Ministri i dënuar dhe personaliteti kriminal

    PËLLUMB NAKO

    Ish-ministri i Brendshëm u dënua. Të shumtë janë ata që e quajtën “kokë turku”, kurse ai vetë mendon se është viktimë. Pak gjasa ka të jetë edhe njëra, edhe tjetra. Dikush tjetër vrapon t’i vërë gishtin drejtësisë që po ndërtohet e re dhe që po ecën para për të zhdukur njëherë e mirë pandëshkueshmërinë e krimeve të jakave të bardha. Nuk mungojnë as ata që kanë mendimin se ishministri i sapodënuar doli qartazi si person i përfshirë në trafiqe narkotikësh nga përgjimet e shërbimeve kompetente të ndonjë vendi mik. Sigurisht, diskutimet do të vazhdojnë gjerë e gjatë.

    Megjithatë, diçka e ndryshme, ndoshta më e rëndë, qëndron në themel të këtij fakti. Pyetjet janë të shumta dhe dënimi penal nuk u ka dhënë përgjigje dhe as mundet t’u japë. Nga ana e tyre, hamendësitë e pafundme të pasqyruara në medie nuk përqendrohen në analizën e një fakti të thjeshtë që mbetet vërtet shqetësues deri në ulërime therëse. Si mund të ndodhë që një personi në moshë relativisht të re, me familje normale, pa asnjë lidhje të mëparshme as me krimin, as me veprime të çfarëdolloj kundër ligjit, me përgjegjësi jo të vogla politike në opozitë, në krye të një fondacioni me natyrë politike ku formohen politikanë të rinj, me eksperiencë pune të gjatë me militantë, i besohet një mision i rëndësishëm qeveritar dhe ai sapo ulet në karrige, transformohet në shkelës të ligjit aq sa dhe të dënohet me burg? Shqetësimi rritet, kthehet në ankth, në topitje kur mendon se ky person nuk është i vetmi që pëson një transformim të tillë. Ai nuk u dënua sepse është fillikat në këtë metamorfozë të turpshme, por deri tani mbetet i vetmi që pati fatin e keq për faktin se bëmat e tij kaluan kufijtë kombëtarë të vendit dhe ishte e pamundur të fshihej si të tjerët.

    Pra, është profili apo personaliteti i këtyre politikanëve që i shtyn ata drejt shkeljes së ligjit, apo është sistemi politik qeverisës si mjedis kriminogjen që i kthen në shkelës të ligjit? Apo të dyja bashkë?

    Historikisht, kriminologët janë marrë me gjetjen dhe shpjegimin e shkaqeve, të cilat çojnë një individ drejt krimit dhe një tjetër jo. Në vija të përgjithshme, ata bazohen mbi personalitetin e personit dhe faktorët që e shtyjnë atë drejt krimit, ku mjedisi nga i cili rrethohet, mbetet nga më kryesorët. Vetëm në mesin e shekullit të kaluar, ata kanë filluar të merren me studime për të kuptuar personalitetin dhe faktorët që shtyjnë të quajturat “jaka të bardha” drejt shkeljeve ligjore, duke shkaktuar krimin e niveleve të larta. Kjo do të thotë se dënimi i ish-ministrit nuk të ndihmon të kuptosh se si dhe përse djem e vajza si ai, ambiciozë për pushtet, shumë prej tyre të shkolluar, mjaft edhe të ditur, që aktivizohen agresivisht në politikë me objektiv pushtetin dhe sapo e kanë atë, marrin rrugë totalisht të shtrembër duke shkelur ligjin e duke kryer krime.

    Njëra nga teoritë e kriminologëve që ka dominuar vitet ‘50 deri në vitet ‘70, që merret me analizën e personalitetit të një individi, i cili hyn në botën e krimit, është ajo e quajtur “personaliteti kriminal”. Ky koncept ka katër karakteristika që përbëjnë thelbin psikologjik të individit kriminel. Megjithatë, kriminologët shtojnë se karakteristikat në fjalë nuk janë tregues vetëm për kriminelët. Ato mund t’i kenë e i kanë edhe mjaft të tjerë që nuk janë të tillë, por njerëz normalë, qytetarë të mirë dhe në nivel jo të ulët kulturor.

    Sipas konceptit të “personalitetit kriminal”, individët janë egocentrikë, që do të thotë se nuk e kanë të zhvilluar fare ndenjën e frenimit para se të kryejnë aktin, gjë që natyrshëm i shtyn të mos respektojnë normat civile dhe ligjore. Karakteristikë tjetër ata kanë edhe mungesën e stabilitetit mendor apo paqëndrueshmërinë karakteriale, ky tipar tjetër i “personalitetit kriminal”, thonë kriminologët, karakterizohet nga mungesa e vlerësimit për aktet që kryejnë. Agresiviteti, po ashtu, mbetet pjesë e qenësishme e profilit të personalitetit të kësaj kategorie. Ky tipar bën që autori të kapërcejë lirshëm pengesat materiale që i dalin para akteve të kryera prej tij. Ajo që bie në sy frikshëm te ky profil kriminal, është indiferenca shpirtërore. Ata janë tërësisht të pandjeshëm për vuajtjet që u shkaktojnë viktimave dhe nuk e njohin ndjenjën e fajit.

    Ky lloj personaliteti i përshkruar më sipër nga kriminologët, materializohet për fat të keq tek individë në numër jo të vogël, pjesë e brezave të fundit të politikës, që aktualisht dominojnë jetën politike dhe qeveritare të vendit tonë. Të paktën në perceptimin e përgjithshëm publik, ata janë thuajse të të njëjtit brez me ish-ministrin, kanë të njëjtën ecuri karriere si ai (nga hiçi në politikë, nga politika në pushtet, nga militantizmi në majat më të larta të administratës), nuk kanë pasur ndonjëherë arritje profesionale të mëparshme, pak ose aspak e njohin administratën dhe që me të hipur në pushtet, transformohen në tmerrësisht të korruptuar, të inkriminuar si shkelës të zakonshëm të ligjit. Vetëm një mendje frikshëm djallëzore, perverse, mund të mbledhë rreth vetes individë me këto tipare të personalitetit, që më pas i zhyt në një mjedis politik të kthyer në kriminogjen si rezultat i një sistemi, në të cilin pa pasur para të madhe, është e pamundur as të kandidosh për një parti e as të bësh politikë. Në këtë mjedis politik kriminogjen, pasioni për pushtet transformohet aty për aty në mundësi për para të madhe, kusht i vetëm i mundshëm për të paguar mbijetesën në trafikun politik si dhe në jetën private pasurinë, pasqyrë kjo e rangut e dinjitetit të shtresës së lartë ku aktualisht vetëklasifikohen. Thjesht qeverisemi nga individë në shumicë me “personalitet kriminel” në një mjedis politiko-qeverisës kriminogjen. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gjukanoviç për DW: Mbështesim çdo qeveri që promovon demokracinë multi-etnike në Mal të Zi

    Lajmi i rradhës

    Studim: Disa prej kompanive më të mëdha në botë, nuk janë duke përmbushur pritshmëritë për luftim të ndryshimeve klimatike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë