Perandoria e jahteve dhe e aspiratave të mëdha

    GENCI KOJDHELI

    Një ndër lajmet që kanë qarkulluar së tepërmi në kuadrin e luftës Rusi–Ukrainë ka qenë sekuestrimi i disa jahteve luksoze në pronësi të pasanikëve rusë, të cilët mbështesin regjimin në pushtet. Kurioziteti më shtyu të kërkoja listën e jahteve më të mëdha e më të shtrenjta në botë; gati gjysma ishin në pronësi të oligarkëve rusë e pjesa tjetër u përkiste kurorave nga vendet e Gjirit Persik. Në anën tjetër të këtij fakti, në listën e personave më të pasur në botë, duhet të zbresësh diku poshtë vendit të 50-të për të gjetur rusin e parë. Tipikisht pasanikët rusë (oligarkët, siç identifikohen rëndom) natyrshëm operojnë në fusha si eksporti i naftës, gazit e mineraleve, konsideruar që Rusia është vendi me industrinë minerare më të madhe në botë dhe ndër vendet me më shumë pasuri natyrore, përfshi burimet e energjisë, mineralet e rralla etj. Ndërkohë, edhe pse nuk janë në elitën e pasanikëve botërorë, rusët spikasin me përmasat ekstreme të jahteve, blerjet bombastike të klubeve të futbollit apo stilin e jetesës ekstravagant me shpenzime astronomike; thuajse një ilustrim stereotipik i të ashtuquajturëve nouveau riche (ose pasanikëve të rinj). Kjo paradigmë specifike e Rusisë moderne është shumë e rëndësishme për të kuptuar sjelljet e vendit më të madh në botë përkarshi “të tjerëve”, e në veçanti kundrejt Perëndimit.

    Shumë mendojnë se politika antagoniste dhe ekspansioniste e Rusisë post-Luftës së Ftohtë është produkt ideologjik i Presidentit Putin, teksa në fakt është iniciuar qysh nga 1996-ta prej Yevgeny Primakov, asokohe ministër i Jashtëm i Rusisë. Doktrina Primakov parashtronte se Rusia do duhej ta poziciononte veten si një fuqi e pavarur në arenën globale, duke kontribuuar në krijimin e një rendi multipolar ku faktorizoheshin aktorë të tjerë (më specifikisht Rusia dhe Kina) përveç SHBA-ve. Ngadalë, por me progres konstant, së bashku me një fuqizim të ekonomisë ruse, erdhi dhe një pozicionim aktiv i Rusisë si një ‘fuqi globale’ me interesa e lëvizje gjeostrategjike që përfshinin një solidifikim të marrëdhënieve me Kinën (partneri më i madh tregtar i Rusisë), përfshirje në zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme (veçanërisht në Siri), një rol dominant në Azinë Qendrore e Kaspik, marrëdhënie në ngushta me Indinë (veçanërisht përmes tregtisë së armëve) dhe prezencë të shtuar në Afrikë, Oqeani dhe në Amerikën e Jugut (nëpërmjet marrëdhënieve të ngushta me Venezuelën dhe Kubën). Njëkohësisht, në 25 vitet e fundit Rusia ka bërë shumë të qarta aspiratat e kahershme të një fuqie perandorake, me një sferë influence të drejtpërdrejtë në periferinë e vetë gjeografike, më specifikisht përmes luftës së beftë në Gjeorgji (2008), ndërhyrjes në Krime (2014) si dhe refuzimit kategorik për të pasur anëtarësime të reja në NATO nga fqinjët e vet gjeografikë (përfshirë këtu Ukrainën, Finlandën, Suedinë etj.), të gjitha nën petkun e asaj që ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, e përkufizon si “synimi për të krijuar një thellësi strategjike dhe amortizatorë sigurie ndaj kërcënimeve të huaja”.

    Në një këndvështrim të pastër gjeopolitik, synimet e Rusisë legjitimohen nga e shkuara e saj perandorake dhe statusi i një ish-superfuqie, nga të qenurit vendi gjeografikisht më i madh në botë, nga një popullsi e madhe (144 milionë banorë, edhe pse relativisht e vogël në përpjesëtim me sipërfaqen), dhe nga një furnizim i pandryshueshëm me para përmes eksporteve të energjisë, mineraleve, drithërave dhe lëndëve të tjera të para. Pas gjithë këtyre indikatorëve qëndron dhe një kapacitet shumë i fortë ushtarak, me Rusinë që klasifikohet si fuqia e tretë militare në botë. Por, a është realisht Rusia e aftë të luajë rolin e një aktori global me ndikim në katër anët e globit? Disa faktorë duhet të analizohen për të gjeneruar një konkluzion të besueshëm.

    Së pari, popullsia e Rusisë është në tkurrje të vazhdueshme; agjencia zyrtare e statistikave “Rosstat” raporton ulje konstante të popullsisë në Rusi, me një maksimum historik prej 1 milion banorësh më pak në vitin 2021. Popullsia është një element kyç për çdo shtet që pretendon të legjitimohet e të sillet si aktor global. Për ekuivalencë të argumentit, dy superfuqitë globale (SHBA dhe Kina) apo shtete të tjera që aspirojnë rritje të influencës globale apo rajonale (India, Koreja e Jugut, Turqia, Irani, Brazili, Nigeria, etj.) janë në rritje të vazhdueshme demografike.

    Së dyti, është kapaciteti i Rusisë për të qenë një aktor dhe faktor i fortë ekonomik. Shpesh i pyes miqtë, në Shqipëri apo në Europë, nëse zotërojnë ndonjë gjë që është ‘Made in Russia’? Përgjigjet, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë gjithmonë “JO”! Teksa Rusia ka një burim të vazhdueshëm të ardhurash përmes eksporteve të energjisë, mineraleve dhe lëndës së parë, ekonomia ruse është më e vogël se ajo e Francës, e Italisë apo Kanadasë. Zhvillim ekonomik i bazuar tek shfrytëzimi i pasurive natyrore, pa diversifikim ekonomik e fuqizim të sektorëve ndihmës si turizmi, shërbimet apo teknologjia dhe inovacioni, si dhe ekzistenca sistemike e shpërndarjes së të ardhurave në gjithë segmentet e popullatës, përgjithësisht rezulton në dështim, siç mund të vërtetojnë raste si Venezuela, Libia, Mozambiku apo Republika Demokratike e Kongos. Kjo e fundit konsiderohet vendi më i pasur në botë në pasuri natyrore, teksa GDP për capita është 2.5 dollarë në ditë (ose 7 herë më pak se Shqipëria).

    Së treti, Rusia ka një diapazon tepër të kufizuar të së ashtuquajturës ‘fuqi e butë’; një element thelbësor i çdo shteti që aspiron të jetë një aktor global. Me përjashtim të pak vendeve me një lidhje historiko-gjeografike shumë të ngushtë me Rusinë, shumë të paktë janë njerëzit anembanë botës që mësojnë rusisht, dëgjojnë muzikë ruse, shikojnë filma e seriale ruse, synojnë që t’i edukojnë fëmijët në universitete ruse apo shohin Rusinë si destinacion turistik a një vend i përshtatshëm për të emigruar e për të ndërtuar të ardhmen. Ky realitet ka shumë pak gjasa të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

    Asgjë nga më lart s’është argument mjaftueshëm i fortë për të neglizhuar apo injoruar qëndrimet dhe pretendimet gjeopolitike të Rusisë, e cila vijon të mbetet një komb e një vend shumë i madh e i rëndësishëm, me gjurmë të thella në formësimin e historisë së Europës moderne. Por, parë dhe analizuar në detaje, pretendimet ruse kanë një dozë të theksuar jorealizmi. Njësoj si oligarkët që porosisin jahtet më të mëdha e më të shtrenjta në botë, teksa nuk figurojnë në renditjen e më të pasurve të globit, edhe Rusia tenton të shpalosë një vitrinë të lavdishme fuqie dhe influence, e cila nuk mbështetet nga realiteti dhe potenciali ekonomiko-demografik i vendit.

    Opsionet në dispozicion të Rusisë janë të ndryshme dhe me peshë të jashtëzakonshme për formësimin e rendit botëror në të ardhmen. Rusia mund të zgjedhë të vijojë qëndrimin e tanishëm antagonist ndaj Perëndimit dhe pjesës më të madhe të Europës; një opsion i cili kërkon domosdoshmërisht një aleancë të vështirë me Kinën, e njëkohësisht një deteriorim të marrëdhënies të Rusisë me kombet europiane, me të cilat ndan kufij, histori, fé dhe ndërveprim tregtar, financiar e njerëzor.

    Alternativa tjetër, që deri më sot nuk është konsideruar nga Rusia, është tanimë zgjedhja e vendeve të mëdha europiane si Britania e Madhe, Franca, Spanja, Gjermania apo Italia. Këto vende, pavarësisht së shkuarës perandorake, koloniale, naziste apo fashiste, janë modernizuar e zhvilluar në kuadrin e një sistemi demokratik, me fokus te bashkëpunimi rajonal e kontinental, tregu i lirë dhe vlerat e përbashkëta europiane. Është një kompromis i vështirë për Rusinë, pasi do të nënkuptonte një shkëputje tërësore nga aspiratat për të qenë një vend me ndikim global në arenën gjeopolitike e njëkohësisht një rivlerësim të prizmit, me të cilin Rusia sheh vetveten dhe identitetin e saj historik, politik e gjeografik dhe bashkëpunimin me Europën dhe Perëndimin. Në fjalët e Zbigniew Brzezinskit, “Një Rusi e cila gradualisht fillon të gravitojë drejt Perëndimit, do të jetë gjithashtu një Rusi e cila ndalon së pështjelluari sistemin ndërkombëtar”, edhe pse kjo hipotezë duket shumë e largët teksa trupat rusë pushtojnë Ukrainën. Por, arritjet më të mëdha të njerëzimit kanë ardhur gjithmonë pas krizave të mëdha dhe ndoshta ky është momenti më i mirë për të ndryshuar të ardhmen e Europës dhe botës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në fund të muajit do të publikohen rezultatet e regjistrimit të popullsisë

    Lajmi i rradhës

    Shenjat se fëmija keqtrajtohet në çerdhe, kopsht ose shkollë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë