Një ditë në Prilep: teatri, njerëzit dhe heshtjet pas skenës

    Lindita Kadriu
    Publiciste

    Në pamundësi të qëndroja më gjatë si herëve të tjera, sivjet në festivalin teatror “Vojdan Çernodrinski” vajta dhe u ktheva me Ansamblin e Teatrit Shqiptar. Më pëlqen të udhëtoj të paktën një drejtim me busin e teatrit, se krijohet atmosferë humori dhe ngrohtësie, kurse bisedimet kanë strukturë teatrore, hera-herës edhe qëllimshëm teatrale. Këtë herë shumicën e aktorëve të rinj nuk i njihja, por më dhanë kënaqësinë të ndjehem sikur të isha me shoqëri timen.

    Zbarkohemi në Qendrën për Kulturë të Prilepit që pulson në ritmin e ngjarjes më të rëndësishme kulturore në qytet. Aty, në atrium, përcolla ekspozitën e posterëve të shfaqjeve me tekste të Dejan Dukovskit (autor në fokus i festivalit të sivjetmë të 60-të), punuar nga teatro të ndryshme të vendit dhe jashtë. Në hapësirën fqinje disa buletinë të vjetër ku prononcohen regjisorë e aktorë mysafirë, kritikë teatri dhe shikues mbi shfaqjet, laureatët, Prilepin festiv. Pak më pas, me kafe në çarshinë jo të madhe dhe jo aq të ruajtur, shpejtoj t’i lexoj se duheshin kthyer. Numrat më të vjetër të këtyre fletushkave janë me sintaksë dhe dizajn skizaman që dallon nga numrat më të rinj, ku probleme të apostrofuara janë edhe mungesa e kritikës teatrore dhe mungesa e trajtimit medial të teatrit dhe ndodhive kulturore në përgjithësi. Më bën përshtypje edhe çështja e mossigurimit të dëgjuesve për përcjellje të përkthimit simultan të shfaqjes, të cilin Teatri i Tetovës e paska bërë enkas për festivalin, kurse në botimin e vitit 1991 parashtrohet çështja e mungesës së publikut në shfaqjen e Teatrit turk (në periudhë kur dioptria stereotipe ka qenë më e përhapur).

    Atë ditë ndenjëm gjatë me aktoret Drita Karaga dhe Vjollca Bekteshi në bufenë në oborrin e pasëm të Pallatit të Kulturës ku është i vendosur teatri dhe Prilepi në këtë sens u ngjan qyteteve të Maqedonisë Perëndimore, të cilat nuk kanë godinën e vet teatrore: ashtu Gostivari e Kumanova, ashtu Kërçova, Struga e Dibra. Por në Prilep në vend të objektit të vjetër ndërtohet i riu, që me gjasë do të përfundojë para ndërtesës së teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, e cila nisi të ngrihej kur djalin e kisha në foshnjore, e mbase në premierë do të mund të shkojë me bashkëshorten. Ky është trajtimi ynë në Investimet kapitale të Ministrisë së Kulturës (dhe Turizmit), ndërkohë që opinioni maqedon rregullisht bën zhurmë nëse na ndajnë mjete për libra, shfaqje e koncerte konform përqindjes në popullatë, të cilat mjete janë vetëm thërrime karshi buxhetit për ndërtime dhe rikonstruktim. Kujtojmë po ashtu edhe rikonstruktimin një dekadë të Teatrit shqiptar në Shkup dhe ndërtimin aktual të stërzgjatur të Teatrit turk.

    Në përputhje me moton “Teatri i ri i guximshëm”, më bën përshtypje Drita kur tregon se në momentin kur u nis në festival, e ëma hynte në një operacion të vështirë. Në oborrin-bufe një çast i shpërthejnë lotët; desha t’i thosha, por e heshta fjalën e doktorit të njohur tetovar Jusuf Rexhepi se “Lotët janë leksilium” (më e padurueshme është kur nuk qan dot dhe i gjithë sikleti mbetet paluar brenda). Në mbrëmje në skenë ishte siç na ka mësuar të jetë: bindëse dhe me prezencë të plotë. E guximshmja Dritë!

    Diçka që shkon në konton e organizatorit – salla qe e mbushur me filloristë (ndoshta titulli “Nosorozi” i kishte bërë për vete) që qeshnin edhe në pjesët dramatike të shfaqjes, e kjo deri diku e ulte përjetimin, arsye shtesë për ta parë sërish këtë trajtim të mirë të veprës së gjithëkohshme të Ezhen Joneskos, nga regjisori bullgar Vasil Vasilev dhe ekipi aktoresk me në krye Shkëlqim Islamin.

    Festivali sivjet u mbyll me shfaqjen intrigante nga dramaturgu Dejan Dukovski (më i spikaturi në vend, pas Goran Stefanovskit) dhe regjisori kroat Oliver Frliq, të dy me karriera rajonale dhe europiane. Me Dejanin jemi ulur bashkë në një paspremierë moti, ende ia mbaj në mend batutat dhe shikimin alegro mbi veten dhe jetën, siç bëjnë shpesh njerëzit të dëshmuar me punë. /Nistori/

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Protestat në Shqipëri | Deputetja Koçeku largohet nga PS-ja, do të veprojë si e pavarur

    Lajmi i rradhës

    Gaza, mbi 73 mijë viktima që nga viti 2023

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë