Kulmi, kur i qahet halli Gjermanisë…!

    XHEVAT MUSTAFA 

    Qysh me fillimin e pandemisë COVID19, Gjermania ndjeu rrjedhojat negative të lëmshit të krizave. Si rrjedhojë e tyre ishte mbyllja e vitit 2023 me rritjen më të ulët ekonomike, në vetëm 0.2%, shifër që mbart dhe paralajmëron rënien e vazhdueshme në recesion, me rrjedhojat e tij karakteristike… Disa prej këtyre, që po i përjeton këto rreth 4 vjet edhe Gjermania, janë shtimi i ndjeshëm i shifrave të falimentimeve të bizneseve të vogla e të mesme, humbjet shumëmilionëshe në euro apo dollarë të bizneseve të mëdha; rritja e papunësisë…

    Drejtpërdrejtë lidhur me këto, detyrimi i qeverive të landeve dhe asaj federale për t’i ndihmuar financiarisht këto biznese që të rimëkëmben, ose të fillojnë një biznes tjetër. Njëkohësisht, qeverisë i duhet të ndihmojë edhe shumë të papunë të përkohshëm, deri sa të ripunësohen dhe qytetarët në masë, që të përkrahen për të përballuar sa më lehtë rrjedhojat apo efektet e rritjes së çmimeve të disa artikujve të konsumit të përditshëm jetik… Njëkohësisht, edhe që t’u rritet fuqia blerëse, për të zbrazur magazinat, sidomos ato të mëdha, të shumta në numër e të përqendruara…

    Të gjitha këto, në funksion dhe në dobi të ndikimit në përmirësimin dhe ekuilibrimin e niveleve të eksporte-importeve. Rreziku i afërt dhe i vështirë shmangshëm i recesionit të ri në Gjermani nuk mund të përjashtojë edhe gabimet dhe përgjegjësitë e qeverisjeve Merkel, sidomos me vartësinë e tepërt dhe “miope” prej shumë vitesh ndaj naftës dhe gazit rus si dhe me lënien e Kinës, të Indisë, Brazilit… për të rritur eksportet e tyre, edhe në Gjermani e në tregje të huaja, sidomos në Evropë, Azi, Afrikë, ku kompanitë gjermane ishin mbizotëruese.

    Gjithsesi, këtë dukuri Gjermania e ka përjetuar edhe më parë, në mënyrë thuajse ciklike, 5-10 vjet e prandaj nuk i lemeris fort qytetarët e thjeshtë. Për shumicën e tyre, recesioni është një e keqe komplekse, që ka edhe disa të mira. Në mënyrë figurative, recesioni është një gogol, që “ha qeveri”, por jo afro 1 milion njerëz si gjatë 10 viteve të Rama-qeverisë në Shqipëri. Me një dozë humori, gjermanët nuk ikin nga “tmerri” prej recesionit me mijëra në muaj për në vende të Perëndimit, aq më pak në Rusi, Serbi, Kinë, Shqipëri… por jetojnë në vendin e tyre, me besimin, dëshirën dhe shqetësimin që kjo krizë të kapërcehet sa më shpejt e lehtë.

    Optimizmi i tyre mbështetet te bindja se vendi i tyre i ka të bollshme kapacitetet njerëzore drejtuese dhe potencialet financiare, ekonomike, shkencore… për të shpëtuar nga recesioni dhe rrjedhojat e tij. Ky optimizëm mbështetet edhe tek shifra fare e freskët, e dt.29 shkurt 2024. Inflacioni për këtë muaj ishte në 2.5%! Për këtë përmirësim bindesh sidomos 3 ditëve të fundit të javëve, kur gjermanët mbushin gjatë ditëve supermarketet dhe blejnë pa iu dridhur duart çfarë u pëlqen dhe u duhet.

    Por, për ndjeshmërinë e pakët të krizës e të recesionit nga shumica e gjermanëve bindesh drekave dhe mbrëmjeve, po në fundjava, kur mbushin restorantet, sa në më të frekuentuarit, nëse nuk ke bërë më parë prenotim, mund të presësh edhe gjysmë ore e më shumë në këmbë. Duke qenë në Gjermani këto javë e duke i përjetuar vetë disa raste, përgjithësisht, me 25-50 euro një çift ha me pjata të mëdha, mbush me rreth 750 gr mishëra e artikujt të tjerë si garniturë si dhe pi ujë dhe pije alkoolike, sa ngopet e merr me vete në shtëpi gati gjysmën.

    Në të kundërt, me shumë gjasa, zhgënjimi dhe pakënaqësia masive në popull jo vetëm për një ngritje të lehtë të kostos së jetesës, por edhe për disa dukuri të tjera negative, të këtyre 4 viteve, kryesisht në pastërtinë e ambienteve dhe rrugicave, në rendin, qetësinë, rregullin, liberalizimin e tepruar e vështirë të kontrollueshëm, përhapur dhe masivizuar këto vitet e fundit edhe si rrjedhojë e shtimit të OJQ-ve Soros, të veprimtarive dhe të ndikimit të tyre…

    Por, edhe rrjedhoja të “lumit” të emigrantëve të rinj, që kanë përmbytur edhe Gjermaninë gjatë këtyre viteve të fundit, përfshirë edhe ata nga Ukraina. Gjatë këtyre dy viteve nga Ukraina janë strehuar në Gjermani rreth 1 milion refugjatë! Por, prej tyre vetëm 17% punojnë e jetojnë me të ardhurat e punës së vet, ndryshe nga sa ndodh në Poloninë fqinjë, ku mes 3 milionë refugjatëve, rreth 70% e tyre janë punësuar e nuk i rëndojnë buxhetit shtetëror. Aktualisht shifra e përgjithshme e emigrantëve të hershëm e të mëvonshëm në Gjermani është në rreth 20.02% të popullsisë së përgjithshme e në rreth 120 nacionalitete të huaj! Të gjitha këto favorizojnë propagandën antiqeveritare të AFD-së dhe shanset e saj për një përqindje më të lartë në zgjedhjet e ardhshme…

    Duke u bashkuar me tufën e pakënaqësive, zhgënjimeve dhe rrjedhojave ekonomike, sociale, politike… ka më shumë të ngjarë që të gjitha këto ta përfundojnë kancelarllëkun e Olaf Scholzit e të koalicionit të SPD-së me parti të tjera me anim majtas apo të qendrës, me 4 vitet e mandatit të parë. Kjo nënkupton edhe rikthimin në qeverisje, vetëm pas një mandati humbjeje e largimi të CDU-së e të partive të koalicionit të saj. Ky rotacion po ndihmohet edhe nga përforcimi i vazhdueshëm i bindjes te shumica e gjermanëve se qeverisja e djathtë ka qenë historikisht më e aftë në shmangien dhe përballimin e krizave e më e ndjeshme, më konkrete dhe më e suksesshme për politikën sociale dhe rritjen e nivelit të jetesës së popullit, pa parë ngjyrë partiake dhe krahu politik, siç është traditë afro 80 vitesh në Shqipërinë komunisto-socialiste.

    Një nga reflektimet e krizës shumëformëshe e gjerëpërfshirëse në Gjermani gjatë këtyre 4 viteve ishte rritja e ngadalshme, jo në përqindje të larta e çmimeve të shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm jetik. Domethënë, të ushqimeve, nga uji te mjalti dhe reçelrat; të artikujve higjieno- sanitarë, kozmetikë, farmaceutikë, të televizorëve, kompjuterave, celularëve, të pajisjeve elektrike shtëpiake, të biletave të autobusëve dhe trenave…

    Me gjithë këto rritje të lehta, përgjithësisht të rimbursuara me rritje pagash dhe forma të tjera kompensimi e shpërblimi periodik, përsëri çmimet në Gjermani janë në rreth 25-50% e disa artikuj, deri në 100%, më të lirë se sa në Shqipëri. Largësia jo si distancë në rreth 1850- 2.000 km, por për nga standardet me vendin tonë, bëhet më e qartë nëse “kujtojmë” se 1 orë minimale pune në Gjermani është rreth 12.5-13 euro dhe 1 ditë 8-orëshe shkon në rreth 110 euro. Duke vazhduar llogaritjen dhe krahasimin i bie afërsisht sa të ardhurat për 10 ditë me një page mujore minimale apo sa 20 ditë të shumicës së pensioneve minimale mujore në Shqipëri!?

    Nëse do t’i bëjmë llogaritë me pagat mesatare e të larta, në 5000-10.000 euro në muaj si dhe nëse do të kujtojmë se qeveria gjermane ka bërë disa herë rimbursime me paga e qira të plota mujore për familje dhe e ka çuar në këta 4 vjet pagesën mujore për fëmijët nga 0-18 vjeç nga 206 në rreth 256 euro, merret me mend se sa shumë larg Gjermanisë jemi për nga nivelet e pagave, pensioneve, çmimeve, politikës sociale, mirëqenies. Për paradoks e demagogji, më shqip për mashtrim të hapur të “qytetarëve naivë”, nënkuptohet me “kujtesë” apo “urdhër” nga lart, në mediat shqiptare jepen shpesh informacione për “vitet, muajt, javët, ditët e vështira” të Gjermanisë!

    Këto shkaktojnë më tepër mosbesim dhe revoltim, sepse shumica e shqiptarëve janë të mirinformuar se Gjermania, edhe në kohë krize, nuk është përmbytur nga varfëria dhe të varfrit, që gati sa nuk t´i zgjasin duart në fyt apo sy nëpër trotuaret dhe lokalet e Shqipërisë!? Nënkuptueshëm, sipas këtyre mediave qeveritare de jure “të pavarura e publike”, – mbetet të besohet përralla se Shqipëria po përjeton një periudhë bumesh në ekonomi, punësim, rritje pagash e pensionesh, mirëqenieje…

    Për ata “të majtë”, që nuk janë bindur për afro 80 vjet… i kanë mashtruar dhe vazhdojnë t’i mashtrojnë fare paturpësisht e pashpirtësisht, sikur të ishin fëmijë 3-5 vjeçarë për “suksese”, “fitoreje”, “bume”, “rekorde historikë”, po paraqes çmimet e freskëta, të parë me sytë e mi apo nga fletëpalosje reklamash për disa artikuj ushqimorë! Konkretisht, për qumështin (0.85-1.05 euro 1 litër, ndërsa në Shqipëri është rreth 135 lekë ose 1.30 euro), djathë të bardhë e kaçkavall, gjalpë (në 5-8 euro, 10-12 euro, 8-10 euro kg); mishëra të grirë viçi, derri, të përzier, pulash, sallamra, pula, rosa, pata, pula e gjela deti në qese, edhe të gatshëm e të pjekur (në rreth 5-8 euro kg)…

    Verërat (nga 2-5 euro edhe verëra cilësore italiane, franceze, spanjolle….), birra (nga 0.6- 0.75 cent 0.5 litra shishja a kanaçia; lëngje frutash në rreth 0.75-1 euro shishja 1.2-1.5 litri. Për të qenë sa më konkret e bindës mund të vazhdojmë me artikuj të tjerë, si kosra, pudinge, deserte dhe sultiaçe me fruta, reçelra, çokolata (0.25- 0.75 cent), “Nutela” (2.22 euro 0.5 kg4.5-6 euro 1 kg, kur në Shqipëri është rreth 400 lekë 0.5 kg e 750 lekë për kg); miell, corn flakës (1.75-2.50 euro pakoja me 0.5 kg, ndërsa në Shqipëri shiten e blihen me 350- 450 lekë); biskota, çokolata, sheqer, kafe, kakao, vaj luledielli; fruta e perime të konservuara në kanaçe dhe kavanoza 500- 1.000 gr (këto të fundit në rreth 1.5-2.5 euro kavanozi ose kanaçia 0.5-1kg); kutia me sardele e peshq të tjerë në 125-200gr( nga 0.95-1.20 cent)…!

    Për kuriozitetin e shqiptarëve që kanë fatin e mirë e të keq të kenë automjete personale, edhe çmimet e karburanteve në Gjermani janë rreth 10- 15% më të lirë se sa në Shqipëri. Edhe një fakt apo praktikë e hershme dhe e përhershme nga Gjermania! Në dyqanet e mëdha të veshjeve dhe këpucëve, për të rritur e fëmijë të të dyja sekseve dhe për dimër e verë, për periudha javore e rregullisht në fundjava, praktikohen ulje nga 30-75%. Uljet praktikohen rregullisht sidomos për artikujt ushqimorë në prag skadence, deri një javë përpara…

    Pra, nuk veprohet si më së shpeshti në magazinat dhe tregjet e Shqipërisë, ku shpesh apo rregullisht bëhet një “hile e vogël”, ndërrimi i qeseve e kutive të ambalazhit apo i datave të prodhimit e të skandencës, edhe pse ky mashtrim apo krim mund të jetë bërë një herë më parë, qysh nga dita e tërheqjes prej magazinave të tregtarëve vendës apo të huaj! Jemi apo nuk jemi shqiptarë, që i bëjmë hile e keq edhe vetes, si pakkush në botën mbarë?! Në të kundërt apo krejt ndryshe nga sa në Shqipëri, ku tregtarët e mëdhenj, si të gjithë oligarkët, mendojnë e bëjnë të 999-tat vetëm për sa më shumë fitime ata vetë dhe miqtë apo ortakët e tyre në parti, parlament, qeveri…, nëpër tregjet e Gjermanisë, për mashtrime apo krime me cilësinë dhe datën e prodhimit e të skadencës së ushqimeve, gjobitesh e penalizohesh rëndë.

    Penalitetet variojnë sipas niveleve të madhësisë, volumit të mallrave e të të ardhurave, nga 100.000 deri në 5 milionë euro, shifër që nënkupton, falimentimin, sidomos për biznese të mesëm e të vegjël! Shumëkush edhe mund të mendojë e pyesë: vërtetë na e kalon për gjithçka Gjermania? Nuk paskemi ne asgjë me të cilën mund t’ia kalojmë këtij vendi e këtij populli? Për të qenë objektiv dhe i saktë tek ne në Shqipëri janë me çmime më të ulët, në periudhat e pikut të tyre, fruta-perime-zarzavatet, me përjashtim të patateve; biletat e autobusëve, kafetë nëpër lokale, ku shumica e shqiptarëve në qytete rrinë me orë të tëra e shtyjnë ditët, sanduiçët, byrekët, petullat, disa lloj bukësh masive, fryrë më shumë me maja e sodë…

    Ah, për pak harrova: në berberhanet jo për VIP-a e bosë në Shqipëri mund të qethesh akoma më lirë se në Gjermani, ku berberët turq të qethin edhe me 10 euro. Për t’iu përgjigjur këtyre që “ndihen të fyer” nga supremacia gjermane, mund të them gjithashtu se ia kalojmë Gjermanisë më së shumti për ç’ka kemi nga natyra e Perëndia, por jo nga robt shqiptarë! E kam fjalën për klimën me rreth 275 ditë me diell e të ngrohta, sidomos në muajt e pranverës, verës e vjeshtës e në qytetet dhe krahinat bregdetare. Por, mund të mburremi para gjermanëve edhe për detet Adriatik e Jon, me plazhe të bukur, që ofrojnë turizëm, rërë, rreze dielli dhe ujë të ngrohtë deti! Këto të mira nga Zoti na largojnë përdorimin e vitaminave D3, të cilat gjermanët, masivisht viktima të sëmundjeve kockore, sidomos në moshën e tretë, duhet t’i përdorin pa efekt të fortë e të gjatë për gjithë vitin dhe jetën…

    Me doza humori, mund të thuhet se ia kalojmë Gjermanisë edhe me vota-blerjen dhe vota-vjedhjen me thes apo vetura e furgonë… Po kështu, ia kemi kaluar edhe me kohën e shpalljes së rezultateve të censit. Nëse në Gjermani rezultatet u bënë të njohura brenda 24 orëve, në Shqipërinë tonë, unikale e ndër vendet e para për “rekorde” të kësaj natyre apo për të këqija, rezultatet e censit organizuar gjatë muajve të vjeshtës 2023 mund të shpallen në verë, në qershor 2024. Mund të vazhdoj edhe më gjatë, me fakte të tjerë të shumtë se Shqipëria jonë, që po “thith turistë” nga gjithë bota, sa shumicës na u dukërka si një “parajsë” e shumë vonë zbuluar e se Tirana po “eklipsonka” Athinën dhe Romën, në të vërtetë për shumicën e shqiptarëve, ka qenë dhe është, sidomos në këta 10 vjet të qeverisjes prej PSrilindjes, një ferr tokësor në mes të Evropës, sa e kanë braktisur afro 1 milion, kryesisht në mosha të reja.

    Por, besoj se për shumicën e shqiptarëve të mbetur akoma në Shqipëri e që ndihen dhe reflektojnë si qytetarë e jo si enveristo-edramistë fanatikë e “të verbër”, edhe faktet e evidentuar, janë të bollshëm e të mjaftueshëm! Këto fakte i ndihmojnë jo pak për t’u bindur se sa larg jemi e do të jemi me këtë vend, ku ka shtet ligjor dhe funksional, demokraci të vërtetë, politikë sociale të përjetueshme, mirëqenie, drejtësi, popull… Njëherazi, edhe për sa kohë “do të marshojmë përpara, nga fitorja në fitoreje” me fjalime, premtime, projekte, kongrese, samite, që kanë jetë dhe “frute” më së shumti në letra e dosje…! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski shpreson në votat e shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    BE: Serbia do të ketë pasoja për mospërshtatje me politikën tonë të jashtme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë