Politikë trekrenore?

    Edmond Tupja

    Kohët e fundit është folur për trekëndëshin e Bermudës në skenën dhe skemën e politikës aktuale të shteti mjeran shqiptar, por sipas dy këndvështrimeve të ndryshme: atij të Lulzim Bashës dhe atij  të Edi Ramës, pra të opozitës dhe të pozitës.  Por për shkak të përçarjes në gjirin e Partisë Demokratike, trekëndëshi i sapopërmendur, pra ai “Rama, Berisha, Meta”, ka pësuar një ndryshim të dukshëm dhe sot paraqitet si “Rama, Berisha, Basha” dhe kjo si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e disfatës zgjedhore të opozitës më 25 prill të vitit të kaluar dhe, veçanërisht, e shpalljes së Sali Berishës “persona non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Sipas mendimit tonë modest, antagonizmi pozitë/opozitë kryesisht midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të kujton deri diku shqiponjën dykrenore të flamurit tonë kombëtar ku dy krerët e saj i kthejnë zverkun njëri-tjetrit, çka dikush, emri i të cilit është arratisur nga kujtesa ime prej atdhetari të sinqertë, e ka interpretuar si e vetmja rrugë e mundshme për të shmangur që dy krerët në fjalë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit ose, më keq, të shqyejnë njëri-tjetrin.

    Metaforë e frikshme kjo e mësipërmja që të kujton vajtueshëm dramën e rëndë që po përjeton Partia e Përçarë Demokratike, flamuri i kaltër i së cilës paraqitet sot dykrenor, pra me dy krerë, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, në armiqësi të pakthyeshme me njëri-tjetrin. Po, metaforë kjo fort e frikshme, por që e ka zhytur Edi Ramën në një ekstazë orgazmike, e cila i fal atij një lumturi që fjalët e gjuhës shqipe – dhe jo vetëm – nuk janë në gjendje ta përshkruajnë, pavarësisht talentit të shkrimtarëve më të famshëm jo vetëm në Shqipëri, madje jo vetëm në trevat e banuara në Ballkan nga bashkatdhetarët tanë, por edhe në diasporën shqiptare kudo nëpër botë.

    Nga ana tjetër, “lufta vëllavrasëse”, që ka plasur furishëm në gjirin e demokratëve shqiptarë, po shpie ujë me bollëk në mullirin e kundërshtarëve së tyre dhe sidomos të Soros-it, i cili, si për inat të sfidantit Berisha, fle prej  kohësh me mullixheshën mavi, pra, me Partinë Socialiste, me Edi Ramën e me ministrushet e ministrushët e tij, të cilëve e të cilave nuk ua ka kursyer as mbështetjen ideologjike, as ndihmën financiare (të paktën me sa informonte më 6 janar gazeta “Sot”) vetëm e vetëm që globalizimi i planetit Tokë ta përfshijë vendin e shqiponjave e të shqipove nga më i madhi tek më i vogli, nga më i zgjuari tek më truthari, nga më dinaku tek më i padjallëzuari, nga më pragmatisti tek më idealisti. Sidoqoftë, shumëkujt mund t’i jetë krijuar përshtypja se, me sfidën e tij kundër Soros-it, Berisha i ngjan sadopak Don Kishotit që luftonte kundër mullinjve me erë, çka me siguri koha do ta vërtetojë ose do ta hedhë poshtë.

    Tani le t’i kthehemi përsëri, me lejën tuaj, o lexueset e lexuesit e mi, idesë së trekëndëshit të Bermudës në Shqipërinë e sotme. Ky trekëndësh, me shumë gjasë, po kristalizohet rreth boshtit Rama-Berisha-Basha, të paktën i këtij mendimi më duket se janë, qoftë edhe vagëllimthi, disa analistë të njohur kur hedhin pak a shumë tezën se kryeministri Edi Rama po qëndron politikisht në majën e sipërme të trekëndëshit në fjalë, ndërsa, nga njëra anë, Sali Berisha, ish-president i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Partisë Demokratike, bashkë  me, nga ana tjetër, Lulzim Bashën, kryetarin e kontestuar të së njëjtës Partisë Demokratike, i cili gëzon mbështetjen e amerikanëve, qëndrojnë politikisht në skajet e poshtme të të njëjtit trekëndësh.

    Nisur nga ky vlerësim, diçka më thotë se, ndryshe nga metafora e flamurit tonë kombëtar, politika aktuale në shtetin  tonë të sëmurë rëndë nuk është më dykrenore, prandaj me të drejtë mund ta konsiderojmë pa druajte si  trekrenore. Sidoqoftë, shoqëria shqiptare mund t’u rezervojë surpriza, sidomos të pakëndshme, studiuesve, analistëve dhe politologëve, ndër  të tjera, prandaj nuk duhet nxituar në nxjerrjen e përfundimeve. Me gjithë admirimin e sinqertë që kam për vlerësimet interesante të disa analistëve tanë seriozë, në peizazhin e mjegulluar të politikës shqiptare jo gjithmonë dalin parashikimet e bëra, sepse, siç thotë frëngu “Nul n’est prophète en son pays”, pra, në gjuhën tonë amtare,“Askush s’është profet në vendin e vet”.

    *Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

    Lajmi Paraprak

    Në Kosovë në të zezën, në Serbi me adresë të pasivizuar

    Lajmi i rradhës

    Ministri turk paralajmëron Greqinë të mos testojë durimin e Turqisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë