NAMIK DOKLE
U mbushën 25 vjet nga dita kur, në vilën Biljana në Ohër, katër burra, nën syrin e SHBA dhe BE, nënshkruan një marrëveshje.
Ajo nuk ishte thjesht një letër, por një ftesë për të jetuar bashkë në një vend ku bashkëjetesa kishte marrë krisje të rënda, thuajse të pariparueshme. 25 vjet më parë, ky vend rrezikohej të shuhej. Në vend të fjalës, flisnin armët. Në vend të besimit, fliste dyshimi. Në vend të bashkimit, fliste ndarja. Në vend të respektit, fliste përçmimi. Në vend të dashurisë, fliste urrejtja. Dhe pyetja më e madhe ishte: A mund të kemi një të ardhme të përbashkët?
Në vizitën e tij të parë, në Kosovën e çliruar, Presidenti Klinton pat thënë: Fituam luftën, tani duhet të fitojmë paqen! Marrëveshja e Ohrit ishte një nga aktet më sinjifikativ të kalimit të shpejtë nga lufta në paqe, natyrisht, me plot sfida dhe rrëpira që urrejtja ndëretnike, e institucionalizuar në shtet, kishte lënë mu në mesin e rrugës drejt të ardhmes euroatlantike.
Në atë kohë, isha në delegacionin e përherëshëm të Kuvendit të Shqipërisë, në Këshillin e Europës. Një deputet zviceran, zoti Mulemman, më pyeti: Zoti Dokle, çfarë bëjnë ata, shqiptarët tuaj, në Maqedoni?! A shkoni në kishë, ju, zoti Mulemman?- e pyeta. Natyrisht, çdo të diel, më tha, sa bie këmbana e parë, nisem. Epo, i thashë, shqiptarët po i bien këmbanës që të dëgjojnë Europa dhe Amerika, të dëgjojë edhe shteti i shurdhër maqedon për kërkesat e një populli të nëpërkëmbur. Dhe atëherë, në atë shtet, shqiptarët kërkonin dinjitet dhe siguri, gjuhën e nënës dhe punën e fëmijëve, shkollat dhe universitetin e tyre.
Prandaj u ngritën dhe u ranë fort këmbanave, të cilat i dëgjoi gjithë bota. Në ato ditë që luftohej, në Shkup u mbajt konferenca e radhës e kryetarëve të parlamenteve të Europës Juglindore, ku mora pjesë bashkë me ish-ministren e punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade. Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, zoti Andov, bashkë me ndonjë delegacion tjetër, kërkonin që në rezolutën përfundimtare, ata që luftonin për liri dhe të drejta të barabarta, të etiketoheshin si “terroristë”.
Dhe pyetja ime ishte: “ A jeni ju terrorist, zoti Andov, kur në Këshillin e Europës, apo në forume të tjera ndërkombëtare, vini e flisni maqedonisht, gjuhën e nënës suaj? Pse ua mohoni shqiptarëve gjuhën e nënës së tyre?!” Dhe kështu, me luftë dhe sakrifica sublime, me diplomaci dhe negociata, edhe me ultimatumin e butë të ndërkombëtarëve, “marrëveshje, ose kaos”, u arrit në Marrëveshjen e Ohrit. Ohri nuk ishte fundi, por fillimi i një pune 25-vjeçare që duhet dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Reflektimi vazhdon dhe duhet të mos ndërpritet.
Lufta vazhdoi gjashtë muaj, por paqja duhet të vazhdojë shumë, shumë më gjatë. Të drejtat e komuniteteve, e drejta e gjuhës, decentralizimi i pushteteve, përfaqësimi i drejtë e të tjera piketa të Ohrit, kërkojnë zbatim në vazhdimësi, me qartësi dhe këmbëngulje. Ohri na dha urën, por ndërtimi i rrugës që erdhi më pas, vazhdoi, vazhdon dhe duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Kurrsesi nuk mund të pranohet kthimi mbrapa. Paqja, stabiliteti rajonal, të drejtat e shqiptarëve, integrimi euro-atllantik, janë obligime të mëdha, të cilat këkojnë angazhime po aq të mëdha nga të gjithë. Marrëveshja e Ohrit i dha shansin Maqedonisë së Veriut që nga një shtet me rrezikun e luftës civile, apo ndëretnike, të bëhet një demokraci multietnike që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Pas ndryshimeve kushtetuese, u kalua nga konflikti tek institucionet, nga përjashtimi te përfaqësimi, nga izolimi tek integrimi. Kjo është rruga e përbashkët e të gjithë shtetasve. Tashmë në Ballkanin që prodhonte më shumë histori nga sa mund të konsumonte, nuk ka vend as për Serbi ose Bullgari të madhe, as për Greqi apo Shqipëri të madhe. Po, ka vend për Europën e madhe e të bashkuar. Por, edhe sot, pas 25 viteve, shtrohet pyetja: “A e kemi shndërruar marrëveshjen e Ohrit nga një marrëveshje paqeje në një projekt të një shoqërie multietnike dhe demokratike?” Dikur, Ajnshtajni këshillonte që për të zgjidhur një problem, duhet ndryshuar mentaliteti që e ka pjellur problemin.
Ndryshimet e mendësive nuk janë si çelësi elektrik që e ndez dhe e fik kur të duash. Druaj se ndryshimet kushtetuese nuk i kanë dhënë fund përgjithmonë mentalitetit diskriminues të ndarjes së popujve në popuj të dorës së parë dhe popuj të dorës së dytë. 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, pyetja nuk është “a funksionoi Ohri?”, por “a funksionuam ne sipas Ohrit?” Ajo marrëveshje e ndali luftën, por a i shëroi të gjitha plagët? Ohri hapi dyert, por a e mbushi shoqërinë me besim? Ohri shkroi ligje të bukura, por a zbatohen ato njësoj si në Strumicë edhe në Tetovë? Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por është edhe funksionimi i drejtësisë dhe barazisë për të gjithë.
Ndaj mbetet ende shumë për të bërë. Mijëra të rinj dhe të reja që kanë lindur pas vitit 2001 dhe tash janë 25-vjeçarë, kanë të drejtën të pyesin: Pse duhet të më interesojë mua Marrëveshja e Ohrit sot? Çfarë ka sjellur ajo për mua? Ani mirë, Ohri u dha pasaportën të udhëtojnë pa vizë sepse vendi hyri në NATO, falë stabilitetit, u dha të drejtën të studiojnë në gjuhën e tyre, u dha paqen që do të thotë të zgjedhin universitetin në vend të pushkës. Dhe është një simbolikë domethënëse që kampusi i universitetit “Nënë Tereza”, në Shkup, po ngrihet bash në vendin ku dikur ishin gazermat e ushtrisë jugosllave e maqedonase.
Por, po të flasim me shembullin me të cilin më së shumti flasin të rinjtë e sotëm, me telefonin pra, mund të themi që Marrëveshja e Ohrit është si një telefon i ri; nëse nuk e pëdor, nuk vlen për asgjë. Sfida nuk është më të luftosh për të drejta, por për të mos i humbur të drejtat e fituara me aq shumë sakrifica, për t’i gëzuar dhe jetuar ato të drejta në pëditëshmëri. Prandaj mendoj se Marrëveshja e Ohrit, aq sa është historia e baballarëve, po aq, e ndoshta edhe më shumë, është edhe detyra e sfida e brezit të ri, e të lindurve në ato ditë të stuhishme. Veteranët që shikoj këtu nuk luftuan thjesht për një nen kushtetues, por që nipat e tyre të mos kërkojnë më armë për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Prindër të nderuar, apo familjarë të tjerë të dëshmorëve që janë këtu, mes nesh, nuk e humbën djalin thjesht për një komunë të decentralizuar; e humbën se shteti nuk dëgjonte, shteti nuk pyeste dhe as pëgjigjej, kur e pyesnin. Ohri nuk na duhet si muze, por si ndërgjegje shtetërore dhe individuale, si mendësi e respektit reciprok, si bashkëjetesë, si sfidë për t’u kapëcyer në rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut. Sepse, në fund të fundit, asnjë marrëveshje nuk jeton vetë. Atë e jetojnë njerëzit!
* Autori, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (2001-2002) Shënim: Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Shoqëria “LËVIZJA”, organizoi në Strugë, më 14 gusht 2026, simpoziumin me temë: Arritjet, sfidat dhe perspektivat e shoqërisë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Ishte i ftuar dhe foli edhe ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë (2001-2002) Namik Dokle -Panorama-






