“Antikorrupsioni” dhe pritshmëritë e qytetarëve

    HALIL RAMA

    Struktura e posaçme Anti korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, pothuajse në vijimësi, në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit, ka denoncuar publikisht disa afera korruptive të institucioneve të ndryshme shtetërore. Dhe jo vetëm kaq, por nuk janë të pakta rastet kur vetë ministri Manja nisur nga denoncimi në emisionet investigative të mediave të ndryshme, ka firmosur kallëzimet në SPAK e në organet tjera ligjzbatuese ndaj personave abuzues. Le t’u referohemi disa rasteve. Kur sapo kishte marrë drejtimin e këtij dikasteri (6 tetor 2021), pak minuta pas transmetimit të rastit korruptiv në burgun e Reçit, në emisionin investigativ “Stop” të “Tv Klan”, ku dy punonjësit Arnaldo Hoxha dhe Mario Laloshi merrnin para nga të afërm të të burgosurve, për t’i lidhur në telefon me familjarët dhe për t’i hartuar raport-vlerësime pozitive, ministri Manja firmosi urdhrin për pezullimin e dy punonjësve dhe hetimin administrativ për rastin.

    Një muaj më pas (16.11.2021), numri një i dikasterit të Drejtësisë publikon kallëzimet e dy rasteve që lidhen me abuzimet në Kadastër: I pari, një rast flagrant, një ndërtim pa leje, brenda territorit të një ndërtese publike, më saktë, një ndërtim pa leje mbi një objekt publik dhe i dyti që ka të bëjë me regjistrimin e një prone pa kërkesë dhe pa dokumentacion, që i përket Drejtorisë së Tiranës Rurale 2, në Agjencinë Vendore dhe që është rasti klasik se si shteti zhvishet nga pronësia, nëpërmjet veprimeve fiktive, nga punonjës shtetëror të Kadastrës.

    Duke e konsideruar Njësinë Antikorrupsion si një strukturë që duhet të veprojë me “dorë të fortë”, kreu i dikasterit të Drejtësisë ka dëshmuar mbështetjen maksimale ndaj saj, madje duke mos nguruar që të dalë vetë publikisht kundër rasteve flagrante korruptive të konstatuara nga kjo strukturë, si në AKU -në e Fierit, në kadastrën e Durrësit e dhjetëra raste të tjera.

    Ky qëndrim, në kushtet e një opozite amorfe (që si prioritet të saj duhet të ketë antikorrupsionin) është mirëpritur nga opinioni publik. Gjithsesi, pritshmëritë e qytetarëve janë shumë më të mëdha. Kjo për faktin se korrupsioni gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet dhe dëmton veçanërisht personat në nevojë.

    Parë nga ky këndvështrim, nuk duhen pritur vetëm denoncimet legale të qytetarëve tek struktura Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, por duhen evidentuar, analizuar e ndëshkuar edhe aferat korruptive që bëhen publike në emisionet televizive. Mjafton të evidentosh ato që denoncojnë çdo ditë qytetarët te “Koha për t’u zgjuar” me moderator gazetarin e mirënjohur Bashkim Hoxha në “News 24”; te Klodi Karaj në “Ora News”, si dhe rastet e denoncuara nga “Fiks fare” e “Stop”, për t’u bërë barrierë ndaj plagës së rëndë të korrupsionit që po gangrenizon ekonominë e shoqërinë shqiptare.

    Janë me dhjetëra rastet e aferave të denoncuara nga “Antikorrupsioni”, ndër të cilët do të evidentonim atë të 16 marsit 2022, kur nga kjo Njësi janë kallëzuar penalisht 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, si dhe për 75 zyrtarë ka nisur procedimi disiplinor duke filluar nga vërejtje, deri në shkarkim nga detyra. Kështu janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e rrethit Pogradec 15 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët kanë lejuar dhe regjistruar një objekt brenda shkollës 9-vjeçare në fshatin Memëlisht, Pogradec, kur është konstatuar ndërhyrje në regjistrat fizikë të pasurisë së shkollës, regjistrim antiligjor i objektit brenda shkollës, regjistrim me certifikatë pronësie, përfituar nëpërmjet një leje ndërtimi të marrë në kundërshtim me ligjin. Rasti i dytë ka të bëjë me një denoncim i ardhur nga një qytetar i zakonshëm, i cili ka dhënë dijeni për disa legalizime të ndodhur në vitin 2019 e në vazhdim në Kadastrën e Sarandës, për zonën Turizëm-Kanali i Çukës.

    Po ashtu, që nga 27 tetori i vitit të kaluar kur u ngrit struktura antikorrupsion pranë Ministrisë së Drejtësisë, janë mbi 300 raste të denoncimeve nga qytetarët, pjesa më e madhe e të cilave lidhen me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, kryesisht për proceset e legalizimeve.

    Duke njohur dhe pranuar këtë realitet jo të këndshëm, konsiderimi i ankesave të qytetarëve duhet të jetë përparësi e kësaj strukture, madje duhet konsideruar si imperativ i ditës.

    Rezultatet inkurajuese të kësaj periudhe edhe në institucionet e vartësisë së Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pasi drejtimin e saj e mori Admir Abria, një drejtues me performacë mjaft pozitive, kompetent dhe i përkushtuar në zgjidhjen e problematikave të komplikuara, të mbartura në këtë institucion, duhen vlerësuar. Po ashtu, edhe optimizmi i ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, jo vetëm për realizimin dhe ecurinë e Reformës në Drejtësi, konsolidimin e institucioneve të vartësisë etj., por edhe për efektivitetin e strukturës së posaçme antikorrupsion.

    Dhe nëse opinioni publik ka mirëpritur deklaratën e tij të para dy ditëve, se “Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të vendosur sanksione ndaj aseteve të rusëve, nëse do të ketë një listë të personave të shpallur si mbështetës të luftës në Ukrainë”, po aq i mirëpritur është edhe angazhimi konkret në luftën kundër korrupsionit në institucionet shqiptare. Kjo edhe për faktin se lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për Qeverinë Shqiptare, por është edhe një nga pesë prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane.

    Parë nga ky këndvështrim, megjithëse Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion, si një strukturë nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit, Ministrit të Drejtësisë. Duket në start të mbarë, objektivi i kësaj strukture duhet të jetë lufta pa kompromis kundër çdo lloj forme të korrupsionit dhe forcimi i besimit te qytetarët për një administratë publike, eficiente dhe me integritet të lartë në shërbim të qytetarit. Kjo domosdoshmëri konsiston edhe në perceptimet në nivele të larta të qytetarëve për përhapjen e korrupsionit në sektorin publik, numrin e lartë të kallëzimeve penale drejtuar organit të akuzës për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, si dhe në disbalancën midis numrit të lartë të këtyre kallëzimeve penale me numrin e çështjeve të hetuara nga Prokuroria dhe të dërguara për gjykim. /Panorama/

    *Avokat

    Lajmi Paraprak

    Libri i përgjakur i kujtesës së Kosovës…

    Lajmi i rradhës

    Vazhdon greva në arsim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë