Gruaja shqiptare, si simbol i fatit të kombit

    Përtej asaj që flet një poezi

    (Për përmbledhjen poetike Breza grash” të poetes Adelina Xhaferi)

    Nga poeti Rami Kamberi

    “Kam mall ta dua natë.

    Larg ma kanë degdisur shekujt

    dhe gratë me gjinjtë e shpërthyer

    që në odat e moçme djallëzisht qëndisin paja

    për MUA

    dhe

    pastaj

    i djegin

    po prapë për MUA”.

    Matanë asaj që flet vargu është një shpërthim i një ndjenje që, që në fillim të librit me poezi “Breza grash”, të autores Adelina Xhaferi, dëshmon se femra (në këtë rast si poete), ka arritur t’u drejtohet sfiduesve të tyre, se mundet që ta kthejë kohën pas, kur në atdheun tonë historik – Iliri, femra ishte simbol jo vetëm i bukurisë, por edhe simbol i fuqisë, që jepte e merrte të drejtën për të qenë e lirë apo robëreshë brenda pushtetit të saj, duke përcaktuar edhe fatin e kombit. Pra, duke na e përshkruar koherencën e femrës shqiptare pas ikjes së lirisë së Ilirisë, kur mes nesh u përplasen kultura dhe adete të perandorive të cilat na i impononin doket e tyre, kur qytetërimi ilir u harrua dhe populli ynë iu nënshtrua asaj kulture që imponohej përmes pushtimit dhe fesë, del se femrës shqiptare iu morën të drejtat për të qenë e barabartë:

    • në shoqëri;
    • në pushtet;
    • në vetëvendosje.

    Andaj mendoj se jo rastësisht para cikleve të kësaj vepre letrare, poezitë ndahen në tre cikle, si:

    • PËR MUA;
    • PËR TË;
    • PËR NE.

    Poetja Adelina Xhaferi, librin e saj të dytë me poezi “Breza grash” e fillon me një shpërthim nga kujtesa dhe përjetimet jetike të femrës shqiptare, për të arritur te figura emblemë “Matanë asaj që flet vargu”, që lirshëm mund të themi se është edhe një prurje mjaft figurative, e cila për mendimin tim edhe duhej të ishte titulli i librit “Breza grash” (kuptohet duke u mbështetur në vetë tematikat të cilat i trajton kjo poete), e cila poezive u jep ndjenja femërore, qoftë si:

    • Vajzë;
    • Poete;
    • Intelektuale.

    Them kështu ngase po qe se e lexojmë poezinë “Breza grash”, në ciklin poetik “PËR MUA”, poezi kjo e cila dëshmon se poetja në fjalë ia kushton vetë lindjes së saj, duke i përfshirë në këtë rast tri breza grash brenda një familjeje të vetme, e cila sipas adeteve të imponuara nga pushtuesit e huaj dëshmon se kultit të familjes shqiptare ia morën nga brenda dashurinë për vajzat dhe lindjet e tyre shiheshin si mallkime dhe jo si gëzim. Ja si e thotë poetja këtë:

    “Kur linda në agun e të mërkurës

    ia mbyllën shtëpisë derën e madhe

    të mos m’i shihte sytë bota,

    në dritaret e heshtura kah udha

    perde të zeza vuri dorë e fatit,

    mbi time MË ranë mallkime të shumta

    e për GJYSHEN dhimbje të re lëshoi dita”.

    Është një shpërthim shpirtëror i poetes (sipas temës të cilën e trajton në poezi) i cili i lidh tre breza lindjesh, të cilat menjëherë na orientojnë të kuptojmë se femra shqiptare që në lindje ishte:

    • e mallkuar;
    • e padashur;
    • e ngujuar;
    • e robëruar.

    Pra, ajo duhej të pajtohej me fatin i saj si femër, pa të drejtë që t’i shijonte bukuritë e jetës apo me rritjen e saj edhe lirinë për dashuri dhe lirinë për të qenë faktor vendimmarrës në familje e më gjerë. Thuajse të gjitha poezitë e ciklit në fjalë janë me një ngjyrë jete, pa të drejtën e saj që të mësojë edhe se ç’është dashuria, siç na e përshkruan edhe në poezinë “Dashurisë i duhet psalm”:

    “S’m’i mësuan psalmet e dashurisë.

    Kuturu

    mot për mot

    në kullat e kthyera kah livadhet e brezave

    veç rritjen e GJIRIT ma kundruan

    gratë

    dhe ime MË

    e më pas fytyrës mos t’ia lyeja buzët

    më pëshpëritën në vesh

    TRI herë

    TRIDHJETË

    TRIDHJETË e TRI herë

    aq sa në mua

    po prapë

    në kullat e gurit me ftohtësi shekujsh

    mallkime do lexonin PERËNDITË moderne”.

    Kjo është një koherencë e trishtuar jete ndër breza, brenda familjeve shqiptare. Them me plotë brinje shqiptare ngase poezia në fjalë me të gjitha të tjerat në këtë përmbledhje, del nga shpirti i një shqiptareje, e cila me vrullin poetik, shpërthen për një liri jete që i ka munguar. Pra, poezitë e saj na shfaqin një realitet jete që sot edhe në ëndërr do të na trishtonte. Si rrjedhojë e jetës në të cilën femra shqiptare është fatprerë, në ciklin “PËR TË”, që sipas poezive del se flet për dashurinë e cila nuk guxon të dashurojë, por është e detyruar të kërkojë leje për të dashuruar atë që ia do zemra e shpirti. Është cikël që fillon me një përshkrim të shkurtër, si psherëtimë poetike:

    “Natë!

    Në të ji dhe për mua dashuri!

    E siç të kanë mësuar me shekuj

    mbi buzë lëshoja mallin!

    Është kjo një psherëtimë poetike, e cila ndiqet me poezinë “Ji dashuri Odise!”, një rrugëtim i bukur dashurie që del nga dashuria për dashuri e që i rikthehet sërish plagës së vjetër ndër breza, për ta gjetur fatin ose për ta përcaktuar atë, siç na e përshkruan poetja Adelina në poezinë e saj “M’i fol tim ati e nënës!”, duke u ndërlidhur me një histori të shndërruar në legjendë, si ajo e Rozafës, e cila jetën e saj e kishte në duart e burrave për ta lartësuar kalanë, e që për epilog i mbetej vetëm flijimi, njëjtë si shumë gra shqiptare, të cilat flijoheshin për ta ruajtur “nderin” e familjes, për të mos qenë në gojën e botës (kuptohet sipas adeteve të cilat na erdhën ndër shekuj), flijim ky të cilin poetja na e përshkruan mes legjendës dhe realitetit. Ja se si del kjo:

    “Eja dhe m’i fol NËNËS pranë shtratit të drunjtë

    për timen pritje netëve të ftohta

    e thuaji se këto net i dua

    për besëlidhje të reja tek gdhihen dashnorët

    me shpresë se ROZAFA ende e mbanë urën

    e në gjinjtë e grave të ngujuara

    mallet lëshohen

    çast më çast

    ditë për ditë.

    Foli dhe tim ETI atje tek dredh duhanin

    e si mik për tonën të nesërme kapja dorën

    mëngjeseve të mendueshme.

    Eja dhe foli veç për tonën DASHURI

    e ashtu tek do ta afrojë duhanin për rrëfime shekuj

    i thuaj

    se në MUA të ka varur ZOTI që ditën e tretë!

    I dhimbshëm duket fati i grave shqiptare, e më një dhimbje më të madhe na i shfaq fatet e tyre edhe në poezitë e saj poetja Adelina Xhaferi në librin e saj me poezi “Breza grash”, e cila epilogun e kësaj vepre të veçantë dhe mjaft tërheqëse poetike e arrin në ciklin “PËR NE” edhe atë që në poezinë “Unë dhe ti e asgjëja”, duke na dëshmuar në këtë mënyrë se adetet e huaja ndër shekuj e errët të fatit tonë kombëtar, si liria, dashuria dhe atdheu janë viktima të përplasjeve të kulturave dhe adeteve të huaja, të cilat na i lanë të huajt për të na robëruar për shumë shekuj. Edhe sot në një mënyrë a në një tjetër na mbajnë të ngujuar, njëjtë, si lirinë dhe atdheun e humbur, po ashtu edhe dashurinë e moçme, duke na e paragjykuar atë si:

    • mëkat;
    • amoralitet.

    “Rendim çdo natë atje tek lihen buzët

    e për mëkatet e radhës i lutemi perëndisë

    si të dalë mendsh

    përtej harresës se jemi të vdekshëm

    se MUA dhe TY s’na mësuan largimin

    dhe ftohjen nga trupat që bëhen çifte dashnorësh.”

    Besoj se na mjaftojnë këto vargje të veprës në fjalë për ta kuptuar epilogun e saj, të pagëzuar mjaft bukur nga poetja e re Adelina, “Breza grash”, të cilat besoj se janë edhe klithmat më të bukura të jetës nga një vajzë shqiptare, për të treguar një realitet të hidhur e të errët të shoqërisë sonë, në të cilën vajza, gruaja është thjeshtë vetëm një viktimë për ta jetuar jetën që nga lindja e deri në vdekje, jo si një jetë të falur nga Zoti për ta shijuar, për ta dashuruar dhe për të qenë e bekuara nga ai si e shenjtë, sepse edhe ajo mund të jetë dhe është e dashur si:

    • motër;
    • nënë;
    • gjyshe;
    • më shumë se kaq;

    ose:

    • shoqe;
    • kolege;
    • dashnore.

    Kështu që gjeografia e veçantë e poetes në fjalë, shkurt e shqip thënë, duket si një histori e dhimbshme e fatit të gruas shqiptare, të cilën Adelina si një mbrojtëse e të drejtave të vajzave dhe grave kudo që janë, ose më mirë thënë si një luftëtare e mbetur në fushëbetejë, tregon se e kërkon sfiduesin për ta sfiduar dhe për t’i thënë se femrat janë gurra e vetme e jetës dhe se po të mos ishin ato s’do të ishin as djemtë, as burrat dhe as bota.

    Lajmi Paraprak

    Plagosen dy persona në Prishtinë gjatë një sulmi me armë zjarri

    Lajmi i rradhës

    Bota pranë bumit të ri teknologjik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë