Kjo (nuk) është një poezi për Bishtin e Pallës

    Klodi Leka

    Zonë ushtarake, adriatike, Bisht` i Pallës.

    Pasdite e korrikut, monedhë e florinjtë

    me profil mbreti, në gojën e mbyllur të një fëmije

    që nuk e di ku shkon.

    (Atyre që e dijnë u dhemb).

    Pasdite e prillit-gisht këmbe me thoin e porsaprerë

    mbi një qilim Persie plot flaute e zogj.

    Ky është Bishti i Pallës, ky është emër gjiri

    pasdite për pasdite

    rrethuar me revani të thata kodre: dhe deti përpara

    si xhami në kornizën e sapovarur në një agjenci

    udhëtimesh.

    Mbyllur gjithë lumturia në një epruvetëz trishtimesh,

    rërë e lagur gjer në kërci

    dhe kërcunj bie deti në gjinj, dhe mijëra shishe

    plastike,

    pa asnjë mesazh,

    dhe kukull-foshnje me kokerdhokë gome,

    dhe gjurmë qeni në ranishtet bie deti,

    dhe dhëmbë të thyer guackash.

    Lufta ime me gënjeshtrën dhe harresën

    prodhon poezinë për gjirin tim

    hermetik të Bishtit të Pallës.

    Ervin Hatibi

    Bishtpallë, 2005. Gërdalla e vjetër e linjës “Pranvera”- Porto-Romano na mori në Spitallë dhe na la te stacioni i fundit, njëfarë sheshpushimi me një pijetore, dyqan dhe dy rrugë për tu qasur në det. Rruga në të majtë të shpie te Kodrat, masivë të vegjël argjile të (de)militarizuar përballë Adriatikut, tashmë me shtëpi njëkatëshe ardhacakësh të rinj, sytë e murrmë e të cilëve brejnë me uri nga bluja. Kodra çahet nga një shteg gjarpërues që të nxjerr në breg, ku një popull i rigazmohet në mrekullinë e asaj pasditeje korriku. Lëkura e tyre nuk kishte qenë kurrë e ngopur me diell, zhargonet kaq të gëzueshme dhe çlodhja me shije peshku dhe shalqiri. Ka pasur një kohë kur të varfrit turreshin masivisht në plazh me pagurët e ngrira të ujit të mbështjella me gazetë, strajcën me bukë dhe sallam dhe një çarçaf të lidhur në katër hunj për të mrizuar. Por ky ishte një gëzim jetëshkurtër para shfaqjes së pronës së madhe private që i konvertoi ata në klasë punëtore, për të cilët deti në verë nuk është veçse një stinë e shpifur shfrytëzimi.

    Djathtas, rruga për në Bishtpallë. Kushërinjtë ku më patën çuar prindërit për pushime, më sollën vetëm një herë këtej dhe kujtesa e asaj dite më është ngulur në tru si një paharrim i përjetshëm, me ranishtën sa një Sahara dhe qiellin e vranët përsipër, brezin e pishave në lagunë, kandilat dhe leshterikët, copërat e mureve të vjetra romake të bleruara nga myshqet dhe peshkatarët si pelikanë të çuditshëm mbi një det të cekët dhe misterioz. Sigurisht, tetëmbëdhjetë vjet me vonë nuk shpresoja të rigjeja po atë romantizëm të errët të 2005. Pylli, i shkulur nga rrënjët, aq sa nuk të kapte syri as edhe një pishë jetime dhe relievet e rrafshuara me ruspë i kishin hapur vend një porti të ri nafte, me naftëmbajtëset që nga larg i shëmbëllenin një qyteti të bardhë të molepsur nga murtaja. Kodrat po kollofiteshin nga ekskavatorët dhe shtëpitë kacavirreshin në cepin e greminës si një makth që zor se mund të përfytyrohet edhe në ëndrrat e liga.

    Por ja, më në fund në horizont vegon kepi i Bishtpallës, një rrip argjilor toke i bleruar nga shkurrishtat dhe i rrethuar nga te dyja anët nga deti. Për të kullotur sytë me relievin në të cilin miti na thotë se ai, Pali i Damaskut, përgjatë endjes misionare nëpër Mesdhe pat ndaluar edhe këtu, duhet t’i ngjitesh një kodre përbri. Ku ndodhet një tavernë. Dhe poshtë tavernës dy ushtri veturash dhe shezlonësh. Në shpatin e majtë të gjirit, shkruar me germa të mëdha, emri i tavernës. Në krahun tjetër plazhi pa asnjë çadër dhe në fund të tij relievi i thyer i kepit. Zbres, ngul çadrën, hap një birrë, qesh me vete për kepin e Palit të trashur në bisht të Pallës dhe i gëzohem blusë me mendimin se për katër orët e ardhshme do t’i shpëtoj rrumpallës.

    Sidoqoftë, është e kotë të shpresosh se do të mund t’i shpëtosh rrumpallës dhe shkërdhatës së ditës që ta zë diellin në këtë vendin tonë. As pesë minuta dhe një burrec afër të gjashtëdhjetave avitet të shpallë – jo të tregojë, apo sqarojë, por të shpallë – se nuk lejohet ngrehja e një çadre aty. Kush je ti? – e pyes. I zoti, më thotë. I zoti i kepit? Po, i zoti i kepit. I kepit, i kepit?! Ore ti, ul çadrën dhe këput qafën të thashë, nga këtej je ti? – m’u gërmush duke aluduar rreth të folurës time. Zënka nuk do të mbyllej me aq nëse në mes nuk do të futej figura e gruas, aq karakteristike për folklorin konfliktual të burrave ballkanas: e dashura ime, e cila telefonon policinë. Burreci tërhiqet duke kërcënuar me çunat e tij, ne i qëndrojmë besimit se ligji është një telefonatë larg. Ulem të ndez një cigare, nervoz, me teshat e rrugës, tashme pa dëshirën për t’u kredhur në ato dallgë të dobëta që në fëmijëri më patën kallur krupë dhe pa humorin për ta imagjinuar Shën Palin duke gërhitur nga rraskapitja nën hijen e një fiku të egër.

    Ndoshta është e tepërt ta mendosh por vetëm një telefonatë larg na shmangu nga fati i duelit dramatik mes botëkrijuesit të Dhiatës së Vjetër dhe njeriut që do të hajë nga kopshti i tij, bajlozit dhe Gjergj Elez Alisë, arabit dhe Mërsosë, birit stoik të Alber Kamysë, kasaveti i keq i të cilit mund të të zërë kurdo në rrugët e atdheut, edhe përgjatë një të diele në plazh si kjo, ku befas normaliteti i dëshirës për të jetuar të mbetet në dorë dhe merr pamjen e një realiteti të ri, grotesk, të dhunshëm, i cili nëse nuk t’i shtie ethet në bark, të detyron t’ia çash ballin ndonjë katallani. Një telefonatë larg dhe letërsia e absurdit mund të rishkruhej në plazhin e Bishtpallës.  Një telefonatë larg dhe arsyeja mund të kishte dështuar – siç dështoi, në këto rreshta, duke më flakur në realizëm fantastik– po të mos ishte ai, zëri gjithnjë e më i dobti ligjit në telefon, i cili hëpërhë e mbajti në këmbë rendin e të drejtave për së paku tre persona, por jo edhe për shumë gjatë, por jo edhe për të gjithë.

    Para largimit, mbas katër orësh ndejë për çështje sedre, kundroj me ndjesinë e humbjes kepin, kodrat, ujin ngjyrë gurkali, një triliard kokrrizat e asaj rëre të bardhë dhe pemët ku vazhdon të flejë ndonjë ëndërr e Palit, si një nevojë e brendshme për të shpëtuar jo aq kujtimet e fëmijërisë, por kujtimin e asaj ditë të shkatërruar si qindra ditë të tjera përballë një të ardhmeje ku asgjë nga këto nuk do të mbetet në faqe të dheut dhe natyra e re e çimentos, kauçukut, hekurit, naftës, pares së pistë, segregimit social, do t’i përlajë të gjitha. Rrugës së kthimit, nga xhami i prapmë i veturës, vërej se në një plazhth të pisët, nën hijen e depozitave të naftës, ca çadraxhinj pinë me etje rrezet e fundit te diellit. /teza11/

    Imazhi: Autori

    Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

    Lajmi Paraprak

    Bujar Osmani: Ilija, mos i ndani çështjet në “shqiptare” dhe “maqedonase”, në vend që t’i trajtoni si një sfidë të përbashkët

    Lajmi i rradhës

    Inflacioni që ndryshon gjithçka

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë