike njoftoi se ndërmarrja e veprimeve ligjore bëhet në momentin kur ka dyshime të bazuara për vepra penale. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ministria e Mbrojtjes me iniciativë deri te Komuna e Tetovës për vendosjen e monumentit për të vrarët në Vicë

    Lajmi i rradhës

    Siguria në punë, 22 viktima e 147 të lënduar brenda një viti në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë