Deputeti dhe kazanët e plehrave

    Pajtim Lutaj

    Nuk duam të krijojmë bllokmenë në fshat, nuk u shërbejmë atyre që vijnë si turistë”, kjo qe përgjigjja e Ismet Beqirit, deputetit të Mallakastrës, kur banorët e një fshati i kërkuan që bashkia të vendoste kazanë plehrash në lagjet e tyre, ndërsa Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, nga ana e tij, nuk e pranon një gjë të tillë në formë dhurate: “Jo, – thotë, – nuk ka lezet të marrim dhuratë kazanë plehrash, e dua nëpërmjet një tenderi”.

    Pas një bisede me disa nga banorët e qendrës se Hekalit, fshatit të vendosur rreth kodrës ku ndodhet qendra arkeologjike Bylis, mësova se me të drejtë ata kishin shtruar problemin e mungesës së kazanëve të plehrave. Një pjesë e tyre i hidhnin mbeturinat në natyrë se kazanët e plehrave i kishin larg, ndaj i kishin kërkuar bashkisë të vendoste një kazan të tillë në rrugë për dy lagje. Personalisht i kërkova kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës ta bënte një shërbim të tillë se e ka për detyrë. Përgjigjja e tij qe korrekte: “Do të mundohemi ta rregullojmë, – më tha, – por aktualisht nuk kam gjendje asnjë kazan”. U vura në kërkim të “kazanit të pastërtisë” dhe e gjeta. Atë e siguroi kryetarja e bashkisë fqinjë, asaj të Patosit, Rajmonda Balli, personi më punëtor dhe më i përkushtuar që kam njohur në zonën tonë. Pasi e përgëzova dhe e falënderova zonjën Balli, i thashë kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës të dërgonte një makinë ta merrte kazanin, por për çudi ndesha në një ngurrim të pashpjegueshëm. Pasi sigurova një makinë që do të sillte kazanin legjendë në Hekal, kërkova që bashkia ta vendoste zyrtarisht.

    Pas disa mesazheve të mbetura pa përgjigje (se kryetari i Bashkisë së Mallakastrës nuk di të dërgojë imejle), i shkrova deputetit, i cili gjithashtu nuk më ktheu përgjigje. Ky është një zakon i personave që nuk duan të punojnë, nuk duan t’i shërbejnë popullit që hiqen si të rëndësishëm dhe, për pasojë, nuk kthejnë përgjigje. I bëra një telefonatë kryetarit të bashkisë, por përgjigjja e tij qe as mish, as peshk, pata madje përshtypjen se i shkreti ishte gojëlidhur! U bëra kureshtar të kuptoja si qëndronte puna dhe përgjigjen e gjeta te fshatarët e zgjuar: “Por jo, o profesor,–më thanë ata,- mos u mundo kot se nuk e zgjidh ai problemin, ai edhe ata kazanë që janë nuk i zbraz rregullisht, por telefonoji më mirë deputetit se atë dëgjon ai, vëllanë e deputetit e ka drejtor kabineti të kryetarit”. Këto hollësi që më tha fshatari fisnik më habitën sepse ndërkohë Edi Rama çan e ndan rrjetet sociale duke thënë se të afërmit e deputetëve nuk duhet t’u afrohen zyrave të shtetit! Ndoqa, pra, këshillën që jep Balzaku në romanin e tij “Fshatarët”, sipas të cilit djalli fshihet te hollësitë, prandaj mora në telefon deputetin e zonës, person që e kisha njohur në rininë time, por që prej më shumë se 30 vjetësh nuk e kisha takuar sepse nuk na kishte lidhur puna.

    Pasi i përshkrova historinë e kazanit magjik, në telefonin pa fill dëgjova zërin kumbues të deputetit, që, me një logjike foshnjarake dhe me terma bolshevike, “argumentonte” përse kazani i plehrave nuk duhej të shkonte në destinacion. ”Ne kemi planet tona– ulërinte ai,–do të bëjmë studim, do të pyesim komunitetin, do të bëjmë një projekt, do të bëjmë tenderë dhe do ta zgjidhim problemin për gjithë fshatin… Sepse ju që vini si turistë”. Kërciste dhëmbët zotëria, ”duhet ta kuptoni, ne nuk duhet të krijojmë bllokmenë në fshat”. O Zot, thashë me vete, ky person ka katër vjet në bankat e Parlamentit dhe s’paska kuptuar asgjë… Si mund të ekzistojnë përfaqësues të tillë në shekullin XXI?

    Kryetari i paaftë, i cili çdo ankesë apo kërkesë të banorëve e trajton si tender dhe deputeti bolshevik i ringjallur mendojnë që ia hodhën, pasi i pari, kryetari i bashkisë “fitoi” në zgjedhjet monopartiake, kurse i dyti, deputeti, u emërua nga kryetari i partisë, por në fakt rezultatet i ka negative si për partinë, ashtu edhe si individ, sepse ka marrë tri herë më pak vota se kundërshtari i tij, prandaj populli, banorët, komuniteti nuk harron, i di të gjitha dhe e ka të qartë se nuk duhet t’i nënshtrohet injorancës dhe drejtuesve të korruptuar që bëjnë prepotentin në fshat dhe gojëmbyllurin në parlament.

    Nuk ka dyshim se deputetë të emëruar nga partitë dhe të pavotuar nga populli do të abuzojnë me postin e marrë pa të drejtë. Gjithmonë kam shkruar se problemet e mëdha në vendin tonë janë korrupsioni dhe paaftësia, duke e vënë theksin te kjo e fundit, sepse kam bindjen që i paafti e i panxëni i bëjnë të gjitha!

    Viktor Hygoi, ky shkrimtar e mendimtar i madh i Francës, atdheut tim të dytë, ka thënë: “Rreziku i vetëm për shoqërinë është Injoranca”. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme që e tregon haptas vetë jeta edhe në vendin tonë, ku sot gëlojnë e qeverisin sidomos të paaftët, të paditurit, të paformuarit, të pakënduarit apo të padalët, siç shprehet populli edhe në anët tona. Gjithsesi, isha i vendosur në përpjekjet e mia që kazanët e plehrave të shkonin patjetër në destinacion, prandaj më takon të falënderoj Kryeministrinë që ndërhyri dhe e këshilloi kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës të kryente detyrën si duhej, kurse sa për deputetin e lartpërmendur, shpresoj shumë që nga ky shkrim do të nxjerrë mësime, të kuptojë se nga dita kur ka pranuar të ulet në karrigen e deputetit, ai është shërbëtor i komunitetit dhe jo feudali i zonës, as qehajai i tutorit apo servili i padronit.

    *Oftalmolog, Profesor në Universitetin Mjekësor të Tiranës

    Lajmi Paraprak

    Si të ballafaqoni stresin para martesës

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut ngritet për 11 vende më mirë në Indeksin Global të Paqes

    Lajme tjera

    FRIKË NGA ZEMËRIMI

    Rrëfenjë arabePërktheu: Bajram Karabolli Shumë kohë më parë, midis myslimanëve, na ishte një luftëtar i madh, i cili…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë