Njohje të mëdha sa Britania!

    Ramadan Ramadani/Fotografia: Rromir Imami

    Ramadan Ramadani

    Ka shumëçka që mund të analizohet dhe shkruhet për këtë valën e fundit të njohjeve të shtetit të Palestinës nga ana e disa shteteve, gjithsej tetë (8) në këtë hov deri më tani: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Portugalia, Luksemburgu, Malta, Monako dhe Franca. Sidomos duhet të analizohet në opinionin shqiptar, pasi ka mungesë trajtimi të botës dhe lajmeve botërore që vjen nga strukja e përgjasimit të fatit të palestinezëve dhe ukrainasve me atë të vet shqiptarëve, shumë afër në histori. Unë mendoj se arsyeja kryesore pse shqiptarët i shmangen muhabetit për gjendjen në botë, tmerrin dhe lajmet që vijnë nga aty, sidomos nga Palestina dhe Ukraina, është se këto të dyja shumë ua kujtojnë shqiptarëve veten; ose se ku dhe si kanë qenë, ose se ku dhe si mund të jenë.

    Të kthehemi te titulli dhe tema për njohjet e fundit të Palestinës si shtet, për të përsëritur se ka shumë aspekte që duhet analizuar e që nuk mund të përfshihen të gjitha në një shkrim, por që krejt puqen në pikën dhe konstatimin se sa ngjarje dhe zhvillim i madh historik është duke ndodhur aktualisht në botë. Aq e rëndësishme dhe e madhe është kjo, sa vetëm gjenocidi që ndodh në Gaza, sidomos uria e qëllimshme, mund t’ia kalojë me rëndësi!

    Nëse kthehemi edhe një herë te titulli, duhet ta shpjegojmë se pse prej krejt këtyre njohjeve e veçuam atë të Britanisë: është sepse edhe Palestina e edhe entiteti sionist janë themeluar dhe shpallur në territore që kanë qenë nën juridiksion britanik. Ose menjëherë në vijim të përfundimit të atij pushteti, në esencë kolonial.

    Por, ndërlidhja dhe relevanca e krejt këtyre njohjeve me Maqedoninë e Veriut qëndron në faktin se këto erdhën pas një presioni të madh të vetë qytetarëve të këtyre shteteve, me protestat solidarizuese me Palestinën dhe popullin e saj. Aq sa, për të kuptuar se krejt këto njohje kanë qenë të pritshme prej vitit 1988, vitit kur Palestina zyrtarisht ka kërkuar njohje dhe atë konform krejt rezolutave të OKB-së. Ashtu, tani këto njohje nuk i ka sjellë gjenocidi, lufta apo tmerri që ende ndodh në Gaza dhe Palestinë, pasi kështu ishte prej dy vitesh, por i ka sjellë mu presioni nëpërmjet solidaritetit të vetë qytetarëve të këtyre shteteve. Mu nga kjo duhet të niset krejt trysnia që shteti ynë, Maqedonia e Veriut, të mos jetë më shurdh ndaj kësaj kërkese për njohje të shtetit të Palestinës, por e njëjta duhet të procesohet një çast e më parë edhe në Kuvend e edhe në Qeveri, ku ka shumë njerëz mu sikur ne, që kanë brengë Gazën, Palestinën dhe krejt gjendjen e njerëzimit në botë. Tash dhe menjëherë duhet vepruar!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Gjuha shqipe / Uniformat e Policisë do të rregullohet me tender të posaçëm

    Lajmi i rradhës

    Kos: po presim formimin e Qeverisë së re që të angazhohemi më shumë me Kosovën për dialogun

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë