Besimi te Reforma në Drejtësi, si dogma përballë Galileit!

    ARIAN GALDINI

     Kur isha para pak javësh në Washington DC, takova një mikun tim që punon në Departamentin e Shtetit. Takimi ishte privat e miqësor dhe gjithçka që biseduam nuk kishte lidhje fare me politikën apo Shqipërinë.

    Folëm për Inteligjencën Artificiale, për Elon Musk dhe për zbulimet e reja të teleskopit James Webb. Por ndërsa po ndaheshim dhe po shkëmbenim përshëndetjet e fundit, ai më bën një pyetje të befasishme.

    “Çfarë mendon ti Arian për Reformën në Drejtësi? Si të duket puna e institucioneve të reja të drejtësisë? A e mbështet ti SPAKun? Si e vlerëson ti punën e SPAK-ut”? U kapa në befasi të plotë nga ky lum pyetjesh dhe mora pak sekonda kohë për të zbritur nga bisedat për teleskopin James Webb te pyetjet për SPAK-un…

    Dhe ia kthej mikut tim: “Sigurisht që ti po më pyet si shok i imi i vjetër e për rrjedhojë mendimi im duhet të jetë jo ‘politikisht korrekt’, por i sinqertë dhe si mes miqsh…”

    -Po – ma ktheu ai.

    -Në rregull atëherë – iu përgjigja unë. – Më dëgjo me vëmendje. Ne kemi 33 vite që kërkojmë sistem të ri, ide të reja, parti të reja, elita të reja, e gjithmonë na është thënë se duhet drejtësi e re. Kur ra komunizmi, ne thamë që duhet të bëjmë drejtësi të re, sepse ajo e vjetra ishte e partitizuar dhe aparat kriminal i Diktaturës Komuniste.

    Dhe ia nisëm punës për pastrimin e drejtësisë deri sa mbërritëm tek gjykatësit dhe prokurorët e Plepave.

    Shpenzuam 2 dekada që të shpërbënim drejtësinë e vjetër të komunizmit e të ndërtonim drejtësinë e re të demokracisë, por çuditërisht asgjë nuk e ndryshoi dot faktin se ata që “sundonin” gjatë komunizmit të mbeteshin të paprekshëm e të plotfuqishëm e vendimtarë. Aq e qartë ishte kjo sa ata guxuan të bënin vitin 1997 e të riktheheshin në pushtet me gjithë fuqinë e dikurshme. Drejtësia e re kishte bërë vetëm disa “vepra teatrale” prej të cilave Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia e ca të tjerë u dënuan për kafe dhe kaq. Efekti i “drejtësisë së re” ishte pothuajse zero në kërkesën e domosdoshmërinë kombëtare për sistem të ri, ide të reja, parti të reja, elita të reja, etj.., etj.

    Përkundrazi, ata që e morën në dorëzim vendin nga Partia e Punës pas vitit 1990, u bënë “udhëheqja e palëvizshme dhe e pandryshueshme” e kohëve të shumëpartitizmit. Nëse “drejtësia e re” dhe “sistemi i ri” nënkuptonin vetëm një ndryshim teknik të natyrës nga 1 njeri 1 parti, në 1 njeri 1 parti në sistem me shumë parti, atëherë po, ia kemi dalë.

    Veçse nëse biem dakord që kjo mund të jetë gjithçka, veçse demokraci jo, na del për detyrim të ngremë pyetje serioze mbi atë që po ndodh me vendin tonë e në vendin tonë.

    Pa mbushur ende dy dekada, ndodhi Gërdeci, e pas tij ndodhi 21 janari.

    Sali Berisha dhe Edi Rama u bënë bashkë e brenda 1 nate ndryshuan Kushtetutën, Kodin Elektoral dhe pa dashje a nga halli e nxorën lakuriq “drejtësinë e re të pas 1990”.

    Për rrjedhojë, lindi nevoja të shpallej platforma për ta shpallur “drejtësinë e re” si “drejtësi të vjetër” e shpalosej vizioni i një drejtësie të re, më të re se ajo që ishte e re por që u bë e vjetër.

    Nga viti 2014, i gjithë kombi dhe të gjitha institucionet politike, diplomatike dhe ekonomike vendase e ndërkombëtare flasin pa pushim për Reformën në Drejtësi dhe “drejtësinë e re”

    Çdo ditë kryefjala e çdo lajmi, ligjërimi a retorike politike apo diplomatike rreth-rrotullohen tek “drejtësia e re”

    Madje, duket sikur edhe kemi dy kampe mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ata që janë pro drejtësisë së re dhe ata që janë kundër drejtësisë së re.

    Po pate mendim kritik apo pyetje rreth drejtësisë së re, menjëherë të shpallin antiperëndimor, armik të drejtësisë së re e kështu me radhë.

    E po u deklarove apriori pro drejtësisë së re, të turren ata të tjerët e të shpallin si soroist, edramist, etj., etj…

    Prandaj e di që këto mendimet e mia që po bëj unë publike sot do të më vendosin nën shqytat e të dyja kampeve e secili do të më shpallë sipas kategorive të veta.

    Sidoqoftë nuk e kam problem hiç.

    Jam nga ata njerëz që kam bërë paqe me veten dhe kam vendosur që më mirë të vuaj e sakrifikoj unë për të vërtetën. sesa të vuajë e sakrifikohet e vërteta për shkakun tim. Hidhuni një sy sukseseve të SPAK ju lutem.

    Dosja pafund të çelura, hetime në proces, hetime të mbyllura e të çuara në gjykatë dhe si përfundim kemi një zv.kryeministër në arrati, ndonjë ish-ministër e ish-zyrtarë të tjerë të akuzuar e dënuar për shpërdorim detyre e siç duken bathët, të gjithë të tjerët do bien në rrjetën e drejtësisë së re nën të njëjtat kategori ligjore të shpërdorimit të detyrës. E bazuar në kuptueshmërinë e Edi Ramës, Shqipëria nuk ka hajdutë, por vetëm shpërdorues të detyrës, sepse kështu i përgjigjej kryeministri pyetjes së Fevziut, a thua se shpërdorimi i detyrës është një mënyrë estetike për t’i quajtur hajdutët burra të mirë.

    Nëse drejtësia e re ka nisur si platformë në vitin 2014, është votuar në korrikun e vitit 2016, e sot jemi në vitin 2024 dhe ende shpallim si suksese të mëdha çikërrimat estetike të shpërdorimit të detyrës si ndëshkime pothuajse si dikur me kafetë e Nexhmijes dhe Ramizit, nuk na mbetet veçse të presim të vijë 2029, për të shpallur nevojën për një tjetër “drejtësi të re” që do na nxjerrë të vjetër këtë të renë e derisotme që është pak më e re se ajo e reja e fillimviteve ‘90.

    Me drejtësi të reja që bëhen të vjetra për dy dekada, nuk kemi për të parë kurrë ndëshkime përtej kafeve dhe shpërdorimit të detyrës.

    Tek e fundit, edhe bufi e di se parimi i parashkrimit, i bën të gjitha këto energji propagandistike e diplomatike që po investohen për të na mbushur mendjen se drejtësia e re do na sjellë një kohë të re.

    Ndryshimi i drejtësive në çdo 2 dekada dhe mosndryshimi i elitave, na e shpjegon krejt qartë se gjithçka është një teatër i madh.

    Ka ndryshuar dy herë drejtësia nga viti 1990 e deri sot, ama ne prapë votojmë për Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën etj..

    Parashkrimi ligjor dhe dialektika që i lejon këta pak udhëheqës të trashëgojnë gjithçka ku të duan e kujt të duan ata, e bën drejtësinë e re, si kanaçe “Coca Cola”, që ne dikur para 1990 e gjenim në bregun e detit dhe pasi e lanim dhe shpëlanim e vendosnim si zbukurim në bufe për t’u ndjerë sadopak perëndimor.

    Më të privilegjuarit dhe më properëndimorët ndër ne ishin ata që bënin vibratorë si antena dhe kapnin kanalet e Italisë dhe shihnin “Sanremon” dhe Lepa Brenen fshehtas dhe linin nga pak farforite.

    Kur sheh se sot properëndimorë janë ata që i prisnin asokohe flokët tek tëmthi i partisë dhe gjurmonin e fuksonin vibratorët e fshehur pas perdeve, kur sheh se ata që ua thyenin radiot ‘Iliria’ në kokë atyre që dëgjonin muzikë dekadente e borgjeze, janë bërë edhe mbrojtësit më të flaktë të drejtësisë së re, fillon e mendon se ndoshta ne nuk jemi zgjuar ende nga gjumi e çdo gjë është ende një ëndërr.

    A e dua unë drejtësinë? Po, pa diskutim. Me gjithë shpirt e me të gjitha energjitë.

    A e mbështes unë drejtësinë e re? Po. Me gjithë forcën time.

    A shpresoj unë te drejtësia e re? Hiç fare. E për ta mbyllur po them: Mjerë ai komb e ajo shoqëri që shpreson te çekiçi i drejtësisë. Lum e bekuar ai komb e ajo shoqëri që shpresën e ka tek mendimi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Këshilla për inkurajimin e socializimit tek fëmijët në çerdhe!

    Lajmi i rradhës

    VLEN: Ali Ahmeti kërkon shpëtim nga persona të listës së zezë amerikane

    Lajme tjera

    S’ka ma turp

    DR. FABIAN ZHILLA Në vitin 1987, Robert Pat tison “profetizoi” përthyerjen e kulturës nga prurjet e reja kryesisht…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë