Si u bë tentimi për vetëvrasje i një gruaje lehonë kryelajm i ditës? Pse mediat me lehtësi të madhe shpërndajnë lajme triviale, që nuk janë rezultat i punës hulumtuese në terren, por i gjurmimeve në rrjetet sociale dhe aplikacionet celulare? Si duhet të balancojë media mes lajmit sensacionalist dhe lajmit me interes publik? Si duhet të veprojë publiku, cilat janë mekanizmat që duhet të përdorë për të luftuar dezinformimin?
Shkruan: Arta Tahiri
Epoka e teknologjisë digjitale dhe e revolucionit të madh në fushën e informimit, fatkeqësisht e ka rrënuar gazetarinë e standardeve profesionale dhe normave etike.
Në të kaluarën, kriteret për atë se çfarë është ngjarje e vlefshme mediatike që meriton të bëhet lajm ishin më të rrepta, më decide dhe jo shumë fleksibile. Sot, gazetarët dhe një pjesë e atyre që punojnë në media gjoja si gazetarë, këto kritere i kanë ulur tepër.
Lajm është bërë gjithçka, edhe ngjarjet që nuk kanë vlerë të madhe shoqërore apo ato që nuk kanë interes publik, ngjarje që vetvetiu paraqesin sensacion, madje edhe ngjarje të imagjinuara apo ngjarje në të cilat faktet janë të paverifikuara!
Tentimi për vetëvrasje, kryelajm i mediave
Lajm i ditës, më 3 korrik, ishte tentimi për vetëvrasje i një gruaje lehonë në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup. I madh ishte numri i mediave që kësaj ngjarjeje i dhanë hapësirë të konsiderueshme, madje duke e prezantuar edhe si ekskluzive, edhe pse e të njëjta nuk përfaqëson interes publik! Kështu, portali përmbledhës i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk evidentoi shumë lajme me titullin “Shkupjania lindi fëmijë, pastaj u hodh nga dritarja në Klinikën e Gjinekologjisë“. Edhe portali përmbledhës i lajmeve në gjuhën shqipe Fax.al ka evidentuar shumë media, që me pompozitet kanë raportuar mbi ngjarjen e rëndë dhe mbi gjendjen shëndetësore të gruas lehonë. Ajo që është për të ardhur keq dhe që i katandis normat etike është publikimi i videos nga ngjarja, që më pas është hequr nga një pjesë e mediave si reflektim etik!
E kemi theksuar se “Sipas etikës profesionale gazetareske, nuk duhet të shfrytëzohen fotografi ose video – xhirime nga vendi i vetëvrasjes, veçanërisht kur prej tyre lexuesi ose shikuesi mund ta përcaktojë lokacionin dhe metodën e vetëvrasjes. Përveç kësaj, nuk duhet të shfrytëzohen fotografi nga viktima që ka bërë vetëvrasje, si dhe letra ose porosi të lëna”.
Etika në gazetari kërkon që mediat të sillen me një kujdes të jashtëzakonshëm kur informojnë për vetëvrasjet ose për tentimet për vetëvrasje. Për këtë aprovohet praktika që thuajse të mos shkruhet apo raportohet për vetëvrasjet, e veçanërisht të njerëzve që nuk janë fytyra publike.
Lajme të çuditshme, media të çuditshme!
Që “lajmi i keq është lajm i mirë” – kjo nuk ka dyshim, por që bëhet lajm që e vë lexuesin në dilema, edhe pse media brenda përmbajtjes shpjegon se bëhet fjalë për manipulim, kjo është e tepruar! Titulli i lajmit (të konstruktuar) apo të montuar është “Hedhin vetura nga kulmi i godinës: Lojë video ose egërsi pa kufij në Paris?”
Por vetë portali shpjegon qartë se “Deri në cilën masë arrin fuqia e manipulimit mediatik është edhe fakti që në internet përhapet video, në të cilën shihet se si njerëzi hedhin makina në rrugë nga kulmi i godinave, ndërsa në fakt bëhet fjalë për animacion nga loja video”.
Në shkrimin e njëjtë, komentohet me fjalor negativ mbi presidentin francez, ndërsa Kosova quhet “Kosova dhe Metohia”.
“Emanuell Makron, presidenti i Francës, njeriu i cili di si ta zgjidh Kosovën dhe Metohinë, por jo edhe Parisn, Marsejin, Lion dhe qytetet në vendin e tij, mbi të cilat siç duket e humb kontrollin, nga ditë në ditë është i befasuar nga trazirat e mëdha të qytetarëve të tij”, thuhet në këtë shkrim.
Peizazhit mediatik nuk i mungojnë dezinformatat e qëllimshme, ato që janë rezultat i punës së dobët gazetareske dhe gabimeve editoriale apo të redaksive, si dhe informata të dëmshme, që janë të sakta, por që kanë të bëjnë me jetën private të individëve dhe nuk përfaqësojnë interes publik.
Andaj, nevojitet edukim mediatik i publikut që t’u bëjë ballë deformimeve profesionale në raportim. /IMA/
(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut