Jo thjesht si Porto Rikoja

    EDMOND TUPJA

    Duke qenë se në ditët e netët e sotme jeta politike tek ne po drejtohet praktikisht nga Shkëlqesia e saj Yuri Kim, Ambasadoreshë e Ndriçuar e SHBA-ve në Republikën e Errësuar të Shqipërisë, ku mbarë populli e ka për zemër e me kimet zonjën në fjalë, krejt natyrshëm më erdhi në mendje Porto Rikoja, një ishull midis Republikës Dominikane dhe ishujve të Virgjër, çka më shtyu t’i drejtohesha Fjalorit enciklopedik Robert-2 të gjuhës frënge; ky fjalor më mësoi se Porto Rikon, këtë koloni të tyren, spanjollët ua shitën SHBA-ve në fund të shekullit XIX, se në vitin 1917 portorikanët morën shtetësinë amerikane, se kushtetuta e vitit 1952 i dha Porto Rikos statusin e shtetit të lirë ortak të SHBA-ve, se në fakt Porto Rikoja nisi kështu të varej tërësisht nga këto të fundit dhe se guvernatori i ishullit kishte të gjitha attributet e një kryetari shteti.

    Nga ana tjetër, siç më informoi bujarisht e saktësisht zoti Internet, në prill të këtij viti (2021), demokratët paraqitën një projektligj në Kongresin e SHBA-ve  për të filluar procesin e përcaktimit të statusit të ardhshëm të Porto Rikos, të marrëdhënieve të këtij vendi me SHBA-të, përfshirë integrimin e tij të mundshëm në gjirin e këtyre.

    Në dritën e çmuar të këtyre të dhënave, të mëdha janë gjasat që Republika e Errësuar e Shqipërisë të ndjekë shembullin e Porto Rikos. Përse kështu? Sepse një erë e re historike sapo ka nisur për të tashmen e për të ardhmen e atdheut tonë krenarisht kapitalist!

    Tani që Edi Rama, kryeministri ynë i përjetshëm, ka nënshkruar paktin përfundimtar që Shqipëria të kthehet në një vend satelit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; tani që Shqipëria do t’u rrijë SHBA-ve gatitu, peqe-lepe dhe si urdhëroni; tani që shqiptarët do të tregohen të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka kanë më të çmuar për të merituar tërë të mirat e kësaj bote, madje edhe të mirat e Botës së Përtejme, ku janë gati të shkojnë individualisht, familjarisht e kombëtarisht nga dashuria e pafundme për SHBA-të; tani që Shqipëria mezi po pret të zbrazet plotësisht e kryekëput në mënyrë që të ripopullohet me kë të dëshirojë Shtëpia e Bardhë po të gjendet në ditë të zezë; tani që Shqipëria është gati t’i dërgojë bijat e bijtë e saj të luftojnë edhe jashtë sistemit tonë diellor për të  mbrojtur interesat supreme e sublime të SHBA-ve; tani që Feja e Shqiptarit është bërë Amerikania; tani që teologët amerikanë me origjinë shqiptare, nisur nga Dhjata e Vjetër, e cila fillon me fjalinë “E para ishte fjala”, kanë zbuluar se fillimisht dora e Zotit kishte shkruar “E para ishte fjala shqipe”, por Djalli gjeti një moment të përshtatshëm për t’i hequr kësaj fjalie fjalën e fundit; tani që etimologët amerikanë me origjinë shqiptare kanë prova të pamohueshme se në SHBA ka shumë toponime me prejardhje shqipe, si, për shembull, emri i qytetit Memphis, që me 1000 % siguri është themeluar nga fisi Mema fort i njohur në Shqipërinë e djeshme, e sotme e të nesërme, apo si emri i shtetit Michigan që ardhka nga bashkimi i emrave të dy themeluesve të tij, dy shqiptarë, Miço dhe Gani; tani që historianët amerikanë me origjinë shqiptare kanë vërtetuar se Amerikën, pra Tokën e Premtuar, e paska zbuluar i pari  pikërisht një shqiptar i quajtur Kolë Humbsi; tani që gjuhëtarët e Akademisë sonë të Shkencave garantojnë se gjuha shqipe po amerikanizohet me shumë sukses, dinjitet e krenari si në leksik e frazeologji, ashtu edhe në morfologji e sintaksë; tani që Amerika dhe Shqipëria janë përfundimisht dy kërthizat e botës moderne të lidhura pandashmërisht me njëra-tjetrën, atëherë, Edi Rama kryeministri ynë i përjetshëm, duhet t’i kërkojë me urgjencën më të madhe, më të gjerë, të gjatë, të lartë e të thellë Kuvendit tonë të porsambledhur të autorizojë me entuziazëm horizontal e me mallëngjim vertikal qeverinë tij që të ndërmarrë gjithë përçapjet e mundshme e të përfytyrueshme me synim shndërrimin e pakthyeshëm të Republikës së Shqipërisë jo vetëm në një shtet të lirë ortak me SHBA-të, jo thjesht si Porto Rikoja, por në shtetin e tyre të 51!/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Masat e reja anti Covid-19, për hyrje-dalje nga Kosova

    Lajmi i rradhës

    Ibrahim Biçakçiu, kryeministri që komunistët e kthyen në pastrues të banjave të Elbasanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë