Korrupsioni frytdhënës në zgjedhjet e 25 prillit

    PREÇ ZOGAJ

    Nga janari i vitit të shkuar deri në prill të këtij viti janë asistuar nga Agjencia e Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave 1275 procedura tenderimesh të bashkive të vendit, në fazën e shpalljes. 88.5% e tyre kanë rezultuar me problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye, Agjencia e Prokurimit Publik u ka dërguar bashkive përkatëse rekomandime konkrete për korrigjime. Më shumë se gjysma e bashkive i kanë futur në sirtar apo hedhur në kosh këto rekomandime. Asnjë reagim, asnjë reflektim nga ana e tyre. Këto informacione janë shkëputur nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e tij me kryetarët e bashkive të vendit, që të gjithë socialistë, mbajtur para ditësh, pas arrestimit nga SPAK të kryebashkiakut të Lushnjës.

    Le të mendojmë për një çast se shifrat në fjalë janë e vërteta e qëruar e tenderimeve vendore në periudhën janar 2002-prill 2021. Rezulton se rreth pesëdhjetë e tre për qind e tyre janë “me probleme”. Në fakt, ato që kryeministri i quan me fjalën e butë e të rrumbullakosur “probleme” janë shkelje, janë abuzime, janë pazare mes fituesve të paracaktuar dhe kryebashkiakëve që kontrollojnë qindarkat e jo më milionat e granteve nga buxheti i shtetit dhe taksat vendore. Me një fjalë, janë korrupsion i pastër në një praktikë tenderimesh kur për garë as që bëhet fjalë. Gara është zhdukur prej vitesh në tenderët që zhvillon qeveria dhe institucionet e tjera qendrore. Pushteti vendor ka ndjekur edhe në këtë pikë shembullin që vjen nga lart. Për ta bërë më keq.

    Kjo tablo e zezë shtrihet më thellë në kohë se periudha pesëmbëdhjetë mujore që referoi Kryeministri. Ka arsye dhe fakte të shumta për të pohuar se tenderimet dhe lejet abuzive të ndërtimit në shumicën e bashkive kanë qenë më të shumta përpara se të ngrihej SPAK-u dhe të fillonte të merrte formë kërcënimi që vjen nga ndëshkueshmëria si qëllim final i Reformës në Drejtësi. Kush nuk e ka mësuar të vërteten e batërdisë me tenderët nga Agjencia e Prokurimit Publik, që duke qenë një instrument i qeverisë bën në të mirë e në të keqe lojën e saj, ka pasur mundësi ta mësojë nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga mediat e pavarura, nga denoncimet periodike të opozitës, nga ankesat dhe reklamimet e sipërmarrësve që kanë qenë viktima të garave të mbyllura.

    Reklamime, të cilat duke rënë në vesh të shurdhër, kanë ardhur duke shteruar njëlloj si thirrjet për ndihmë në vakum. Sidoqoftë, sado arbitrar të duket afati janar 2020-prill 2021 që merr në shqyrtim Rama, duke lënë në terr vitet e tjera të qeverisjes vendore, shifrat e raportimit të tij thyejnë zakonin për të fshehur e zbukuruar të vërtetën e babëzisë me fondet dhe shërbimet publike. Pse tani, ku kërkon të dalë, kujt po ia bën gropën? Këto pyetje i dëgjojmë gjithandej. Për mua ka rëndësi ngritja, qoftë edhe paksa, e perdes së degradimit nga vetë i zoti i punës.

    Dikush mund të jetë duke menduar këtë çast: zoti Rama nuk e preku qeverinë qendrore në “diatribën” e tij kundër vendorëve. Përkundrazi, e lavdëroi. Ky është një lavdërim në boshllëk. Ka një ligjësi që qëndron mbi spërdredhjet e retorikës. Ligjësia është: nuk mund të këtë një pushtet qendror të pastër me një pushtet vendor të fëlliqur të së njëjtës parti. Për këtë s’ka nevojë të kemi informacione. Logjika në këtë rrafsh është më informuese se informimi. Nga ky këndvështrim, është mirë që Rama foli siç foli. Vazhdimi i mbulimit me propagandë dhe me heshtje i abuzimeve e vjedhjeve shërben çdo ditë thellimin e së keqes.

    Rama mund ta ketë kuptuar se zullumi këputet kur trashet dhe po nxiton ta hollojë sadopak në një vektor të pushtetit të tij të stërmadh. Mund ta këtë edhe për gjueti selektive brenda llojit, për propagandë, për të reklamuar tezën perverse “ne e bëjmë vetë edhe pozitën, edhe opozitën”, për t’u hedhur hi syve njerëzve domethënë. E vërteta do të shihet nëse i qënvijon nga faqja 1 dron apo jo asaj që tha në të njëjtën mbledhje se kryebashkiakët që kanë abuzuar do të paditen në SPAK.

    Ky është verifikimi më i lehtë për t’u bërë. Ofertat në kufijtë e vlerës së tenderit, shmangia e konkurrentëve me marifete tashmë të njohura, që nga “qepja” e kritereve në shërbim të fituesit të paracaktuar, deri te përjashtimi me negociata apo kërcënime i kompanive fituese që kanë paraqitur oferta me marzh normal apo të ulët fitimi, në prishje të pazareve në tavolina- të gjitha këto e plot të tjera kanë lënë gjurmë të qarta për t’u paditur menjëherë në SPAK.

    Ketë duhet ta bëjë edhe opozita, e cila mund të ketë nxjerrë mësime prej faktit se SPAK vihet më shpejt në lëvizje nga padi konkrete, siç e dëshmon rasti i tenderit në Bashkinë e Lushnjës apo ai për Uniformat e Policisë. Tani të vijmë te një element tjetër i raportimit të Kryeministrit, që është afati fundor i periudhës së referuar prej tij: muaji prill i këtij viti. Është muaji i zgjedhjeve parlamentare që kanë përfunduar tashmë. Me pak përjashtime, shumica e kryebashkiakëve socialistë kanë qenë detashmenti pararojë i Ramës në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, patronazhistët më specialë mund të themi, që kanë ekzekutuar në terren skemën e tij të njohur të rrethimit të zgjedhjeve dhe zgjedhësve. Në çdo pikëpamje. Nga natyra, vartësit e kapur e të korruptuar janë kampionë të përdorimit dhe vetëpërdorimit për hesap të shefit.

    Në këtë mënyrë, mbështetur në çfarë ka ndodhur e ndodh në vend, ata besojnë se mund të vazhdojnë të bëjnë çfarë të duan në “çifligun” e tyre pasi t’i dorëzojnë trofenë shefit. Ndaj themi se më të zellshmit e detashmentit të Ramës ka gjasa të sigurta të kenë qenë pikërisht që e kanë bërë baltë me tenderë e leje ndërtimi. Pra, ata që shënjestrën tani zoti Rama. Por, pasi i ka marrë në zgjedhje frytet e korrupsionit dhe angazhimit të tyre. Kryeministri nuk është ndjerë, i ka lënë në gjuetinë e tyre të ethshme të votave për karrigen e tij. Korrupsioni i kryebashkiakëve që denoncon tani zoti Rama ka pjesën e vet në rezultatin e PS-së.

    Ai rezulton të këtë qenë i frytshëm, fitimtar. Kjo e bën akoma më vulnerabël fitoren e PS-së, sikurse bën vulnerabël vetë zgjedhjet e 25 prillit. Këto zgjedhje e kanë shumë të vështirë të mbajnë me rolin aktiv të korrupsionit dhe llumit në zhvillimin dhe rezultatin e tyre. I vetëdijshëm për këtë dhe duke parë se majat e degradimit të përgjithshëm në vend po lartohen sa të shqyejnë çdo mbulesë propagandistike, Rama po provon të ngrejë shpatën. A thua ka fituar mandatin e parë e jo të tretin. A thua nuk i ka përzgjedhur e emëruar me dorën e tij deputetët, kryebashkiakët, zyrtarët e lartë publikë e plot funksionarë të tjerë, duke kënaqur deri ekstravaganca tipike me emërime të mbështetura në njohje të përcipta.

    Pak përpara se të mblidhte kryebashkiakët, ai i dha ultimatum me afat Policisë së Shtetit- një absurditet në shtetin e së drejtës, ku marrëdhëniet, karriera, promocioni, ndëshkimi dhe gjithçka tjetër rregullohet me ligj. Rama tani po nis të përballet me pasojat e personalizimit të pushtetit dhe të sundimit të njëshit si tipari themelor i qeverisjes së tij, në vend të sundimit të ligjit si tipar themelor i shtetit demokratik. Është në ligjësitë e sistemit demokratik: gjithçka e sundimit të njëshit të vazhdojë të degradojë e të shembet, nën ultimatumet dhe kërcënimet e tij pa vlerë, ndoshta prej të habituri, ndërsa ka thurur një mendim të lartë për vetën e tij si shpëtimtar i vendit.

    Kështu ndodh gjithmonë. I kemi parë këto skena. Historia njeh jo pak raste të efektit bumerang të qasjes shëlbuese ndaj politkanëve shëlbues të vetëquajtur shpëtimtarë. Për viktimat e qeverisjes së tyre mbetet ngushëllimi se ata i përdredhin si të duan ligjet e shkruara, por munden nga ligjet e sistemit./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Drejtësi, por duke mbrojtur dinjitetin

    Lajmi i rradhës

    Bletari 7-vjeçar me 50,000 bletë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë