Gabimet amerikane në lirinë për Irakun

    Rilind Dauti

    Rilind Dauti

    U mbushën 20 vite nga pushtimi amerikan i Irakut, i nisur nga një akuzë e rrejshme për pronësi të armëve për shkatërrim në masë (që edhe po të kishin ekzistuar, përse mendon se me ato armë Iraku do ta sulmonte Amerikën mijëra kilometra larg?), dhe i titulluar me emër ironik: Operacioni “Liri për Irakun”.

    Numri i viktimave nga ky operacion një-mujor ishte mjaft i madh, por shumë më i vogël se viktimat e shkaktuara më vonë nga luftimet sektare dhe rezistenca militante ndaj qeverive-kukulla të Irakut. Kjo çoi në vazhdimin e luftimeve të amerikanëve dhe ushtrisë së re irakiane të mbështetur prej tyre, ndërsa kjo përfshinte vdekje të shumë civilëve nga sulmet amerikane prej helikopterit (dronët do të bëhen modus operandi amerikane më vonë), dhe torturim të militantëve të burgosur, e bërë kryesisht nga organet e reja irakiane të sigurisë të mbështetura nga amerikanët, ndërsa shpesh edhe direkt nga amerikanët.

    Ndoshta SHBA ka menduar se me Irakun mund të veprojë si me Gjermaninë dhe Japoninë pas Luftës së Dytë Botërore: duke i mbajtur të okupuara, njëkohësisht i rindërtoi nga shkatërrimet e luftës, pushtetin autokratik ua zëvendësoi me institucione demokratike, pastaj u largua nga këto vende duke lënë trashëgimi shtete dhe popuj që tashmë i çmojnë dhe i duan SHBA-të si mik.

    Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës gabuan shumë nëse menduan se ajo që ndodhi me Gjermaninë dhe Japoninë pas L2B, mund të përsëritet me arabët dhe muslimanët.

    SHBA nuk mori mësim nga rasti me Arabinë Saudite, ku më 1990 ushtarët amerikanë erdhën si aleatë dhe me lejen e Mbretit Fahd, por prapëseprapë kjo prani e ushtarëve amerikanë në Arabinë Saudite ishte e papranueshme për shumicën e botës arabe. Kur nuk je i dëshiruar as si aleat dhe me lejen e një mbreti që legjitimitetin e nxjerr nga të qenurit “Gardian i Dy Xhamive të Shenjta”, mendon se në Irak do të jesh i mirëseardhur si pushtues dhe okupator?! (Sado që qëllimi yt është “Liria për Irakun”.)

    SHBA vrau shumë më pak irakianë sesa gjermanë apo japonezë, Irakun e shkatërroi më pak se Gjermaninë apo Japoninë, dhe për rindërtimin/mbindërtimin e Irakut shpenzoi më shumë se për rindërtimin e Gjermanisë dhe Japonisë. Por të gjithë ato të holla shkuan kot nga keqpërdorimet e zyrtarëve të korruptuar irakianë mbrapa të cilëve qëndronte pikërisht SHBA, ndërsa investimet e bëra me sukses u shkatërruan ose populli nuk ua pa hajrin për shkak të destabilizimit të Irakut që erdhi pikërisht nga Operacioni “Liri për Irakun”.

    Larg nga të qenurit prej shqiptarëve që e duan Sadamin sepse ishte “azgan” që përballej me amerikanët të cilët janë “armiq të muslimanëve”, për mua s’ka dyshim se Sadami ishte një diktator tiranik që me dekada ka shkaktuar vuajtje të mëdha për popullin irakian. Ata për të cilët kjo nuk kishte rëndësi sepse “Sadami i vriste shijat e fëlliqur”, duhet përkujtuar që Sadami i vriste edhe kurdët, e pushtoi Kuvajtin, dhe e sulmoi Arabinë Saudite, të cilët po ashtu janë sunitë. Më tej, ç’të themi për faktin që Iraku i Sadamit kishte marrëdhënie miqësore me RFJ-në e Millosheviqit që e shkaktoi vdekjen e mijëra boshnjakëve dhe shqiptarëve, dhe këto krime i arsyetonte me propagandë antiislame? Apo, ç’të themi për faktin që Iraku i Sadamit zgjidhjen e konfliktit çeçen e kërkonte duke e respektuar integritetin territorial të Rusisë, ndërsa amerikanët “armiq të muslimanëve” e mbështesnin vetëvendosjen e popullit çeçen?

    Por përskaj tiranisë së tij, dhe faktit që bëri shumë veprime dëshpëruese edhe për ata që e donin sepse ishte trim ndaj amerikanëve dhe gardian i interesave sunite përballë shijave, është një e vërtetë e hidhur që Iraku i Sadamit ishte shumë më i qetë dhe stabil se ajo që ndodhi më vonë, sepse dhuna shtetërore është më pak e keqe se anarkia. Në këtë mënyrë, Iraku post-Sadam u bë terren i përshtatshëm për aktorët e dhunshëm joshtetërorë dhe për destabilizimin e mëtejshëm përmes përzierjes së shteteve të huaja, siç është Irani që qëndron mbrapa milicive shiite.

    Shkaqe të tjera për dështimin e pranisë amerikane disa i përmendin edhe gabimin e amerikanëve gjatë ngritjes së organeve irakiane të reja të sigurisë: përderisa më 1955 në Bundeswehr SHBA lejoi të ketë ish-oficerë të Wehrmacht-it të Hitlerit, në organet e reja të sigurisë së Irakut amerikanët nuk i lejuan ish-oficerët e Sadamit. Pastaj, nga pakënaqësia, këta ish-oficerë me përvojë ushtarake të fituar në ushtrinë e Irakut Baathist që ishte kryesisht sekular, iu bashkëngjitën grupeve militante islamiste! Si një shkak shtesë cinikët e përmendin edhe nivelin e shkollimit të irakianëve krahasuar me gjermanët dhe japonezët, dhe disa flasin edhe për mospërputhje kulturore: që SHBA dëshironte të ndërtojë demokraci liberale për popullin irakian që nuk e din se ç’është demokracia. Por a thua irakianët ishin më të papërgatitur për demokraci sesa japonezët që Perandorin e konsideronin hyjni? Apo më të papërgatitur për demokraci sesa popujt e ish-shteteve komuniste pas rënies së këtyre regjimeve?

    Cilat do të ishin shkaqet tjera, rezultati i operacionit “Liri për Irakun” është një Irak i destabilizuar që 20 vjet më vonë nuk mund të gjejë paqe stabile, ku u vranë qindra mijë njerëz, dhe shumë të tjerë mbetën jetimë ose të veja. Një Irak i paaftë të ushtrojë sovranitet të vërtetë në tërë territorin e vet dhe fushë e përshtatshme për përzierje nga shtetet e huaja (përfshirë dhe vet SHBA-të që edhe pas largimit zyrtar në fund të 2011, disa herë e kanë përsëritur shkeljen e sovranitetit të Irakut).

    Pasoja kanë patur edhe vet SHBA-të, me mijëra ushtarë të vrarë, të plagosur fizikisht, dhe të mbetur me trauma. Një SHBA më e urryer te një pjesë e madhe e botës muslimane dhe me reputacion të dëmtuar botëror ngaqë e shkeli Kartën e OKB-së me pretekst të rrejshëm dhe nga fakti që ky veprim la pasoja negative që ndjehen sot e kësaj dite. /Nistori/

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Vuçiq refuzoi ofertën time për vetëmenaxhimin e serbëve

    Lajmi i rradhës

    Fëmijët e Tetovës që garojnë në shkencë në International STEM Olympiad

    Lajme tjera

    Pleshti dhe Jorgani

    EDMOND TUPJA Kur ia prezantuan Théophile Gautier-it, këtij shkrimtari të famshëm francez të shekullit XIX, Charles Baudelaire-in si…
    Më tepër

    Në shekullin XXI

    LEONARD DEMI Një vit më parë, Rusia, një shtet europian, fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë