Mevlude Genç në Gjermani, nënë e njerzillëkut

    Sanderson Sertan

    Me vdekjen e Mevlude Gençit dy vendet, Gjermania dhe Turqia humbën një njeri që ishte për t’u marrë shembull. Matriarkia Mevlüde Genç ishte pioniere e paqes dhe pajtimit, mendon Sertan Sanderson. Një vlerësim.

    Sa herë që udhëtoj në Gjermani dhe kaloj nga autostrada A3, më kap një ndjenjë trishtimi kur shoh daljen që të çon në Solingen. Një qytet, i njohur dikur për prodhimin e thikave dhe gërshërëve, u bë simbol për një nga krimet më të këqija të urrejtjes, të ndodhur në historinë e re të Gjermanisë.

    Unë sapo isha futur në adoleshencë, kur pesë antarë të pafajshëm të një familjeje emigrantësh nga Turqia u vranë nga një zjarr i vënë nga dora e njeriut. Sulmi u krye nga një grup neonazistësh. Pjesa më e madhe e antarëve të grupit kishin moshën time. Po ashtu si pjesa më e madhe e viktimave.

    Sulmi brutal më bëri që të merresha me identitetin tim. Meqenëse dhe vetë unë isha i huaj në një vend të huaj, përpiqesha që të kuptoja si duhej reaguar ndaj një urrejtjeje kaq të madhe.

    Gjermani, Solingen nga ceremonia e varrimit të viktimave të sulmit memotiv ksenofobinë

    Mevlude Genç më dha përgjigjen. Matriarkia, që humbi në sulmin e Solingenit dy vajza, dy mbesa, fëmijë të fëmijëve dhe një mbesë, vajzë të vëllait apo motrës, më dha orientimin e duhur. Deri ditën që vdiq, më 30 tetor ajo kërkoi pajtimin dhe faljen.

    Për mua, gruaja që morri nënshtetësinë gjermane dy vjet pas sulmit ekstremist të djathtë të 1995-ës, është luftëtare e paqes dhe pajtimit. Zemërgjerësia e saj mund të krahasohet me atë të Nelson Mandelës dhe Nadia Muradit.

    “Të mos urresh askënd “

    “Duke filluar që tani ne duhet të jetojmë në vëllazëri, harmoni dhe miqësi, për gjithnjë. Unë nuk urrej askënd,” pati thënë ajo në një nga aktivitetet e shumta në të cilat kërkonte mirëkuptimin midis kulturave dhe besimeve fetare. 

    Me vdekjen e saj në moshën 79 vjeçare, dy vendet Gjermania dhe Turqia humbën një njeri model, një grua që dha një përgjigje të thjeshtë për një përzierje komplekse urrejtjeje ndaj të huajve, të cilën atë kohë fillova ta kuptoja në Gjermani.

    Kur në vitet 2000, filloi një seri vrasjesh të qëllimshme të njerëzve me sfond migracioni (të  njohura si vrasjet e NSU), Genç i drejtoi sërish një apel publikut duke i kërkuar të reagonte me arsye dhe me masë dhe të kishte besim, se autoritetuet do t’i vinin dorasit në bankën e të akuzuarve.

    Megjithë skandalet në procesin e hetimit të vrasjeve, Genç vazhdoi të kishte besim në frymën e saj pacifiste. Me çdo vlerësim që mori, përfshirë medaljen më të lartë në Gjermani, Kryqin e Meritave të RF të Gjermanisë, ajo zgjeroi fushatën për paqe. 

    Bota nuk është më ajo që ka qenë kur ndodhën sulmet e 1993. Në vend të bashkimit, është shtuar polarizimi. Vlerat janë zhvendosur, tabutë janë thyer, dhe migracioni vazhdon të shihet nga shumë vende si rrezik.

    Urrejtja ndaj të huajve dhe sulmet raciste vazhdojnë të marrin jetë njerëzish në të gjithë botën, dhe emra të rinj i janë shtuar listës së vendeve që më ngjallin trishtimin kur udhëtoj nëpër autostradat e botës: Hanau, Kristçërë, Çautauqua.

    Ndërkohë që shkruaj emrat e këtyre vendeve pyes veten: Çfarë do të kishte bërë Mevlude Genç po të kishte mësuar për sulmet e reja kundër të huajve? Duke u përpjekur të kthej përgjigje për këtë pyetje, unë arrij të kuptoj sa zili e kam këtë grua.

    Unë do të doja të kisha aftësinë e saj, për të përballuar katastrofat me këtë njerzillëk të thellë. Unë do të doja, të kisha besimin se gjërat do të marrin dikur rrugën e duhur.

    Mevlude Genç nuk u largua kurrë nga qyteti që kishte zgjedhur për të jetuar, Solingen, megjithë tragjedinë që përjetoi atje. “Unë kam jetuar këtu gjithnjë sikur të isha në vendin tim. E mira dhe e keqja janë pjesë e imja,” pati thënë ajo në një intervistë me rastin e 70 vjetorit të lindjes. “Do të qendroj këtu deri sa të vdes.” Faleminderit Mevlude.

    Lajmi Paraprak

    Sa është shpenzuar për të akuzuarit në Hagë?

    Lajmi i rradhës

    Bullgaria kundër ndryshimeve ligjore për shoqatat dhe partitë në Maqedoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë