Pse Komuna e Tetovës në ndarjen e mirënjohjeve anashkaloi edhe personalitete tjerë të rëndësishëm?

    KOMENT

    Aziz SahitiGazetar i sportit

    E bukur kur institucioni Komunë ‘mundohet’ të respektojë mes tjerash gjithë ata sportistë që janë dalluar me rezultatet e tyre gjatë vitit të kaluar, por nuk është se duhet “shpikje” për të vënë si frymëzim në krah të gjithë atyre të rinjve edhe disa tetovarë që gjatë vitit të kaluar ishin pjesë e Kampionatit Europian të futbollit “EURO 2020”.

    Vend i determinuar për të bërë gjërat në mënyrë gjysmake. Fatkeqësisht shkon pranë nivelit për të thënë pa përjashtim. Kritiko paraardhësit për veprime të selektuara, për të përsëritur të njëjtat në momentin që marrin pozitën aq të dëshiruar e me premtime nga më të ndryshmet.

    Të enjten u kremtua “3 Marsi, dita e komunës së Tetovës”! “Në një seancë solemne u ndanë mirënjohje për personalitete të shquara nga sfera të ndryshme të shoqërisë, të cilët kontribuan në zhvillimin dhe afirmimin e qytetit të Tetovës dhe të cilët me punën dhe mundin e tyre i kanë lënë gjurmë në Tetovë dhe në zhvillimin e saj”, kështu shkruan Komuna e Tetovës në faqen zyrtare në Facebook.

    Gëzohem që pashë aty njerëz të nderuar që pranonin mirënjohje, por nuk ka si mos të bjerë në sy edhe pjesa e lëshimeve që s’duhej të ndodhnin. Ditë më parë pati disa reagime publike në rrjetet sociale, por ky tekst dëshiron të vë në plan të parë anashkalimin e diçkaje vërtetë të madhe e që nuk është se ka ndodhur më parë apo se kemi ndonjë garanci se do të përsëritet.

    Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut verën e shkuar ishte pjesë e Kampionatit Europian “EURO 2020” dhe fatmirësisht protagonistë kishim edhe shqiptarë e tetovarë. Kapiteni i Shkëndijës së Tetovës, Egzon Bejtullai pas europianit për të rinjë të vitit 2017, shënoi një tjetër arritje historike duke u bërë i pari nga ky rajon që debuton në Kampionat Europian (luajti në takimin Austri-Maqedoni e Veriut). Ferhan Hasani, një tjetër futbollist i shquar tetovar ishte gjithashtu pjesë e Maqedonisë dhe Komunës do t’i qëndronin me shumë krenari në zyra fotografitë e tij përkrah yjeve të Holandës. Ndërkohë po në këtë Europian, Media Officer (shef i zyrës së medias, marketingut dhe Marrëdhënie me Publikun) i përfaqësueses së vendit ishte Faton Zylbehari. Mos harrojmë edhe Xhengis Rexhepin, zëvendës seleksionues i ekipit përfaqësues që ishte poashtu pjesë e “EURO 2020”!

    Po në Marsin festiv të Komunës së Tetovës, përfaqësuesja e futbollit për herë të parë në histori do të luajë në balotazh për kualifikim në Kampionatin Botëror “Qatar 2022”, kur do të përballet me kampionen e Europës, Italinë. Po, balotazh i siguruar me disa emra tjerë brenda suksesit, Skender Jonuzi, ndihmës seleksionues, e futbollistët Valon Et’hemi (shkëlqen në Turqi me Istanbulsporin) dhe Ennur Totre (lider në Shqipëri me Tiranën)! Edhe këta munguan në kremtimin e ditës së Komunës së Tetovës.

    Lëshim që s’duhej të ndodhnur e që sjell habi të madhe dhe dyshim, nëse bëhet fjalë për lëshim, mungesë e dijes, tendencë apo “mbyllje sysh” ndaj gjërave të vogla (respekt për çdo sportist dhe arritje të tyre) e nuk shihen të mëdhat?! Gjithsesi, cilado që nga këto të jetë e vërteta, Komuna dhe “ekspertët” që bëjnë listën për ndarjen e mirënjohjeve, mbeten të “amnistuar”. /Nistori/

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Shpallni Putinin si një kriminel lufte” | Gjenerali Wesley Clark bën thirrje që NATO-ja të krijojë “zonë ndalimi” mbi hapësirën ajrore të Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    Ngërçet dhe kontraktimet muskulare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë