Non paper non grata

    Dy dokumente joformale (non paper) e kanë tronditur Ballkanin. Cilat janë implikimet e këtyre dokumenteve dhe si mund të ndikojnë në terren?

    Seb Bytyçi

    Copëtime etnike

    Dokumenti i parë që pretendohet se është i përpiluar nga Sllovenia e Hungaria propozon rivizatimin e kufijve në Ballkan në baza etnike. Aty propozohet copëtimi i Bosnjës e Kosovës, e potencialisht edhe Maqedonisë veriore. Pra aty propozohet që Republika Srpska t’i bashkohet Serbisë, zonat me shumicë kroate në Bosnje t’i bashkohen Kroacisë, dhe Kosova pa veriun t’i bashkohet Shqipërisë. Në shikim të parë, ky dokument mund të duket joshës për ata që janë ithtarë të zgjidhjeve etnike, por kam frikë se nuk do të përbënte një zgjidhje të pastër, sepse prapë shumë njerëz do të mbetnin brenda kufinjëve “të gabuar”.

    Dokumenti i dytë propozon një zgjidhje për Kosovën, duke krijuar një distrikt autonom në veri, një asociacion/bashkësi të komunave serbe në pjesët tjera të Kosovës si dhe vetëqeverisje për Kishën Ortodokse Serbe. Pra kjo zgjidhje krijon jo një, por tri “mini-Republika Srpska” brenda Kosovës, një makth i vërtetë për të gjithë ithtarët e një Kosove funksionale. Ky dokument i mveshet Gjermanisë dhe Francës, dhe sipas thashethëmeve ky dokument është përpiluar nga njerëz të afërm me presidentin e Francës ose nga një zyrtare holandeze e vetë Shërbimit të jashtëm të BE-së.

    Dalja në publik në këtë renditje sikur e telegrafon dëshirën e përpiluesve. Krijimin e tundimit ndaj zgjidhjeve etnike në Ballkan, për të rezultuar pastaj me opcionin e vetëm të mundshëm: copëtimin e Kosovës. Duke ditur se ekziston një proces i hapur dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe nuk ekziston një proces i tillë mes Bosnjes e Serbisë e as Bosnjes e Kroacisë, por as Shqipërisë e Kosovës, atëherë duhet të konkludojmë se synimi është që të përcaktohet agjenda për ndarjen (të jashtme ose të brendshme) e Kosovës. Duhet thënë pra, se kjo mund të jetë tundimi i fundit i Kosovës, që ofron bashkim me Shqipëri, por në fund jep vetëm copëtim të Kosovës sipas metodës karremim-dhe-ndërrim (bait and switch).

    E djathta populiste në marshim

    Shenjat janë se kemi të bëjme me një lëvizje nga qarqet djathtiste populiste për të përcaktuar agjendën para rifillimit të negociatave Kosovë-Serbi. Serbia e udhëhequr nga ultranacionalisti i papenduar Vuçiq ka krijuar lidhje me të djathtën populiste e ekstreme brenda BE-së. Këto lidhje ka gjasë se ndërmjetësohen nga Rusia që është shëndrruar në qendër globale të promovimit të djathtizmit populist dhe që i mbështetë fort lëvizjet e tilla në Perëndim, ngjashëm si dikur Bashkimi Sovjetik përkrahte të majtën ekstreme. Fatkeqësisht, këto lëvizje janë mjaft të forta në Evropë, posaçërisht në Francë e Holandë, dhe tashmë edhe në Gjermani, pas krizës së refugjatëve. Shtetet që udhëhiqen nga politikanë të së djathtës populiste si Hungaria, dhe tash Sllovenia, po e luajnë rolin e Kalit të Trojës të Rusisë brenda BE-së, për dallim nga periudha më herët kur këtë rol e luanin vetëm shtetet me lidhje kulturore me Rusinë (Qipro, Greqia, Rumania). Roli i këtyre lëvizjeve nuk mund të injorohet, për shembull ka shumë gjasa që arsyeja pse Franca e Holanda janë shpesh të ashpra ndaj zgjerimit në Ballkan perëndimor dhe liberalizimit të vizave për Kosovën është pikërisht lajkatimi me elektoratin e djathtë ekstrem. 

    Gjithashtu duhet theksuar se këto non-paper dolën në pah në kohën kur Sllovenia po përgatitet ta marrë kryesimin e BE-së në korrik. Për më tepër, pas Sllovenisë kryesimin do ta marrë Franca në janar 2022. Një periudhë që koincidon edhe me zgjedhjet presidenciale në Francë në prill 2022. Këto zgjedhje paraprihen nga ato në Gjermani në shtator 2021. Qarqet e të djathtës ekstreme mund ta shohin një shans në këtë periudhë për të arritur një fitore ndërkombëtare në, siç e shohin ata “luftën e civilizimeve” duke krijuar koncesione të forta për Serbinë në Kosovë. Politikanët centristë të rrezikuar nga populizmi i djathtë si Makroni, mund të tundohen të përkrahin koncesione të tilla për të treguar kredencialet djathtiste me shpresë të ngritjes së përkrahjes zgjedhore të elektorati i djathtë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse kemi parë thirrje të ngutshme për fillim të shpejtë të negociatave të cilat thuhet se “mund të kryhen shumë shpejtë”. Këto koncesione të ndarjes etnike, natyrisht i shkojnë për shtati Rusisë, e cila është e interesuar ta përdorë precedentin e ndarjes etnike në Kosovë për të legjitimuar zaptimin e tokave në Ukrainë; si dhe i përshtaten Serbisë e cila përveç përfitimeve në Kosovë synon ta hapë rrugën për marrjen e çmimit të madh – Republika Srpska.

    Mësymjet ruse

    Në kontekst më të gjerë, kjo mësymje e të djathtës ekstreme pro-Ruse në Ballkan mund të shihet në bashkëdyzim me lëvizjet e Rusisë për ta kërcënuar ushtarakisht Ukrainën, si dhe lëvizjen e SHBA-së kundër projektit të gazsjellësit Nordstream që pritet ta rrisë ndikimin rus në Evropë. Zgjedhja e presidentit të ri në SHBA ka sjellë edhe pozicionime agresive të Rusisë në Evropë për të krijuar pozitë të favorshmë në çfarëdo negociata me SHBA-në e BE-në mbi raportet Rusi-Perëndim dhe Krimenë/Ukrainën. Kurse presidenti i ri Bajden ka dalë haptas kundër ndikimit të tepërt rus dhe për rritjen e rrjetit të shpërndarjes së gazit likuid natyror (LNG) amerikan në Evropë që garon me gazin rus. Lufta për ndikim përmes gazit është e njohur dhe ajo ka ardhur edhe në Ballkan, ku Rusia ka rrjet në Serbi dhe po e shantazhon Bosnjen. Prandaj, duhet pasur durim në këtë periudhë të ndjeshme zgjedhore të mos futemi në kurthe të ngritura nga ekstremistët. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Si lidhet digjitalizimi në arsim me rastin e Tomas Edison dhe shpikjes së projektorit?

    Lajmi i rradhës

    Edukata seksuale nuk është zgjidhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë